Luftë me Serbinë: T’i kapim armët!
Kaluan tri javë të plota që nga 6 tetori, dita e zgjedhjeve parlamentare. Edhe më tej nuk janë certifikuar rezultatet por tashmë dihen fituesit dhe humbësit.
Fituese e pakontestueshme ishte fryma anti-korrupsion. Vetëvendosje e Albin Kurtit dhe LDK-ja e Vjosa Osmanit dolën të parat duke dërguar në opozitë partitë e koalicionit PAN.
Por në tjetrën anë, fituese e pakontestueshme është edhe Lista Serbe e cila del se i mori të gjitha ulëset në Kuvendin e Kosovës që janë të rezervuara për komunitetin serb. Kjo parti politike që kontrollohet direkt nga Serbia tashmë ka marrë përfaqësimin e plotë politik nga serbët e Kosovës, të cilët i dhanë një shkelm të fortë mohues procesit të integrimit në shtetin e Kosovës dhe pajtimit me shqiptarët. Politikanët serbë progresivë u përjashtuan të poshtëruar nga skena politike vendore.
Kurti e Osmani kanë promovuar deri tash idenë e reciprocitetit të plotë në raport me Serbinë. Pra, ata kanë thënë se do të shkojnë nja njëqind hapa më tej se para-ardhësi i tyre, Ramush Haradinaj [që kishte vendosur tarifën 100% ndaj mallrave të importuara nga Serbia]. Bile, Kurti deklaroi hapur se do t’i dorëzonte Serbisë një listë të gjatë me kërkesa në mënyrë që Kosova të rifillonte efektivisht bisedimet me Serbinë. E gjithë kjo, derisa ai e pranon se Kosovës i vyen njohja nga Serbia në mënyrë që të bëhet tamam-shtet.
Pra, Kosova jo vetëm që nuk do të bëhet më konstruktive sipas termeve të Brukselit e Washingtonit, por do të shkojë shumë më larg në destruktivitetin e saj patriotik. Albin Kurti kërkon që Kosova jo vetëm të jetë e barabartë me Serbinë, por bile edhe të trajtohet si e privilegjuar për shkak të gjithë asaj që bëri vaki në luftë. Sipas tij, politika e derisotme kosovare ishte qyqare dhe e padijshme. Kaq i thellë është shpjegimi. Kjo gjë, po sipas tij, shpjegon pozicionin e dobësuar negociues të Kosovës në Bruksel, kjo shpjegon rritën e vogël ekonomike, korrupsionin, krimet, pabarazinë, prapambeturinë e çdo gjë tjetër.
E ndërkohë, për Albin Kurtin vetë Albin Kurti është një lider i dijshëm e i guximshëm përtej asaj që mund ta shprehin fjalët. Dhe kjo dije e ky guxim do ta nxjerrë Kosovën nga muti në të cilin ndodhet.
Serbia nuk ka qenë asnjëherë më e fortë brenda Kosovës. Ajo ka arritur të helmojë atmosferën politike te serbët e Kosovës me vrasje, rrahje, sharje e linçime, kushtëzime e shantazhe. Sado e keqe qoftë kjo metodë, rezultoi efektive dhe ata janë të pranishëm brenda institucioneve të vendit tonë. Nëse do të ishim përnjëmend të guximshëm, ne e dimë se çka duhej të bënim: ta shpallnim Listën Serbe si subjekt politik jo-kushtetues dhe t’i ndiqnim penalisht politikanët e saj. Por, s’na e mban. E nuk ia mban as Kurtit, i cili krejt çka mund të bëj është t’i lë jashtë qeverisë së tij këta politikanë, duke i dhënë grusht tjetër të fortë vetes.
Serbia nuk ka qenë asnjëherë më e fortë në raport me Kosovën. Për herë të parë në mënyrë të hapur shtetet tona aleate i kanë mbajtur anën sa i përket tarifës 100%. Për herë të parë ShBA-të i dolën kundër Kosovës duke i bërë shantazhe të hapura kryeministrit të saj.
Për më tepër, me politikën e reciprocitetit të plotë, ShBA-ja mund të ndërrojë radikalisht qëndrimin e saj për vendin tonë duke i hapur rrugë një lufte tjetër shqiptaro-serbe. Fundja, të rryer në punën si policë globalë, ShBA-ja ka dëshmuar se nuk ngurron të çojë vende të ndryshme drejt luftës. Ka dëshmuar po ashtu, para dy javësh, se është e gatshme të tradhtojë për një ditë aleatët e ngushtë.
Veç kësaj, është vetë vizionari Kurti i cili në vitin 2016 thoshte se brenda 5 vitesh kishte më shumë mundësi të ndodhte luftë në Kosovë, se të mos ndodhte. Kishte të drejtë!
Me Serbinë që nuk do të heqë dorë kurrqysh nga pozicioni i saj i privilegjuar negociues në raport me Kosovën, dhe me Kosovën që është kujtuar se duhet të kukas më fortë për t’i bërë thirrje një sensi universal moral, lufta duket si rrugëzgjidhja e vetme.
“Politika është vazhdimi i luftës me mjete tjera” thotë Michel Fouacult gjatë një analize që i bën pushtetit duke përmbysur formulimin e famshëm nga gjenerali prusian von Claussewitz që “lufta ishte vazhdimi i politikës me mjete tjera.” Kjo përmbysje nuk është tautologji sepse parakupton gjendjen e luftës si thelbësore dhe atë të politikës si të nënrenduar.
Por, dështimi i politikës [që është thjesht vazhdim i luftës me mjete tjera] ka çuar vazhdimisht e vazhdimisht e vazhdimisht në një gjë: në ndërrim mjetesh, dmth në kërcim drejt luftës.
Pse shteteve të fuqishme botërore iu duhet zhvillimi i mëtejmë i programeve bërthamore? Ato mund ta shkatërrojnë botën edhe me kapacitetet aktuale. Në fakt, këto kapacitete bërthamore iu vyejnë për t’i forcuar pozicionet e tyre negociuese, pozicionet e tyre gjeostrategjike, për të forcuar pushtetin e tyre dhe të drejtën e tyre. E drejta e e vërteta përcaktohet nga i forti, e bile janë të pandara prej të fortit, pushtetit.
Dhe, në këtë pikë Kurti po ashtu ka program: do t’i ndajë nga 100 milionë euro në vit prej buxhetit të shtetit për FSK-në. Se sa qesharake është kjo na u ilustrua kur në fakt e ndërroi qëndrimin e tij për vetëm një muaj, pasi më 22 gusht thoshte se do t’i ndante nga 150 milionë ose 600 milionë gjithsej, ose 200 milionë më shumë se plani aktual.
E deri në atë pikë, Kosova do të detyrohet të poshtërohet përmes pamjeve si ajo në KQZ kur edhe pse votat e ardhura nga Serbia ishin të paligjshme, edhe pse ato vota i çuan në spital dhjetëra komisionerë të helmuar, edhe pse i bënë të dukeshin si punëtorë të një impianti bërthamor [që mund ta ketë Kosova një ditë me Qeverinë Kurti] komisionerët e rinj, prapë DUHEJ të numëroheshin pa çare.
Por, gjërat do të ndërrojnë. Ne duhet t’i kapim armët e ta bëjmë atë që nuk mund ta bënim në vitin ’99: të çlirohemi vetë! Kjo duket e vetmja rrugë përpara!