Gripi shkakton probleme në zemër
Sezoni i gripit ka filluar në Hemisferën Veriore. Edhe pse është shumë herët, janë raportuar tashmë dy vdekje. Njëri ishte një fëmijë, tjetri i rritur me një sëmundje kronike. Por njerëz në dukje të shëndetshëm gjithashtu mund të vdesin nga gripi.
Ata që ka shumë të ngjarë të vdesin nga gripi janë shumë të rinjtë dhe shumë të moshuarit.
Të tjerët në rrezik janë gratë shtatzëna dhe njerëzit me sëmundje kronike. Por njerëzit në dukje të shëndetshëm gjithashtu vdesin.
Jen Ludwin nuk u shqetësua shumë kur u prek nga gripi. Ajo ishte 23 vjeç dhe e shëndetshme.
“Mendova se do të kaloja shtatë ditë në shtrat dhe do ta luftoja. Por kisha gabuar”, thotë Jen Ludwin.
Organet e saj filluan të dobësoheshin përfshi mushkëritë.
“Tashmë isha në tronditje septike dhe organet e mia po fillonin të dobësoheshin. Mbi të gjitha kisha një sindromë të frymëmarrjes, dhe më pas pata një hemoragji të brendshme. Të gjitha këto komplikacione së bashku çuan në gangrenë në gjymtyrët e mia, dhe kështu u preva këmbën ”.
“Reagimi i trupit ndaj infeksionit është në thelb një përgjigje e madhe inflamatore që mund të shkaktojë të gjitha llojet e problemeve në organe të ndryshme”, thotë Eric Adkins, mjek në qendrën mjekësore Wexner në Ohajo.
Por përse njerëzit e shëndetshëm do të zhvillonin probleme të zemrës si rezultat i gripit? Studiuesit në Kolegjin e Mjekësisë në Universitetin Shtetëror të Ohajos gjetën një lidhje.
“Ne prodhojmë këtë proteinë dhe ajo ndalon që viruset të hyjnë në qelizat tona”.
Jacob Yount dhe ekipi i tij i studiuesve zbuluan se disa njerëz kanë një mutacion gjenetik që bllokon prodhimin e kësaj proteine, dhe pa të, virusi i gripit ka më shumë të ngjarë të infektojë zemrën dhe të çojë në dëmtim të zemrës.
“Në të vërtetë mund të bllokojë qarkun elektrike që udhëton nëpër zemër”.
Ky konstatim mund të ndihmojë mjekët të kujdesen për pacientët me grip në të ardhmen.
“Nëse e di që u mungon gjeni para kohe, atëherë mund ta përshtasësh terapinë mjekësore ndryshe”, thotë Eric Adkins.
Por tani, mbrojtja më e mirë është marrja e një vaksine gripi. Studiuesit thonë se miliona njerëz në të gjithë botën ka të ngjarë të kenë këtë mutacion gjenetik duke përfshirë rreth një të pestën e atyre me origjinë kineze. Tani që shkencëtarët e dinë se çfarë mund të shkaktojë problemin, ata po kërkojnë trajtime që mund të parandalojnë ose mbrojnë këto komplikime të zemrës në të ardhmen./VOA