Irani ia paloi Amerikanëve – Arabia Saudite është një tigër letre me gojë të madhe
Edhe pse rebelët Houthi të Yemenit kanë marrë përgjegjësinë për sulmin e sofistikuar ndaj impianteve të naftës në tokën saudite muajin e kaluar, sulmi me siguri se është bërë nga Irani. Duke mos i lënë Iranit tjetër mundësi veç demonstrimit të forcës ushtarake, presidenti amerikan Donald Trump e ka ekspozuar veten dhe aleatët sauditë si tigra prej letre.
Në Lindjen e Mesme të vjetër, një konflikt i vetëm gjithëpërfshirës – mes Izraelit dhe vendeve arabe – kishte shumë fronte, dhe Perëndimit i takonte e drejta që të mbronte rrjedhën e naftës në ekonominë globale. Në Lindjen e Mesme të re, konflikti definues është i një shkalle më të gjerë mes shumë lojtarëve që kërkojnë supremaci rajonale.
Ky konflikt i ri nisi kur ish presidenti amerikan Barack Obama inicioi tërheqjen e gjerë të ShBA-ve nga rajoni, por u intensifikua nën administratën e Donald Trumpit. Obama, të paktën, kishte një vizion politik për rajonin. Me marrëveshjen nukleare me Iranin në vitin 2015 që parandaloi garën e armëve nukleare, ai shpresonte se lehtësimi i sanksioneve për këtë vend dhe rritja e shpejtë ekonomike do t’i mundësonin Iranit një reintegrim gradual në komunitetin ndërkombëtar në dekadat që do të vinin. Trumpi, në të kundërt, nuk ka strategji, dhe kërkon ta fsheh tërheqjen e Amerikës, së fundi e demonstruar në Siri me tradhtinë e hapur ndaj kurdëve, me një retorikë militare dhe me eksportim masiv të armëve te partnerët amerikanë dhe aleatët e Gjirit.
Sa i përket Arabisë Saudite, shtetit pasanik në rajon, dhe fuqia predominante suite [nëse nuk llogarisim Turqinë], qe moti kohë janë ushqyer ambiciet për hegjemoni rajonale – të paktën në Gjirin Persik dhe në Gadishullin Arabik – dhe e sheh Iranin e shiave si rivalin kryesor. Në vitet e kaluara, Irani dhe Arabia Saudite kanë zhvilluar luftëra shkatërrimtare në Jemen, që rezultuan në humbjen e jetëve të shumë civilëve dhe në katastrofë humanitare.
Por situata ndryshoi muajin e kaluar, kur një sulm gjatë natës që shënjestronte zemrën e industrisë së naftës saudite e zuri në shok ekonominë globale. Disa dronë ia dolën të kalonin në hapësirën ajrore saudite të padetektuar, ku lëshuan me precizitet të lartë bomba mbi instilacionet kyçe të naftës. Mbrojtja ajrore saudite – nëse kishte diçka – dukej se u zu në gjumë, duke sugjeruar se sulmuesit kishin njohje intime të kushteve lokale.
Një sulm mesnate pa paralajmërim ngrit pyetje të qarta. Kush e bëri, dhe si mbetën të padektuar? Rebelët Houthi të Jemenit e morën përgjegjësinë, por ata nuk kanë mundësi të kryejnë sulme të tilla. Marrë parasysh teknologjinë e përdorur dhe logjistikën e përfshirë, i vetmi i dyshuar është Irani, pavarësisht mohimeve të ashpra të qeverisë iraniane. Dhe, në kushtet e motivit dhe interesit, është e qartë se Irani përfitoi më së shumti nga ky sulm.
Arabia Saudite, në fund të fundit, është poshtëruar në sytë e botës dhe është ekspozuar si një tigër letre me gojë të madhe. Si shtesë për dështimin e pamohueshëm të kundër-inteligjencës saudite për të detektuar apo evituar sulmet është edhe fakti i dukshëm se Arabia Saudite do ta humb luftën në Jemen herët a vonë. Në atë pikë, aspiratat hegjemonie do të bëhen një burim edhe më i madh përqeshjeje.
Dhe kështu, në analizën finale, përgjegjësitë për sulmin mbi Arabinë Saudite qëndrojnë me Qassem Suleimanin, gjeneralin që komandon Trupat Revolucionare Islamike. Me këtë sulm, Irani dëshmoi veten se është një fuqi rajonale me teknologji të mahnitshme dhe me aftësi logjistike që nuk mund të hidhen poshtë kollaj. Kjo mund të ndryshojë fondamentalisht njehsimin strategjik në rajon. Të gjitha monarkitë e naftës në anën arabe të Gjirit Persik janë pa dyshim duke rivlerësuar politikën e tyre të jashtme, interesat, dhe aleancat.
Irani po ashtu ka bërë që edhe Trumpi të duket i dobët. Pas refuzimit të tij për t’iu përgjigjur ushtarakisht një sulmi ndaj një aleati, Trumpi largoi nga puna këshilltarin e tij për siguri kombëtare, John Boltonin, një armik i përbetuar i regjimit iranian. Askush nuk duhet të derdhë lot për Boltonin. Por askush nuk mund të thotë as që përzënia e tij nuk ka ftuar atë sulm që të ndodhte.
Diletantizmi i Trumpit në politikën e jashtme – përdorimi i tij i gjuhës bombastike militante për të maskuar mungesën e opsioneve bindëse dhe strategjisë – duket se kanë luajtur rol kyç në situatën aktuale. Vendimi i tij për të braktisur marrëveshjen nukleare me Iranin pa menduar mirë për çka do të pasonte tashmë është dëshmuar se ishte budallallëk tepër i rrezikshëm.
Por ka një dinamikë tjetër që duhet të merret në konsideratë. Pas samitit të G7-s në Biarritz të Francës, në gushtin e kaluar, flitej se mund të zhvillohej një takim mes Trumpit dhe presidentit iranian Hassan Rouhanit. Sulmi mbi impiantin e naftës në Arabi Saudite ndodhi veç disa javë më herët, veç pak kohë pasi të dy liderët ishin në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku mund të jenë takuar. Pyetje, atëherë, është nëse këto sulme ishin rezultat i një lufte pushteti të brendshme mes radikalëve dhe të moderuarve iranianë.
Qyshdo që ishte rasti, me pozicionin e Arabisë Saudite që tashmë po gërryhet, fuqitë ushtarake aktuale të rajonit janë Izraeli dhe Irani. Tashmë, dy vendet duket se po lëvizin drejt një konfrontimi të rrezikshëm. Izraeli është tepër i brengosur rreth kapacitetit të dukshëm të Iranit për të lëshuar sulme precize në distancë të largët me dronët apo raketetat e saj balistike. Dhe nëse kjo nuk ishte veçse një kërcënim domethënës për sigurinë kombëtare të Izraelit, Irani mund të provojë ta furnizojë Hezbollahun apo aleatët e tjerë rajonalë me kapacitete të ngjashme.
Nëse Izraeli do të sulmohej me të njëjtin precizitet dhe sofistikim si Arabia Saudite, Lindja e Mesme do të rrasej në një lufte të një shkalle që nuk është parë deri tash. Për fat të keq [por për fat të mirë për presidentin rus Vladimir Putin], ky është realiteti i botës në të cilën ShBA-të kanë braktisur çdo pretendim për lidership global.
*Artikulli është përkthyer nga PERISKOPI nga faqja origjinale Project-Syndicate. Titulli origjinal ishte “Konfrontimi i rrezikshëm për hegjemoni të re në Lindje të Mesme”. Autori ishte ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe Zëvendës-Kancelar nga viti 1998 e deri më 2005.