Kjo është mosha e duhur kur duhet t’i hiqni bebelinën fëmijës dhe ta mësoni të shkojë vetë në tualet
Një nga vështirësitë me të cilat nënat e reja përballen është periudha kur fëmijës duhet t’i heqin bebelinen e ta mësojnë të shkojë vetë në tualet. Ky është një proces që kërkon kohë e durim dhe nuk mund të arrihet brenda ditës. E rëndësishme është të tregoheni të duruar dhe bashkëpunues me fëmijën tuaj dhe në këtë mënyrë do të arrini rezultate.
Mosha e duhur: Nënat duhet të kuptojnë se ky proces nuk mund të fillojë nëse fëmija është më i vogël se 18 muajsh, por mosha ideale do të ishte mbi dy vjeç. Koha që i duhet fëmijës për të mësuar të shkojë vetë në tualet varet nga disa faktorë, ku përcaktues është edhe gjenetika. Nëse prindërit apo pararadhësit e tjerë në familje kanë dashur një kohë të caktuar për këtë proces, kjo gjë mund të trashëgohet edhe tek fëmijët. Gjithashtu është vërejtur se djemve iu duhet më shumë kohë të mësohen me këtë zakon të ri, sesa vajzave. Prindërit duhet shpeshherë t’i marrin fëmijët me vete në tualet, në mënyrë që ata të kuptojnë se ky është një veprim normal i trupit të njeriut.
Si ta përgatisni fëmijën?: Është shumë e rëndësishme që përgatitja të fillojë në një moment kur fëmija gëzon shëndet të plotë, pasi nuk është e këshillueshmë që të përpiqeni t’i tregoni si të shkojë në tualet, ndërkohë që ka probleme me dhëmbët apo temperaturë. Gjithashtu këshillohet periudha e verës, si periudha më e mirë për t’i mësuar bebes tuaj diçka të tillë.
Kohëzgjatja: Në momentin që ju mendoni se tashmë fëmija juaj është gati të shkojë vetëm në tualet, mund të përballeni me situata të pakëndshme, e të ndieni se fëmija është lagur gjatë natës. Mos u shqetësoni!
Si të reagoni ndaj incidenteve: Mos u shqetësoni nëse fëmija rrëzohet, ose ndodh ndonjë tjetër incident. Por ajo që është kryesorja, mos e demoralizoni fëmijën! Këto janë gjëra normale që mund të ndodhin. Mjafton t’i thoni: “Nuk ka problem, do e provojmë sërish më vonë”, ose diçka të ngjashme./Burimi ”përnënat”