Grace Medina, amerikania që dokumentoi Shqipërinë nëpërmjet kostumeve kombëtare

Grace Medina, amerikania që dokumentoi Shqipërinë nëpërmjet kostumeve kombëtare

Nuk janë të rralla lidhjet e ngushta që krijon një i huaj me vendin tonë. Historia ka treguar që shumë prej atyre që e kanë vizituar tokën tonë, kanë arritur ta eksplorojnë e ta njohin Shqipërinë më shumë sesa vetë ne. Habitemi kur ata zbulojnë një vend para nesh e kur krijojnë një marrëdhënie shumë më të fortë me vendin tonë, kjo sepse sipas tyre, bukuria e kësaj toke është gjithmonë tërheqëse, me peizazhe mahnitëse e me një pozicion gjeografik mjaft të volitshëm. Për ta, Shqipëria është një vend i virgjër, i paprekur, i paeksploruar e që kërkon vazhdimisht të zbulohet nga të gjithë.

Një përqasje e tillë ka ndodhur edhe me fotografen amerikane, Grace Medina, e cila që në momentin e parë që zbriti në tokën tonë ndjeu atë magjinë që të fal një tokë e re, e virgjër e në të njëjtën kohë mjaft joshëse, me plot histori e kulturë të ndryshme nga ç’ishte mësuar më parë. Gjatë dy viteve qëndrim në Shqipëri, ajo u njoh me traditën, zakonet e problemet sociale e mbi të gjitha me njerëz të mrekullueshëm, që gjithmonë e mbështetën dhe e mësuan të jetojë me ritmin tiranas, siç shprehet ajo.

Grace ka lindur në Poloni. Ajo ka jetuar në Amerikë, Meksikë, Shqipëri dhe tashmë është rikthyer përsëri në tokën e premtuar. Për shkak të një jete gjithmonë në lëvizje, e gjeti me vend të njihte njerëz me popullsi ndryshe, të njihte traditat dhe historitë e tyre. Ajo është e specializuar në fotografimin e portreteve të fëmijëve dhe familjeve në jetën e tyre të përditshme. Ka udhëtuar në të gjithë Amerikën, Evropën dhe Meksikën për të dokumentuar njerëzit dhe kulturën e këtyre vendeve. Puna e saj ka tërhequr vëmendjen e shumë medieve si:”Click Magazine”, “National Geographic’s Daily Dozen”, “Dear Photographer”, “Fearless and Framed Blog” dhe “Beauty Revived”. Një nga projektet e saj më të rëndësishme, e cila mban emrin “Erasing the Spaces Between Us” ka qenë në bashkëpunim me organizatën “Terre des Hommes” në Shqipëri. Detyra e saj ka qenë të fotografonte të gjitha familjet shqiptare që kishin emigruar në Gjermani dhe tashmë po riktheheshin në vendlindje. Gjithashtu, ajo është themeluesja e një profili në Instagram Childrenseemagic, në të cilën ajo mbështet dhe promovon të gjithë fotografët e rinj që janë të pasionuar rreth këtij profesioni. Si fotografe profesioniste, ajo nisi të punonte që prej viti 2015, por në fakt, fotografia ka qenë një pasion që në fëmijërinë e saj.

Gjatë qëndrimit të saj dyvjeçar këtu për arsye pune të bashkëshortit, së bashku me dy fëmijët, ajo ka udhëtuar në disa vende, si dhe ka vizituar një pjesë të mirë të qyteteve në Shqipëri. I ka pëlqyer pa fund Valbona e rrethuar nga malet e me një panoramë të mrekullueshme. Ndërkohë, vendi që i ka lënë më shumë mbresa është Qeparoi, fshati në Jug të Shqipërisë, ku shkrihet bukur rëra e bardhë me horizontin blu të detit. Aty gjeti një vend tërheqës dhe autentik me të gjitha elementët e duhura për të bërë foto të mrekullueshme.

Por, mbi të gjitha, ato që e kanë intriguar më shumë kanë qenë kostumet tradicionale të vendeve që ajo ka vizituar. Pikërisht, kjo lidhje e fortë me të shkuarën e nxiti që prej shumë kohësh të mendonte sesi të realizonte një projekt ku në qendër të ishin këto simbole kaq autentike. Iu desh të lexonte më shumë rreth historisë së këtij vendi, të hulumtonte dhe të kuptonte simbolikat e përdorimit të çdo kostumi. Ajo më tregon me hollësi çdo detaj, duke nisur që nga momenti i lindjes së idesë e deri tek çasti final, shkrepja e momenteve kaq magjike. E dashuron çdo foto të realizuar, sepse i duken mjaft natyrale, janë ato që ajo kishte imagjinuar dhe çdo njëra përmban një vlerë të caktuar.

“ Isha me fat që miqtë e mi shqiptarë dhe fqinjët më njohën me Idën, e cila koleksionon këto kostume tradicionale. Pasi ia thashë idenë e fotografive, ramë menjëherë dakord. Për të realizuar këtë projekt e kam pasur kohën të limituar. Do kisha dashur të vazhdoja për të realizuar një projekt akoma më të madh, duke përfshirë edhe kostumet tradicionale mashkullore. Gjithsesi, jam e lumtur që kam dokumentuar kostumet e grave, sepse shumë fotografë të vjetër shqiptarë në fokus të tyre kanë pasur ato mashkullore. “

Qëllimi i saj ishte që fotografitë të ishin sa më autentike, që vajzat të cilat shërbyen si modele të kishin një ndikim te shikuesi. Dhe në fakt ia ka arritur. Po ti shohësh me vëmendje nuk e kupton nëse këto foto janë realizuar tani, apo kohë më parë. Duket sikur i përkasin një bote të largët duke na sjell tradita dhe emocione të asaj periudhe.

Vajzat u shprehën vullnetare për të marrë pjesë në këtë projekt. Ato ishin shqiptare dhe kryesisht studente. Duke më treguar ditën e madhe siç e quan ajo, ditën e setit fotografik, Grace më pyet duke më parë në sy :” Pse rinia e sotme nuk preferon të vishet me veshjet tradicionale ? Janë aq të mrekullueshme, sa është e sigurt që do të bënin modë ! “ shprehet plot emocion.

Ajo kujton se gjatë ditës së fotove është kënaqur shumë me vajzat, ka krijuar miqësi të reja duke kaluar edhe momente gazmore së bashku, sepse iu desh që dhe grimin ta realizonim vetë. Ato kanë një bukuri natyrale dhe fokusi ishte pikërisht te bukuria e tyre dhe tek ajo e kostumeve tradicionale. Mbi të gjitha, ajo është e lumtur që ka arritur të dokumentojë kostume tradicionale kaq të bukura, të cilat mbajnë shumë histori në vetvete. Për të realizuar këtë projekt i është dashur rreth një vit që nga planifikimi i setit, seleksionimi i kostumeve, i gjetjes së vendit ku do të realizoheshin si dhe i vajzave vullnetare, që shërbyen si modele. Më pas erdhi puna e përzgjedhjes dhe e editimit të tyre. U përdorën 20 kostume dhe fotot arritën të mbylleshin brenda një dite, në një familje të vjetër në Krujë.

“ Kur vendosa të fotografoja këto kostume tradicionale kisha një vizion sesi do t’i fotografoja ato. Doja të përçoja ndjesinë që më kanë lënë mjeshtërit më të mëdhenj si Johaness Vermeer ose Rembrandt. Fillova të studioja piktorët dhe fotografët shqiptarë. Zbulova punët e Kolë Idromenos dhe nisa të lexoja rreth Rilindjes Shqiptare. Veprat e tij shërbyen si frymëzim për mua. Shqipëria po kalon shumë periudha tranzicioni tani, ngjan si një rilindje e re. Çfarë doja të kapja është trashëgimia e saj e bukur, që duhet të festohet dhe të ruhet. “

Kultura është mjaft e rëndësishme në punën e saj. Të jesh fotografe duhet të zbulosh kulturat dhe të njohësh popullin dhe traditat, duke u futur në skutat më të thella. Me këtë projekt Grace donte të tregonte historinë shqiptare para të tjerëve, një Shqipëri ndryshe, me historinë e saj dhe me një perspektivë të re. Për të femrat shqiptare janë të bukura, me karakter të fortë dhe që shquhen për krenari. Ndërsa shqiptarët mikpritës, të këndshëm dhe shumë kafedashës./Living

Shpërndaje në: