Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Haga

Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe Haga

Dalëngadalë ftesat e Prokurorisë Speciale për “krimet” e luftës në Kosovës po e rrumbullakojnë “grishjen” dhe po arrijnë edhe tek krerët më të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që njëkohësisht patën fatin të jenë edhe në krye të institucioneve më larta shtetërore të shtetit më të ri në Evropë.

Para kësaj Prokurorie u shfaqën (folën dhe heshtën) anëtarë të shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, komandantë të zonave, kryeministri Haradinaj, e dje u bë e ditur botërisht edhe ftesa për kryeparlamentarin Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.

Këto ftesa dhe klima që po shkaktojnë ato, bëhen në një distancë kohore prej dy dekadash nga mbarimi i luftës në Kosovë. Për arsyet dhe aktorët faktikë që qëndrojnë prapa këtij qëndrimi armiqësor ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare do të flas koha, nga distanca historike, kur prapaskena del në skenë.

Ato nuk janë synim i këtij shkrimi. Në fakt shkrimi shpreh një opinion dhe një bindje tepër personale. Prej themelimit të Dhomave të Specializuara (Gjykata e Hagës për Kosovë) e deri më tash kanë kaluar mbi katër vjet dhe në ndërkohë ka lëvizje përmbajtjesore në skenën politike të Kosovës.

Deri dje, në krye të institucioneve kyçe të shtetit të Kosovës ishin figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministër dhe Kadri Veseli, kryetar i Kuvendit të Kosovës. Hashim Thaçi vazhdon të jetë President i Republikës së Kosovës në bazë të mandatit (2016 – 2021). Zgjedhjet e 6 tetorit 2019 kanë bërë një zhvendosje interesante.

Dy liderët e dy institucioneve kryesore, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli nga të qenit në pozitë, zgjedhjet i flakën në opozitë me rezultat të qartë, si parti e tretë (PDK), gjegjësisht e katërt (AAK). Sot, kur ftesat po e arrijnë rrumbullakimin këta dy liderë i gjen në opozitë. E, po ashtu, në opozitë, pa përfaqësim në parlament, gjendet edhe një figurë e fuqishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Fatmir Limaj.

Kjo do të thotë se njerëzit më të fuqishëm politikë me prejardhje nga platforma politike dhe ushtarake e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që i patën në duar institucionet qendrore të shtetit, u zhvendosën në opozitë, duke mos arritur ta rrumbullakojnë shtetësinë e plotë të Kosovës, marrëveshjen me Serbinë, neutralizimin e Gjykatës Speciale për Kosovë me seli të dyfishtë (Hagë – Prishtinë), arritjen e liberalizimit të vizave dhe fillimin e proceseve të integrimeve euroatlantike.

Kjo do të thotë se klima e ftesave dhe çdo gjëje tjetër që do të pasojë, do të zhvillohen në një kohë kur pozicioni institucional i këtyre liderëve ka bazën më të dobët të mbështetjes elektorale. Sa është punuar me sistem dhe durim stoik për rrënimin e autoritetit të kësaj klase politike është çështje më vete.

Në këtë politikë rrënuese të autoritetit politik dhe publik të figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka armiq organikë dhe historikë që asnjëherë dhe asnjëherë nuk ua falin kokën (Serbia me të gjitha segmentet aktive) kundërshtarë të brendshëm në nivel nacional dhe “armiq” brenda llojit.

Nëse tek faktori i parë (Serbia) nuk mund të ndikohet, dhe vetëm ndonjë e ardhme arrin ta zbus armiqësinë midis dy shteteve, dy faktorët tjerë, kundërshtarët e brendshëm dhe “armiqtë” brenda llojit, është mirë ta shohin njëri tjetrin në sy ose në pasqyrë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me të drejtë dhe pakontestueshëm konsiderohet projekti politik dhe ushtarak më serioz i luftës për çlirimin e Kosovës.

Në të gjitha periudhat historike shqiptarët e Kosovës kanë luftuar, kanë bërë kryengritje, rebelime dhe protesta, janë organizuar kundër sundimit jugosllav, por kurorëzimin e gjithë atyre synimeve e ka realizuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Pavarësisht kapaciteteve materiale dhe ushtarake, Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë shprehja më autentike e qenies kombëtare të shqiptarëve të Kosovës: ajo u mbështet nga populli, zhvilloi qëndresë në territoret brenda Kosovës, arriti ta ngrit në pikën më lartë angazhimin ndërkombëtar, ku dhe përfundimisht u arrit shkëputja e Kosovës nga administrimi i Serbisë.

Kjo nuk nënkupton nënvlerësimin e asnjë përpjekjeje tjetër për çlirimin e Kosovës, por asnjë faktorë brenda kombëtar nuk mund ta injorojë rolin parësor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në finalizimin e qëllimit – çlirimin e Kosovës nga Serbia në qershor të viti 1999. Lidershipi i UÇK-së i konvertuar në lidership politik doli i fuqishëm pas mbarimit të luftës më 1999. Filozofia e luftës çlirimtare, duke qenë e tillë natyrisht se në përbërësin e saj ka dy dimensione të pa përjashtueshme: humanizmin dhe popullaritetin. Këto dy produkte të saj u shpërfaqën për së mbari në epokën e lirisë.

Liderët e saj u shndërruan në politikanë normalë dhe popullaritetin e bartën tek vlerat e demokracisë. Këto dy vlera normale në skenën e përgjithshme politike të Josovës bën që me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, asaj që ndihmoi në arritjen e çlirimit të Kosovës, Kosova të jetë një demokraci normale dhe të bëhet shtet i pavarur.

Lidershipi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në historinë 20 vjeçare të Kosovës në planin e përgjithshëm ka luajtur rol konstruktiv dhe si i tillë është vlerë klasike e demokracisë së Kosovës. Pavarësisht mos përsosurisë, Kosova është shoqëri dhe shtet normal. Ka mijëra shembuj mbi të cilët mund të mbështetemi. P.sh. kultura e njohjes së rezultatit zgjedhor është njëri nga ta. Se lidershipi dhe klasa politike e dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka një normalitet dhe vlera të gjithë pranueshme dëshmon edhe praktika e krijimit dhe funksionimit të koalicioneve qeverisëse pas luftës e këndej.

Në arenën politike të Kosovës është krejt normale beteja dhe lufta e forcave politike, që kanë formim, histori dhe etablim të ndryshëm. Po ashtu, është e drejtë e çdo grupimi politik por edhe diçka e pakontrollueshme se çfarë qëndrimi mbajnë ndaj këtij ose atij fenomeni politik, ndaj kësaj ose asaj organizate politike a ushtarake. Prandaj kurrë nuk ka vlerësim uniform ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe liderëve të saj. Ka një tendencë të përhershme, brenda kombëtare dhe të qarqeve ndërkombëtare që merren me Kosovën, për kuptimin gjeneral të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për drejtuesit individualë të saj. Edhe brenda edhe jashtë ka një konstatim “dashamirës” se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e mirë. E kur vjen fjala te individët, tek liderët ose drejtuesit e saj ndryshon hesapi. Liderët, komandantët, drejtuesit e saj mund të kontestohen, kontestohen, madje kontestohen plotësisht. Kjo kontestueshmëri totale, tundamendje e plotë, është tendencë që ka vepruar dhe vepron pa ndalur, pa reshtur, me durim stoik dhe përhershmëri legjendare, njësoj si pika e ujit që dalëngadalë e shpon edhe gurin. Sistemi i dërgimit të ftesave nga Prokuroria e Hagës, nga poshtë lart përfshin gjithë shtresën e drejtueseve kryesorë të UÇK-së. Kjo i bie që Ushtria Çlirimtare Kosovës ka dy kategori në përbërësin e saj: ushtarë të rëndomtë, luftëtarë lirie, dhe komandues, drejtues të dyshimtë për këtë ose atë vepër, për këtë ose atë krim. Ndërkaq, në planin e luftës brenda llojit, kemi shembullin më praktik dhe domethënës të koalicionit PAN, që si fillesë tregon domosdoshmërinë dhe nevojën e të qenit bashkë të formacioneve politike me prejardhje nga UÇK-ja dhe fundin grotesk, me kundërvënie joparimore ndaj njëri tjetrit. PAN-i tregoi mungesën e vizionit, si strategji politike dhe të sinqeritetit, si vlerë etike. Ata edhe qenë edhe nuk qenë bashkë në fushatën zgjedhore të 2017. Po të ishin plotësisht bashkë do të prodhonin mbi dyzet deputetë.

Ato zgjedhje, sado në zgrip, bënë që në krye të shtetit të ishin dy liderë të UÇK-së. Mos sinqeriteti dhe mungesa e vizionit bënë që të prishet koalicion dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme (6 tetor 2019). Ky vullnet dhe kjo dëshirë për të shkuar në zgjedhje u shpërblye me kalim në opozitë. Do të thotë dalje nga zyrat e dy nga institucioneve qendrore të shtetit të Kosovës.

Listimi i shembujve të pakufishëm të luftës brenda llojit nga njerëzit me prejardhje politike nga UÇK-ja do të merrte shumë vend. Kjo luftë është aq e ulët sa nuk ia vlen të shfletohet. Mjafton të kujtohen rastet e thumbimeve, nënvlerësimeve, etiketimeve dhe fyerjeve në fushatën e 2019-ës. Kur brenda llojit ka urrejtje dhe armiqësi, pse të çuditemi nga sulmet që vijnë nga subjektet rivale, nga sulmet që vijnë prej segmenteve armiqësore serbe. Ky mos durim sikur ta kujton kohën e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kur krerët shqiptarë, individualistë dhe krenarë, që kishin shërbyer në perandorinë osmane, krijonin përshtypjen se jo vetëm nuk mund ta duronin shqiptarin mbi kryet e tyre, por as dhe hijen e vetvetes. Ftesat e fundit nga Specialja e Hagës po vijnë në një kohë të ndërmjetme, midis pushtetit të shkuar të PAN-t dhe atij në ardhje, i mundshëm midis LVV dhe LDK. Po vijnë në kohën kur janë në opozitë PDK-ja, e cila me deputetët e saj (shumica) e mbështeti krijimin e Gjykatës speciale sa qenë pozitë. Krijimi i kësaj gjykate preku edhe Kushtetutën e Kosovës. Në këtë gjendje dhe atë që po vjen si do të trajtohen njerëzit e UÇK-së nga Gjykata e Hagës dhe cili do të jetë roli i shtetit të Kosovës, në të cilin partitë politike të dala nga UÇK-ja janë komplet në opozitë? Mbetet të shihet. E që shihet plotësisht është fakti që ndaj krerëve të UÇK-së po ndodh një padrejtësi historike. Gjykata e Hagës, në këtë rast bashkësia ndërkombëtare, arriti t’i dënojë krerët e shteti të Serbisë për krime lufte, por jo dhe të shpallë fajësimin e shtetit të Serbisë për gjenocid në ish Jugosllavi (Bosnjë, Kroaci, Kosovë). Gjykata e Hagës sot po synon që t’i barazojë fajtorët: njëjtë drejtuesit e shtetit të Serbisë 1990 – 1999 dhe drejtuesit e UÇK-së 1998 – 1999. Se nuk mund të barazohen këto gjëra ka me mijëra e mijëra fakte, por le të shërbejë për këtë shkrim konstatimi i publicistit dhe analistit ushtarak James Pettifer, i cili në librin “Ekspresi i Kosovës” krahason përmasat e shtetit serb dhe UÇK-së. Derisa e Serbia demonstroi luftë ekspansioniste në Slloveni dhe Kroaci, gjenocid në Bosnje dhe në Kosovë përmes një armate të organizuar, me arsenal të plotë ushtarak, me doktrinë dhe planifikim të mirëfilltë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, sipas Pettifer kishte tri elemente: automatikun kallashnikov, telefonin Nokia dhe çorganizimin. Në një zbërthim simbolik, automatiku është vullneti popullor dhe guximi qytetar i Kosovës, telefoni Nokia është lidhja satelitore dhe mediale me botën e çështjes së Kosovës e cila më nuk mund të përfaqësohet nga imazhi që e krijonte Beogradi dhe, mbajeni mend: – çorganizimi, pra një ushtri e re, e krijuar nga një popull pa shtet. Dhe krejt në fund: Jam më se i sigurt se njëri nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, do të ketë forcën morale, politike dhe kombëtare të qëndrojë stoik përballë kësaj sfide. I vetëdijshëm për vlerat e larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër goditjeve, përbaltjeve, akuzave të rrejshme, shpifjeve dhe klimës kundër UÇK-së, Kadri Veslei dhe gjithë drejtuesit e saj do ta kalojnë këtë sprovë. Margaritari, thuhet, mund të mbulohet me baltë, por mbetet margaritar.

(Artikulli eshte publikuar fillimisht ne RTK) 

Shpërndaje në: