Reagim i Periskopit mbi gjuhën rrugaçe të Xhemajl Rexhës
Gjatë ditës së djeshme, gazeta jonë ka bërë një artikull në lidhje me votat e pavlefshme të diasporës, e që dilte se e kalonin shifrën prej 56%.
Nga 29 mijë votues të regjistruar, sipas shifrave të KQZ-së dilte se vetëm 13 mijë kishin mundur/ditur të votonin, kjo edhe për shkak të procedurave të komplikuara të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve [KQZ].
Artikulli në fjalë është titulluar “Diaspora analfabete: Mbi gjysma e votave të tyre dalin të pavlefshme”. Duket se në këtë mes, një pjese të madhe e diasporës dhe apologjetëve të saj iu ka dhimbur fjala “analfabetë” e përdorur nga përgatitësi i tekstit.
Por, në artikullin në fjalë Periskopi megjithatë kërkon nga Qeveria e Re e vendit që të investojë në programe edukative për diasporën, madje edhe në gjuhën shqipe (por jo vetëm) – ashtu siç bëjnë shumë vende të zhvilluara perëndimore me diasporat e tyre.
E vërteta është se një pjesë e madhe e njerëzve nga diaspora jonë ka mbetur krejtësisht e paintegruar në vendet ku jeton, dhe këto programe edukative do t’iu ndihmonin atyre në këtë drejtim. Facebook-u dhe platformat e tjera mediale nuk janë realiteti i vetëm që ekziston.
Sidoqoftë, e kuptojmë se problemi është konkretisht te fjala e përdorur “analfabete”. Kjo fjalë për shkak të përdorimit masiv, madje edhe në politikën tonë, veçse është kriminalizuar në diskursin publik por kjo nuk i bën kriminelë të gjithë njerëzit që nuk dinë shkrim-lexim. Ata që i veshin këtij termi kuptim/damkë politike ose morale, duhet ta gjejnë fajin mes tyre.
Periskopi në fakt ka mendim krejtësisht ndryshe për analfabetët. Një pjesë e madhe e tyre kanë mbetur të tillë për shkak të shkollimit jocilësor ose për shkak të kushteve të tmerrshme socio-ekonomike.
Shkalla e analfabetëve funksionalë brenda vendit tonë është jashtëzakonisht e lartë, dhe kjo shqetëson shumë. Një ndër ta, është pa dyshim edhe Xhemajl Rexha, moderator në Kohavizion – që kishte bërë kronikat nga Likovci e Skënderaji dhe që për të kënaqur perversionin e tij racist kishte thirrur një qytetar nga Malisheva vetëm që ta përqeshte publikisht më pas. Tendenca e tij ishte që t’i portretizonte banorët nga Drenica si katundarë të padijshëm. Shumica e personazheve të këtyre videove janë ankuar për stigmatizimin që iu është bërë – e disa prej të cilave, kishin qenë edhe të dehur gjatë kohës sa ishin filmuar. Një tjetër madje kishte ikur nga vendi i ndjekur bash nga hija raciste e snobiste e Rexhës.
Këto postime ishin shpërndarë e rishpërndarë nga mediat e grupit Koha, pas së cilës fshihet hija e multimilionerit Veton Surroi. Ky i fundit nuk e ka parë të arsyeshme që ta pushojë nga puna Rexhën për këto kronika të turpshme – përkundrazi, ai e ngriti në pozitën e kryeredaktorit të cilën e mban aktualisht.
Xhemajl Rexha i shau në mënyrë primitive gazetarët e Periskopit për artikullin në fjalë. Këtu janë problemet e një sharjeje të tillë:
1.Ai rikthen mendësinë e kanunit me përdorimin e fjalës “rob’t” nga e cila e pësoi shumica e shoqërisë sonë. Po ashtu, një fjalë e tillë lidhet edhe me rendin e tmerrshëm feudal, që ndante njerëzit në mënyrë rigide në skllevër [robër] dhe skllavopronarë.
Në fakt, mendësia e robit vërehet pikërisht te z.Rexha, i cili në mënyrë të përulur i është nënshtruar rrebeve të ‘skllavopronarit’ të tij, Surroit.
2.Ai kolektivizon ‘fajësinë’ duke i sharë të gjithë gazetarët e Periskopit – edhe pse, në gazetën tonë ka njerëz të profileve të ndryshme, bindjeve të ndryshme politike e të sektorëve të ndryshëm që nuk kanë të bëjnë me artikullin në fjalë.
Kjo ilustron në fakt detyrueshmërinë që ekziston brenda KTV-së për punëtorët e saj që të mendojnë të gjithë njësoj si shefi i tyre.
Ky grup medial tashmë ka rënie drastike të shikueshmërisë dhe lexueshmërisë për shkak të joprofesionalitetit. KTV-ja shquhet për anësinë e saj për Lëvizjen Vetëvendosje dhe tashmë edhe për racizmin e promovuar hapur ndaj zonave të caktuara të Kosovës. Po ashtu, portali i tyre Koha.net, në çdo artikull të botuar bën lëshime të tmerrshme drejtshkrimore – gjë që ka irrituar lexuesit.
3.Akti seksual si asimilues karakteri – Një sharje e tillë është jashtëzakonisht seksiste e patriarkale, çka në një vend normal do ta nxirrte për hunde jashtë gazetarin në fjalë. Sharje të tilla janë zgjatime të një mendësie që në mënyrë sistematike ka shkelur të drejtat dhe liritë e shoqërisë sonë, sidomos grave.
Për fund:
Periskopi mund të bëj gabime të ndryshme gjatë postimit të lajmeve shkaku i kapaciteteve të kufizuara në redaksi, por kursehet nga një gjuhë e tillë që do të meritonte denoncim të hapur shoqëror e institucional. Ne i bëjmë thirrje mekanizmave përkatës që të merren me rastin në mënyrë që të ruajmë sferën publike nga rrugaçët ordinerë.