Pse tatuazhi juaj i vjetër mund të shkaktojë infeksion ose alergji të re

Pse tatuazhi juaj i vjetër mund të shkaktojë infeksion ose alergji të re

Acarimi i lëkurës mund të zhvillohet muaj, vite, madje edhe dekada pas procesit fillestar të tatuazheve.

Dermatologët thonë se tatuazhet shkatërrojnë shtresën mbrojtëse të lëkurës, duke rritur rrezikun e komplikimeve të lëkurës.

David Lortscher, një dermatolog me qendër në San Diego dhe San Francisco dhe bashkëthemelues i Curology, thotë se nëse filloni të shihni skuqje, gunga, apo edhe djegie mbi ose rreth një tatuazhi, atëherë urgjentisht duhet vizituar mjekun ose dermatologun tuaj, pasi tatuazhi juaj mund të jetë infektuar.

Ju keni dëgjuar për histori tmerruese për tatuazhet e njerëzve që janë infektuar. Por ndërsa kjo ndodh zakonisht gjatë procesit fillestar të shërimit, një infeksion është ende i mundur edhe disa muaj më vonë, sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë.

“Megjithëse është e rrallë, një reagim i quajtur pseudolimfomatik mund të ndodhë si përgjigje ndaj ngjyrës së kuqe,” thotë kirurgu plastik David L. Cangello nga Kirurgjia Plastike Cangello në Nju Jork.

“Etiologjia e saktë është e panjohur, por mendohet se ngjyra e kuqe vepron si antigjen, ose diçka që stimulon një përgjigje imune nga trupi. Qelizat e quajtura limfocite infiltrojnë lëkurën në zonën e antigjenit – ose pigmentit të kuq në këtë rast – dhe shkaktojnë një reagim inflamator. Me sa duket, përgjigja është zhvilluar për ca kohë, por u desh muaj ose vite për t’u shfaqur në sipërfaqen e lëkurës”, shton Cangello.

Është tronditëse, pasi tatuazhet mund të shkaktojnë sëmundje të lëkurës si ekzema dhe psoriasis dhe madje edhe vitiligo për herë të parë.

“Kjo përqendrohet në diçka që quhet fenomeni Koebner”, thotë Dhaval Bhanusali, dermatolog në Nju Jork.

“Veçanërisht me psoriasis dhe vitiligo, ideja është që çdo ndërprerje e epidermës mund të shkaktojë sëmundje, përfshirë një tatuazh. Ekzema është ndoshta më reflektuese e një reaksioni alergjik,” shton ai.

Një studim gjithashtu zbuloi se tatuazhet me ngjyrë të kuqe, blu ose të zezë shkaktuan ankesa në lidhje me diellin, si: ënjtje, skuqje, kruajtje, simptoma këto që mund të shfaqen brenda disa minutave ose orëve gjatë qëndrimit në  diell, transmeton KosovaPress.

Ngjyra e tatuazhit mund të përmbajë pigmente metalike përfshirë hekur, barium, zink, bakër, molibden dhe titan.

Pigmenti metalik i tatuazheve vepron si një antenë për pulsin e radio-frekuencës që magneti MRI dërgon jashtë, duke gjeneruar nxehtësi. Sa më i madh tatuazhi dhe sa më i fortë magneti, aq më i lartë është rreziku i djegies, thonë dermatologët.

Shpërndaje në: