15 probleme që mund të hasen gjatë shtatzanisë
Gjatë shtatzanisë ndodhin shumë ndryshime, të cilat janë të lidhura me ndryshimin e nivelit të hormoneve. Është detyrë e personelit mjekësor që merret me kujdesin para lindjes, që t’ju sqarojë për këto ndryshime të pritshme të organizmit tuaj, i cili tashmë vihet në dispozicion të fëmijës.
Konstipacioni (kapsllëku)
Rritja e nivelit të progesteronit, i cili është hormoni kryesor i shtatzanisë, ul lëvizshmërinë e zorrëve, gjë e cila favorizon kapsllëkun gjatë shtatzanisë. Një faktor tjetër që ndikon në shfaqjen e konstipacionit është rritja e mitrës, gjë e cila shtyp zorrët, dhe si pasojë për gruan shfaqen problemet. Konstipacioni mund të rritet edhe nga disa trajtime gjatë shtatzanisë, si për shembull nga marrja e hekurit për trajtimin e anemisë.
Këshillat më të mira për këtë rast do të ishin ato që kanë të bëjnë me dietën ushqimore. Dieta e këshilluar duhet të jetë e pasur me perime të gjelbra, e pasur me lëngje dhe komposto kumbullash. Nuk rekomandohen ilaçet e farmacisë të cilat ndihmojnë gruan për defekim. Ju duhet të shtoni ecjet në këmbë, pasi ecja vë në lëvizje muskulturën e zorrëve.
Edemat (fryrjet) e gjymtyrëve
Me rritjen e moshës së shtatzanisë, rritet edhe mitra e cila shtyp enët e mëdha të gjakut të cilat kalojnë nëpërmjet barkut, duke vështirësuar qarkullimin e tij. Kjo shkakton fryrje sidomos tek këmbët, të cilat shfaqen kryesisht në fund të ditës, apo kur qëndroni për një kohë të gjatë në këmbë. Për këtë arsye këshillohet që 3-4 herë gjatë ditës të qëndroni shtrirë ose ulur, me këmbët në nivelin e gjoksit për 15-20 minuta, të kufizoni qendrimet për një kohë të gjatë në këmbë, dhe të mos përdorni veshje të shtrënguara, të cilat pengojnë qarkullimin e gjakut. Gjithashtu këshillohet që gjatë shtatzanisë të flini në krahun e majtë, për të liruar mëlçinë dhe enët e mëdha të gjakut nga shtypja që ushtron mitra gjatë ditës.
Urthi ( djegia e stomakut )
Ky problem shkaktohet si pasojë e kthimit të ushqimit nga stomaku në ezofag. Urthi që shumë gra e perceptojnë si djegje ose dhimbje stomaku, vjen si pasojë e shtypjes së stomakut nga mitra shtatëzanisë. Ai shfaqet në rreth 50% të grave shtatzëna dhe shtohet me rritjen e moshës së shtatzanisë, kur edhe volumi i mitrës rritet. Dhimbjet janë më të shpeshta gjate natës, kryesisht gjatë qëndrimit shtrirë dhe gjatë ditës gjatë përkuljes përpara.
Këshilla më e mirë në këtë rast është që të hani shpesh dhe sasi të vogla ushqimi, të shtoni në dietë qumështin dhe të pini ujë gjatë ngrënies, sepse uji ul aciditetin e stomakut. Nuk këshillohen ushqime të thata dhe pikante si dhe duhet të pakësoni lëngjet e agrumeve ( portokallëve/limonave ), salcat e ndryshme, lëngun e domates dhe të mos pini në asnjë mënyrë duhan. Këshillohet gjithashtu gjatë fjetjes përdorimi i një jastëku të lartë.
Hemorroidet ( majasëlli )
Hemorroidet shfaqen si pasojë e vështirësisë së kthimit të gjakut. Ju duhet të përdorni pomada anti-hemorroidale, të kufizoni qëndrimet e zgjatura në këmbë dhe ecjet e gjata, si edhe të mos përdorni ushqime pikante, sepse ky lloj ushqimi i favorizon hemorroidet.
Ngërçet muskulare të këmbëve
Ngërcet janë të shpeshta gjatë shtatëzanisë. Ato shfaqen si pasojë e mungesës së kalciumit dhe fosforit dhe si pasojë e shtypjes së nervave të fundit të kurrizit.
Ju duhet të shtoni përdorimin e ushqimeve që përmbajnë kalçium dhe fosfor. Ju gjithashtu duhet të merrni tableta kalciumi ( gjithmonë me rekomandimin e mjekut gjinekolog ), marrja e të cilave parandalon edhe prishjen e dhëmbëve gjatë shtatzanisë.
Dhimbjet e kokës
Shtatëzania shoqërohet me ndryshime në qarkullimin e gjakut, gjë e cila ndonjëherë shkakton dhimbje koke. Kur nuk ka shkak tjetër për dhimbjen e kokës, këshillohet qëndrimi shtrirë, veçanërisht në krahun e majtë.
Nëse dhimbja e kokës ka origjinë tjetër si për shembull sinoziti (infeksion i një hapësire tek kockat e kokës, që qëndron mbi kockën e hundës) etj, trajtohet shkaku sipas rastit.
Në çdo rast kur keni dhimbje koke, duhet të masni menjëherë presionin e gjakut, mbasi kjo mund të jetë shenja e parë e tensionit të lartë të shtatëzanisë. Në rast se ky problem përjashtohet, mund të merrni pa frikë një kokërr paracetamoli.
Sekrecionet vaginale
Gjatë shtatëzanisë niveli i lartë i hormoneve, favorizon ndryshimin e aciditetit vaginal dhe si pasjoë shtimin e sekrecioneve vaginale. Duhet të theksojmë se shtatëzania favorizon shfaqjen e një infeksioni mykotik të qafës së mitrës, gjë e cila kërkon trajtim specifik.
Në disa raste sekrecionet vaginale mund të jenë të shtuara, të bardha, pa ngjyrë, nuk kanë erë të keqe dhe nuk shkaktojnë kruarje. Por ka raste të tjera kur të gjitha shenjat që përmendëm më sipër janë të pranishme, dhe në këto raste rekomandohet “mbjellja” e sekrecioneve për të bërë më pas mjekimin sipas shkaktarit, dhe më pas të bëhet marrja e antibiotikut që e lufton atë.
Dhimbjet e mesit
Këto dhimbje janë të zakonshme gjatë shtatzanisë. Shtimi në peshë shkakton një peshë shtesë për kurrizin tuaj. Me zmadhimin e mitrës ndryshon qendja e rëndesës së trupit, gjë e cila ju detyron të kontraktoni muskujt e shpinës për të përballuar peshën e shtuar.
Qëndrimet normale, pa sforcime, i pakësojnë dhimbjet e shpinës. Ju duhet të bëni ushtrime për muskujt e shpinës, në mënyrë që t’i çkontraktoni ato si edhe të kufizoni qëndrimet e gjata në këmbë.
Duhet të kujtojmë që ndonjëherë dhimbjet e shpinës fshehin një infeksion urinar apo një rrezik për abort, prandaj nuk duhen nënvlerësuar. Kur ato vazhdojnë, duhet t’i drejtoheni mjekut specialist gjinekolog.
Të përzierat dhe të vjellat gjatë shtatzanisë
Kjo gjendje shkaktohet nga mungesa e vitaminës B në gjak, ndryshimeve hormonale apo si pasojë e ndryshimit të presionit të gjakut. Këto probleme zakonisht ndodhin më shpesh në shtatzaninë e parë ( kjo nuk do të thotë që nuk shfaqen në shtatzanitë e tjera ), kryesisht gjatë tremujorit të parë të saj.
Të vjellat në më të shumtën e rasteve fillojnë herët në mëngjes, kur stomaku është bosh, por mund të shfaqen edhe në orë të tjera të ditës. Zakonisht zhduken pas muajit së 3-të të shtatzanisë.
Në qoftë se të vjellat do të vazhdojnë pas muajit së 3-të të shtatzanisë, duhet kërkuar për një sëmundje tjetër, si për shembull në stomak, apo fillimin e pre-eklampsisë ( sëmundja e tensionit të lartë të shtatzanisë ).
Ndonjëherë të vjellat janë aq të shpeshta saqë mund të dobësoheni tej mase dhe të humbni lëngje, dhe në këtë rast duhet të drejtoheni tek mjeku specialist gjinekolog. Këshillohet ndryshoni dietën, të bëni ushqyerje të shpeshtë dhe në sasi të pakët, të përdorni bukë të thekur, si edhe të kufizoni ushqimet me shumë yndyrë.
Kruarjet e lëkurës gjatë shtatzanisë
Nëse këto kruarje shafqen pa shenja të tjera, mund të vijnë si pasojë e ndryshimeve që ndodhin në mëlçi dhe tëmth. Ato zhduken menjëherë pas lindjes. Ju duhet të përdorni kremra neutrale për të qetësuar kruarjen, të shtoni në dietën ditore kalcium dhe vitamina si edhe të pakësoni marrjen e yndyrnave dhe dhjamrave.
Urinimi i shpeshtë gjatë shtatzanisë
Mund të shfaqet që në fillim të saj dhe është një problem jo i rrallë i grave shtatzana. Ky problem vjen si pasojë e dobësimit të muskulaturës së rrugëve urinare, në gjysmën e parë të shtatzanisë, dhe si pasojë e shtypjes që bën mitra mbi fshikëzën e urinës, gjatë gjysmës së dytë të saj.
Megjithatë duhet pasur parasysh që urinimi i shpeshtë mund të jetë edhe shenjë e infeksionit urinar, i cili ndodh shpesh gjatë shtatzanisë. Kur vërtetohet infeksioni urinar, nëpërmjet analizave të urinës, ai duhet mjekuar menjëherë, sepse është një ndër shkaqet kryesore të fillimit të aktivitetit të parakohëshëm të lindjes dhe çarjes para kohe të membranave.
Tensioni i ulët gjatë shtatzanisë
Është më i shpeshtë gjatë tremujorit së 3-të të saj, që shfaqet si pasojë e shtypjes që mitra i bën enëve të mëdha të gjakut në bark. Ju duhet të qëndroni shtrirë në krahun e majtë për të shmangur shtypjen dhe si pasojë uljen e tensionit.
Vështirësia në frymëmarrje gjatë shtatzanisë
Fillon në tremujorin e 1-rë, si pasojë e veprimit të progesteronit në qendrën e frymëmarrjes dhe në fund të shtatzanisë që vjen si pasojë e zvogëlimit të hapësirës së kafazit të kraharorit, nga shtyrja lart e diafragmës prej mitrës.
Lodhja dhe pagjumësia gjatë shtatëzanisë
Këto janë probleme të zakonshme për tremujorin e 3-të të shtatzanisë. Lodhja vjen si pasojë e zmadhimit të mitrës me rritjen e moshës së shtatzanisë, gjë e cila nuk ju lejon të bëni gjumë të rehatshëm. Gjithashtu një faktor tjetetër mund të jenë lëvizjet e shpeshta të fëmijës gjatë natës, që mund t’ju zgjojnë nga gjumi, po kështu edhe urinimet e shpeshta, ankthi për lindjen janë faktorë të tjerë që ju prishin gjumin dhe ju shtojnë lodhjen. Ju duhet të dini që këto probleme janë normale gjatë shtatzanisë dhe nuk kanë nevojë për trajtim. Nuk rekomandohet përdorimi i ilaçeve për gjumë, por një gotë çaj ose qumësht i nxehtë para gjumit mund t’ju bëjnë mjaft mirë.
Për të shmangur urinimin e shpeshtë gjatë natës, rekomandohet të mos përdoren lëngje me shumicë para gjumit. Ju duhet të vazhdoni aktivitetin tuaj normal ditor dhe të përdorni disa jastëkë për të fjetur, të cilët ndihmojnë për të gjetur një pozicion më të rehatshëm.
Venat varikoze ( variçet )
Variçet krijohen si pasojë e zgjerimit të venave, dhe hasen më shpesh tek gratë shtatzana, si pasojë e vështirësisë së kthimit të gjakut në zemër. Variçet prekin më shpesh këmbët dhe vulvën ( pjesën e jashtme të organeve genital ). Ju nuk duhet të qëndroni gjatë në këmbë dhe duhet të kujdeseni për peshën, pasi ajo është një ndër faktorët kryesorë që ndikon në shfaqjen e variceve. Variçet mund të pakësohen nga përdorimi i çorapeve të posacme ( gjithmonë me këshillën e mjekut ) si edhe nga gjimnastika.