Abuzimet e turpshme me dhimbjen e njerëzve që e pësuan nga tërmeti në Shqipëri
Tërmeti në Shqipëri deri më tash ka lënë 29 njerëz të vdekur dhe mbi 600 të plagosur. Por, përgjatë ditës së kobshme për shumë shqiptarë, një grumbull njerëzish abuzuan në emër të bamirësisë e të dhimbjes së njerëzve.
Bamirësia e shumë njerëzve dhe grupeve të ndryshme të interesit nuk ishte e shtyrë nga ndjenja të mira e të sinqerta. U bë për vetë-promovim, dhe kjo dihet gjerësisht.
Por, kishte edhe të tillë që nga kompjuterët e tyre falsifikuan imazhe në mënyrë që të rrisnin dramaticitetin e kësaj ngjarjeje të tmerrshme.
Shumë prej mediave, përjashto Periskopin, gjatë raportimit të djeshëm u munduan të rrisnin me perversitet numrin e viktimave duke dashur të ngjallnin më shumë dramë e panik te qytetarët. Disa prej tyre, biles, përfolën edhe mundësinë për një tërmet tjetër shkatërrimtar që do të linte edhe më shumë viktima.
Më poshtë keni disa prej imazheve të cilat u falsifikuan në mënyrë të turpshme dje duke ngjallur emocione te qytetarët e Kosovës.
Në njërën prej tyre shihet një qen duke qëndruar afër dorës së një njeriu të mbetur përfundi gërmadhave. Fotoja u tha se ishte nga skena e ngjarjes së tmerrshme në Shqipëri, por në fakt, kjo nuk ishte aspak e vërtetë.
Po ashtu, në një tjetër shihej një fëmijë i vogël i ndodhur te gërmadhat me fytyrën të kapur me duar. Ndërsa në të fundit shihej një i rritur duke dënesur.
Në mënyrë që të vërtetoni saktësinë e këtyre fotografive, iu ftojmë të klikoni në vegëzën në vijim: https://tineye.com /Periskopi