Psikoanalisti francez: Ju rrëfej skutat e mendjes së Mbretit Zog

Psikoanalisti francez: Ju rrëfej skutat e mendjes së Mbretit Zog

Një psikanalist i suksesshëm në Francë si Jean Luc Tourenne, në librin e tij “Një mbret në Shqipëri” (Botimet Uegen) zbërthen si askush tjetër karakterin dhe personalitetin e Ahmet Zogut përmes një personazhi misterioz si Kurti, që autori thotë se ka ekzistuar realisht…

Çfarë ju tërhoqi për të marrë në referencë figurën e Mbretit Ahmet Zogu në librin tuaj?

Kur isha i ri, për mua Shqipëria ishte një vend ekzotik dhe i panjohur. Aq më tepër figura e Ahmet Zogut, për të cilin kisha lexuar se ishte një mbret në azil dhe kaq. Në fakt ndodh që gjërat më të rëndësishme të njeriut janë ato që janë larg tij sesa afër, ndaj dhe bëhemi kurioz për gjëra të largëta dhe të panjohura.

Ndaj u keni shkruar bibliotekave të disa vendeve për t’ju dërguar dokumente për ta njohur më mirë?

Kërkimet e para kanë filluar në vitin ‘79-’80, ku rastësisht në një revistë gjeti të publikuar tezën e një studiuesi francez mbi Shqipërinë dhe aty kishte dhe publikime të cilave ai u ishte referuar. Këto publikime fillova t’i kërkoj ku të ishte e mundur, duke i shkruar letra Shoqatës së Arbëresheve, Institutit Italian, Bibliotekës Kombëtare në Francë, Uashington, Mynih etj., madje dhe Bibliotekës Kombëtare në Shqipëri, me specifikë për të njohur historinë e Shqipërisë në përgjithësi dhe jo vetëm kohën e Zogut.

Kur erdhët për herë të parë në vitin 1986 në Shqipëri, arsyeja ishte për të njohur nga afër vendlindjen e Mbretit Zog?

Herën e parë erdha thjesht për të vizituar Shqipërinë, sepse e imagjinoja një vend shumë ekzotik. Por pashë një Shqipëri që vuante, që ishte larg asaj që unë kisha imagjinuar në të vërtetë.

Ju e përshkruani Shqipërinë dhe Zogun deri në detaje, sikur të kishit qëndruar me vite në vendin tonë dhe ta kishit studiuar, ndërkohë që ju keni qëndruar vetëm një javë dhe ishit vetëm 18 vjeç?

Ndoshta unë kam këtë lloj talenti të perceptimit të gjërave të të parit me kujdes të detajeve pa u përfshirë emocionalisht, vetëm për t’i ripërkthyer dhe transkriptuar në një shkrim objektiv ashtu siç i kam parë gjërat. Shumë perceptime dhe ndjenja mbase kanë ardhur nga përshkrimet e autorëve shqiptarë si Ismail Kadare, Teodor Laço etj.

Zogu është një figurë shumë e kontestuar. Pse ndodh kjo sipas jush?

Image result for Jean Luc Tourenne

Kam përshtypjen se kontestimet më të mëdha vijnë nga ‘shpëlarja e trurit’ që i ka bërë komunizmi shqiptarëve për figurën e Zogut. Ndodh dhe për arsye xhelozie, në kuptimin që si një njeri krejt i panjohur bëhet Mbret i gjithë shqiptarëve, ose sepse në një periudhë shumë të vogël kohe ai u bë gjithçka deshi. Ka të tjerë që e kontestojnë për faktin se ai u vetëshpall Mbret, por pjesa më e madhe e mbretërve kështu bëhen.

Është një libër që zbërthen në psikoanalizë mbretin Zog. Ju si autor sa të vështirë e keni patur, duke qenë se njohja juaj me të është vetëm përmes dokumenteve?

Unë kam patur shumë informacion rreth figurës së tij. Bernard Fisher më ka sjellë shumë kaseta ku kishte intervistuar mbretëreshën. Edhe vetë personalisht kam kontaktuar me të për intervistë, por asokohe ajo ishte e moshuar dhe nuk ishte në gjendje të fliste gjatë. Ndaj më mjaftuan informacionet që kisha specifikisht për karakterin e Zogut, që në fakt ishin shumë. Kështu që nuk mund t’i largohesha dot figurës së tij reale. Mbase po të mos kisha patur shumë informacion mund të kisha krijuar një fiction. Sigurisht që informacionet më kanë limituar që libri të mos jetë fiction. Ngjarjet janë reale, por sigurisht që ka situata të krijuara mes personazheve që janë fiction.

Kush është Kurti, personazhi përmes të cilit ju zbërtheni figurën e Mbretit Zog? Është një personazh fiction apo real?

Jo, Kurti ka ekzistuar realisht dhe kam përshtypjen se në jetën reale ai ka qenë shumë më interesant sesa kam mundur të zbuloj unë. Kemi shumë pak informacion që ka mbërritur deri sot për këtë personazh. Ai ishte një oficer austro-hungarez dhe për një kohë u bë një ndër njerëzit më të afërt të Mbretit Zog. Në dokumentet që unë kam gjetur nëpër arkiva mbi këtë personazh, ai rezulton një personazh shumë më interesant sa unë e kam sjellë në këtë libër. Është një lloj personazhi që mund të ekzistojë vetëm në kohë të vështira, siç kanë qenë periudhat para Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj.

Marrëdhënia midis tij dhe Zogut siç paraqitet në libër është fiction sigurisht, por ky njeri në jetën reale ka patur raporte të vërteta me Zogun, e ka njohur, kanë patur shkëmbime, çka vërtetohet në disa dokumente që unë kam gjetur.

Si i keni gjetur këto të dhëna?

Shumë para se të shkruaja këtë libër nxora një njoftim në gazetë ku shkrova: “Kush ka të dhëna për Mbretin Zog të shqiptarëve të më kontaktojë në fiks numër”. Kësaj thirrjeje iu përgjigj një koleksionist, i cili kishte një çantë të madhe me dokumente të Zogut. Mes këtyre dokumenteve ishte dhe një dekret i firmosur nga Mbreti Zog, që Kurtit të vërtetë i kishte dhënë nënshtetësi shqiptare dhe e kishte bërë zëvendës/konsull në Nju Jork. Me siguri raportet e tyre duhet të kenë qenë të ngushta, sepse është dhe një letër ku Mbretëresha Geraldinë falenderon bashkëshorten e Kurtit për dhuratat që ata i kishin sjellë çiftit me rastin e martesës. Të dhënat tregojnë se Kurti do jetë kthyer shumë vite më pas në Hungari dhe unë mendoj se ai është kthyer pikërisht në kohën që në pushtet erdhën komunistët dhe fundi i tij do të ketë qenë tragjik. Por për fundin e tij unë kam thjesht hipoteza, sepse nuk ka mbetur asnjë gjurmë sesi përfundoi Kurti.

Ju keni ardhur për herë të parë në Shqipëri në vitin 1986 dhe riktheheni në 2013-ën. Si ju duket Shqipëria në dy kohë?

Nuk është i njëjti vend. Kur erdha këtu thashë se nuk paskam qenë asnjëherë në Shqipëri, por kam qenë në një vend tjetër që nuk ka lidhje fare në kohë dhe hapësirë me Shqipërinë sot.

Intervistoi: Aida Tuci

Jean Luc Tourenne: Ky është një roman

Ky është një roman. Disa emra janë ndryshuar , të tjerë jo. Faktet historikë dhe pjesa më e madhe e ngjarjeve kanë ndodhur me të vërtetë, ndonjë është fryt i imagjinatës. Dhe një gjë e tillë, besoj, është privilegj i romaneve historikë………kështu shprehet autori. Në faqet e fundit të këtij libri lexuesi e ka të vështirë të besojë se autori nuk ka jetuar gjatë në Shqipëri, aq befasuese janë karakteret dhe rrethanat e vizatuara prej tij. E megjithatë ai ka qëndruar vetëm një javë në vendin tonë, diku në mesin e viteve ’80, por kjo nuk e ka penguar atë  të na japë një vepër që lexohet  me pasion e interes deri në rreshtin e fundit.

/http://www.nacionalalbania.al/

Shpërndaje në: