Prindërimi gjerman, ja si i rrisin ata fëmijët
Është e rrallë të shohësh fytyra të qeshura në trenat e Berlinit. Për shkak të një rregulli të pashkruar, të gjithë rrinë të heshtur me pamjen drejt nëpër S-Bahns dhe U-Bahns që kalojnë sipër e poshtë qytetit. Nëse shihni njerëz që po flasin, gjasat janë që ata të jenë turistë. E nëse jo vetëm flasin por dhe qeshin me të madhe, shanset janë që të jenë amerikanë.
Në një ditë me qiell gri në Berlin, vajza ime, Sofia, dhe unë po flisnim e po qeshnim me të madhe në një S-Bahn plot me pasagjerë gjermanë të heshtur. Vajza ime ishte 2 vjeçe e gjysëm por s’i pushonte goja njëherë. Kishim pak kohë që kishim ardhur në Berlin, dhe çdo gjë ishte e re për të.
Po shihja me vëmendje këtë zonjën e moshuar përballë nesh, dhe ndërkohë që po mendoja fjalët e duhura për t’i shprehur një keqardhje për zhurmën që po shkaktonim, gjëja më e papritur ndodhi: ajo qeshi.
Më në fund, thashë me vete, dikush që e kupton sesa e adhurueshme është vajza ime. Pastaj, zonja hapi çantën e saj dhe nxorri një karamele. Ajo as që më vështroi mua fare, e shtriu dorën për t’ia dhënë direkt Sofisë.
Më zuri paniku. Unë nuk i kisha folur ndonjëherë Sofisë se nuk duhet t’u besonte të panjohurve (me karamele)!
Brenda meje po kacafyteshin ashpërsisht impulse të kundërta: ta tërhiqja Sofinë dhe të dilja nga kabina? Apo të hiqesha sikur isha e qetë dhe të tregohesha e sjellshme me një të panjohur që sapo kishte bërë një gjest dashamirës?
Sofia u kthye dhe ma dha karamelen mua, një e qeshur e madhe në fytyrën e saj. Unë lejova, që logjika dhe mirësjellja të mbizotëronin: kjo gjyshe gjermane qartësisht nuk po tentonte të rrëmbente fëmijën tim, dhe s’kishte asnjë shans që ndonjë brisk prerës të mund të fshihej në një copëz karamele aq të vogël. Unë e mora atë nga Sofia, ia hoqa mbështjellësen, dhe ia dhashë përsëri vajzës sime. Ajo e futi karamelen në gojë – dhe, për çudi, ajo nuk vdiq!
Kjo përvojë më mësoi mua dy gjëra: e para, Berlinezët nuk e njihnin fare konceptin “e rrezikut nga të panjohurit” (angl. “stranger danger”) dhe e dyta, përshtypja ime se gjermanët ishin të paqeshur, jo të afrueshëm e që ishin të ashpër me fëmijët mund të ishte e pasaktë.
Ashtu siç do ta mësoja përgjatë 8 viteve të ardhshme në Berlin, shumë prej atyre që gjërave që dija për gjermanët ishte e gabuar – veçanërisht metodika që ata ndjekin për të rritur fëmijët.
Kur vajza ime mbushi 3 vite, ne ftuam një familje që e kishim njohur në piknik aty afër parkut të lagjes. Ishte një ditë pranvere me diell, dhe parkut i jepte bukuri gjithë ai gjelbërim i shtrirë dhe i qarkuar me pemë të larta. Ne zgjodhëm një pikë afër një fushe loje brenda parkut e cila kishte një mur guri përballë. Dy fëmijët e miqve tanë kërkuan që të shkonin te fusha e lojës.
“Patjetër”, u tha e ëma e tyre.
“A të shkoj dhe unë?” më pyeti Sofia. Unë dakordësova, dhe të tre ata vrapuan, dy vjaza tri vjeçe dhe një djalë 5 vjeç. Ata u zhdukën prapa murit, jashtë pamjes tonë. Asgjë tjetër nuk lëvizte. Mamaja e tyre filloi të bënte gati pjatat në shtrojën e piknikut. Burri i saj po bisedonte me timin për vendosjen e barbecues. Me atë ndjesinë sikur më kishte humbur diçka, u ngrita në këmbë. “Uhm… po shkoj unë,” i thashë.
“Oh!” mamaja tjetër më tha. “Janë mirë fort. Ata luajnë këtu gjithë kohës.”
“Ndoshta Sofia ka nevojë për ndihmë,” i thashë dhe u nisa drejt fëmijëve.
Edhe sot e kujtoj sesa e çuditshme më dukej asokohe që këta prindër nuk u rrinin mbrapa fëmijëve në fushëlojë. Pastaj unë pashë gjithë fëmijët e tjerë që loznin të pavrojtuar, ndërsa prindërit e tyre shijonin piknikun atje tutje duke biseduar me njëri – tjetrin dhe fëmijët shkonin e vinin vetë.
Kjo ishte një gjë normale në Berlin.
Prindërit nuk qëndronin si hije pranë fëmijeve në fushëlojë, shumica e të cilave ishin me struktura si anije druri të mëdha apo kulla në formë piramide metalike – ato ishin më të rrezikshme sesa ndërtesat tona tipike. Në Berlin, fëmijët në moshë shkolle, gjithashtu shkojnë në shkollë, park, dhe dyqane vetëm, ose të shoqëruar vetëm me ndonjë shok apo shoqe.
Rrallëherë prindërit ndërhyjnë në lojrat e fëmijëve, as kur ata zihen me njëri tjetrin, duke preferuar që ata ta gjejnë vetë zgjidhjen.
E gjitha kjo është pjesë e një kulture të përgjithshme të këtij vendi që quhet selbstandigekeit, ose vetëmjaftueshmëri.
Prindërit gjermanë besojnë se pavarësia është e mirë për fëmijët, se vetmenaxhimi i riskut është pjesë e domosdoshme e rritjes.
Kjo do të thotë se ata u besojnë fëmijëve të tyre gjithnjë e më shumë detyra ndërsa ata rriten dhe i vrojtojnë ata gjithnjë e më pak. Madje fëmijëve atje u japin të drejta që në moshë të vogël për të vendosur vetë për disa gjëra, përfshirë edhe nëse duhet pranuar një karamele nga një zonjë e moshuar në tren apo jo.
FUNDI I NJË STEREOTIPI
Ai imazhi i prindit gjerman të rreptë, autoritar, super strikt, dhe dënues është zhdukur qyshkur përfundoi procesi i de-Nazifikimit të vendit, kështu që jo vetëm nazistët, por edhe çdolloj mentaliteti i asociuar me të u hodh poshtë nga gjermania moderne, përfshirë këtu edhe edukimin e fëmijëve.
KULTURA E KONTROLLIT
Unë gjithnjë e kam menduar veten si një prind i relaksuar, por jeta në Berlin më mësoi sesa shumë gjëra i kisha mësuar gabimit nga modeli i prindërimit në vendin tim.
Ne kemi krijuar atë që mund ta quajmë kultura e kontrollit. Në emër të sigurisë dhe arritjeve akademike, ne i kemi zhveshur fëmijët nga të drejtat themelore të lirisë: liria për të udhëtuar, të qëndrojnë të vetëm, qoftë edhe për disa minuta, të ndërmarrin rrisk, të luajnë, të mendojnë për veten, dhe nuk është se prindërit janë të vetmit ata që po e bëjnë këtë. Është e gjithë kultura në tërësi.
Rëndësia e prindërimit gjerman në jetën e fëmijëve
Ne nuk mund të pretendojmë se e vlerësojmë lirinë nëse nuk u japim fëmijëve tanë një shans për ta përjetuar atë.
TË KESH NJË FËMIJË NJË GJERMANI
Kitas: Në Gjermani e quajnë anomali të jesh një mama që qëndron në shtëpi me fëmijët, 92% e të gjithë fëmijëve atje që nga mosha 0 – 3 vjeç i çojnë tek ato që quhen kitas, që është një shkurtim për kindertagesstatte, ose qendra e kujdesit të fëmijës, të cila nuk duhet të ngatërrohen me kindergarden, që janë çerdhet parashkollore, ato janë tjetër gjë.
Hebammen: të jesh një grua shtatzënë në Gjermani do të thotë se nuk janë mjekët ata që të japin kujdesin parësor shëndetsor, por janë asistentet (“hebammen” angl. “midwive”, mamie) ato që kujdesën për kohën e shtatzënisë qoftë në spital por edhe në shtëpi. Ato janë profesioniste të vërteta, të shkolluara specifikisht, dhe në fakt, ato nuk ia lejojnë vetes t’ia diktojnë një gruaje shtatzënë se çfarë duhet të bëjnë, misioni i tyre kryesor është t’i informojnë sa i takon kujdesit për fëmijën para lindjes, doktorët shfaqen në skenë vetëm nëse ka komplikacione gjatë lindjes.
Krankenhaus: Në Berlin gratë që duan të lindin fëmijët nuk është e thënë se duhet të shkojnë në maternitet, ato mund ta lindin foshnjën në shtëpi apo tek një klinikë afër lagjes së tyre, mjafton që paraprakisht të bëjnë një regjistrim paraprak pranë një spitali, me qëllim që në rast se ka komplikime të ofrohet mbështetja e tyre.
Bebet në Berlin: Në kohën pas-lindjes caktohet një tjetër asistente (“hebammen”) e cila i shkon sistematikisht në shtëpi gruas që ka lindur, për t’i dhënë kujdesin e pas-shtatzënisë, kjo nuk ndodh vetëm për gratë që kanë lindur vetë në shtëpi, por për të gjitha gratë caktohet asistentja/ndihmësja/gjysmëgruaja. E nëse mamatë nuk kanë një familjar apo të afërm që t’i ndihmojë me punë e shtëpisë dhe gatimin pas lindjes, në shtetin Gjerman këto gjëra i mbulon siguracion, kështu që ato mund të kërkojnë një asistencë afatshkurtër për këtë mbështetje.
PROBLEMET E MARRËDHËNIES MAMA-FOSHNJE
Kur shkova për të kryer një kontroll mjekësor në krye të 12 muajve pasi kisha lindur djalin e vogël, pediatri më hodhi një vështrim dhe më tha “Ti nuk je në rregull, ke nevojë për ndihmë!”
Isha plotësisht dakord. Nuk e kujtoj mirë, por kisha një këputje, lodhje e vazhdoja të ndjehesha e sfilitur për disa muaj me radhë. Ai nxorri bllokun e recetave dhe më caktoi një konsultë me një specialist gjumi. Specialistja ime e gjumit Cathrin i filloi konsultat e saj me vizita sistematike në apartamentin tonë.
Ajo më bëntë pyetje të hollësishme në lidhje me sjelljen e djalit të vogël, dhe ajo donte të dinte në veçanti se çfarë ndodh kur unë i them djalit “Jo!”nëse ai kërkon diçka tekanjoze.
“Aha, unë e di krejt mirë se çfarë ndodh”, i thashë asaj. “Ai qan dhe zhgërryhet në dysheme.”
Cathrin ngriti vetullat. Ajo më la një shënim.“Gjëja e parë që duhet të bëjmë është që ta mësojmë djalin tënd pak e nga pak përgjatë ditës që ta pranojë fjalën “Jo!”, kështu do të mund t’i thuash “Jo” edhe gjatë natës.”
Cathrin më jepte këshilla specifike edhe sesi duhet t’i them “Jo!” fëmijës. Unë duhet ta thoja me një zë të butë, asnjëherë me duf, e nëse ai shpërthente në të qara, nuk duhej kurrsesi të ndërhyrja menjëherë, por duhet ta lija pak momente ashtu dhe ta vështroja. Mund të ndërhyja për ta rehatuar vetëm pasi ai të kishte pushuar së qari pa e marrë atë që donte.
Kështu, pak nga pak, djali im tekanjoz filloi të zbutej dhe të mos shpërthente në të qara. Unë ia raportova suksesin e metodës Cathrin, dhe ajo më tha se tashmë duhet të fokusohemi tek problemi i vërtetë: gjumi yt gjatë natës.
Në Gjermani kam vënë re edhe diçka tjetër.Takoja prindër të cilët më thonin se fëmijët e tyre shkonin vetë në shtrat për të fjetur pa asnjëlloj problemi. Një mama berlineze më tha një rast se vajza 18 muajshe shkonte të flinte vetë.
Një rast tjetër, teksa po merrja kafenë e pasdites te shtëpia e shoqes sime, ajo më kërkoi falje të shkonte të vinte beben e saj në gjumë. Ajo u kthye tek unë pas 5 minutash! Unë po prisja që të fillonin ulërimat dhe të qarat nga dhoma tjetër. Por asnjëra nga këto nuk ndodhi. “E zuri gjumi?”, e pyeta me mosbesim.
“Akoma jo”, më tha ajo. “Por do ta zërë pas pak. Ai është lodhur!”
“Sa fëmijë i çuditshëm”, thashë me vete.
Por nuk ishte diçka e pazakontë. Në fakt, është pjesë e një tradite të prindërve në Gjermani të cilët i inkurajojnë bebet e tyre ta gjejnë vetë rehatinë me veten e tyre.