Fitorja e dy opozitave në Kosovë dhe pikëpyetjet e bashkëjetesës së tyre
Dy fituesit e zgjedhjeve në Kosovë janë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani. I pari përfaqëson një opozitë historike prej nga koha kur organizata “Vetëvendosja” u kthye në parti politike dhe mori pjesë në zgjedhje
Albin Kurti është lideri i saj autoritar, i adhurueshëm në betejën e tij kundër korrupsionit, i qartë në populizmin e tij nacional-komunist dhe i dyshimtë në qëndrimet që ka ndaj vrasjeve politike në Kosovë dhe flirtit me islamin politik.
Suksesi real i Albin Kurtit është beteja kundër korrupsionit dhe besimi që shqiptarët në Kosovë kanë se ai disponon autoritetin e duhur që ta bëj këtë betejë.
Duke besuar tek asketizmi i tij dhe betejat deri tani pa kompromis që ka bërë në këtë fushë, shumë vetë shpresojnë që ai të mos bjerë në hirin e vatrave të ndezura të korrupsionit në Kosovë, duke modifikuar qëndrimet e tij.
Gjatë kësaj fushate ai pati disa shenja përulje dhe përlyerje me administratën e vjetër, kur u shfaq krah Agim Bahtirit në Mitrovicë, kryetarit problematik të komunës, që më parë ka qenë pjesë e partisë së Pacollit dhe Mimoza Kusarit, një ish ministre e qeverive të akuzuara për korrupsion nga vetë Kurti. Por shpresojmë të kenë qenë shenja kompromisi për pak më shumë vota.
Kurti është një lider i mirëedukuar, i lexuar dhe përfaqësues i një brezi revolucionarësh të rinj në Kosovë, që përballuan arsimin paralel duke u vetëedukuar. Në një farë mënyre, ai u rrit bashkë me përpjekjet e Kosovës për t’u shkëputur nga Jugosllavia, e pastaj për t’u bërë shtet i pavarur, edhe pse kurrë nuk pati pranuar proceset që realizoheshin ku ai nuk ishte protagonist.
Ai ishte një prej të rinjve të arrestuar në burgjet e Serbisë gjatë bombardimeve që pati fatin të dilte i gjallë prej tyre dhe më pas nisi një lëvizje radikale kundër përpjekjeve ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës.
Kur NATO hyri në Kosovë, ai kurrë nuk e pranoi si çlirim, por e pa me dyshim.
Kur pavarësia u shpall, ai kurrë nuk e pranoi si pavarësi por si varësi, duke përçmuar dhe flamurin e Kosovës. Kur bisedimet me Serbinë filluan, ai kurrë nuk e pranoi si një proces njohje reciproke, por si regres.
Sot ai ka në qafë gjithë peshën e përgjegjësive të Kosovës dhe papërgjegjësive të tij.
Bisedimet Serbi-Kosovë janë kryetema e SHBA-së dhe Bashkimit Europian dhe nevoja urgjente që Kosova ka për t’u njohur nga kundërshtari i saj. Populizmi i llogaritur keq politikisht i Haradinajt kundër përpjekjeve të SHBA dhe BE për një marrëveshje mes tyre, përmes taksës 100%, dhe legjendave urbane se Thaçi e Vuçiçi do shkëmbenin territore me bekim të Trumpit, ishin një fushatë e suksesshme balte, por që tashmë do t’u kthehet në fytyrë.
Albin Kurti nuk është nga ata që respekton kufijtë e Kosovës. Ai ka ëndërr dhe program politik prishjen e tyre dhe bashkim me Shqipërinë. Unë nuk njoh ndonjë idiot në botë, që t’i thuash dua të bashkohet Kosova me Shqipërinë dhe të mos të kërkojë që serbët e Veriut të Kosovës të bashkohen me Serbinë. Për të mos thënë një reaksion më i madh.
Në këtë pikë, nisja e problemit nga bashkimi me Shqipërinë, është një rrugë shumë më e rrezikshme dhe më e përgjakshme se sa nisja e bisedimeve me garanci ndërkombëtare për njohje reciproke, siç kërkon SHBA dhe BE për të cilën bien dakord dy palët.
SHBA është çliruesja e Kosovës dhe mbrojtësja e sovranitetit të saj, dhe përpjekjet për t’i parë Shtetet e Bashkuara si pushtues të Kosovës, janë të rrezikshme.
Në aspektin politik, Kurti është një lider tipik autoritar ballkanas, një nacionalkomunist që beson tek miti i liderit të fortë, një flirtues me islamin politik më shumë se sa me shoqërinë e hapur, një lider që shkon e përkulet më me qejf, para varrit të Izetbegoviçit në Sarajevë, se sa të respektojë me një tufë lule Ibrahim Rugovën në Prishtinë.
Në përpjekje për të imituar Enver Hoxhën, ai shpesh është edhe Enver, edhe Hoxhë.
Ai u tregua i pamëshirshëm ndaj kritikëve brenda partisë së tij, duke i flakur me një gjyq politik të neveritshëm nga partia dhe duke lënë shijen e bezdisshme që na ka lënë çdo lider autoritar shqiptar nga viti 1990 e më pas.
Nga ana tjetër ai nuk ka pasur kurrë një reflektim ndaj vrasjeve politike në Kosovë, edhe pse për të cilat nuk është përgjegjës pasi në shumicë i kanë bërë segmente të dala nga UÇK.
Por dhe duke mos i pasur përgjegjësi të partisë së vet, ai sërish kurrë nuk e ka bërë kauzë këtë çështje.
Vetëm në këtë fushatë, në përpjekje për të zbutur raportet me LDK, ai bëri një përkujtimore ndaj ish zëdhënësit të Ibrahim Rugovës, Xhemajl Mustafa, të vrarë në vitin 2000 në Kosovë.
Ky është një tregues i kulturës së tij të mangët demokratike dhe deformim që i vjen nga nacionalkomunizmi, i cili tregon se si ai e koncepton kundërshtarin si dikush që edhe mund të flaket dhe të vritet.
Sot, ai është kryeministër i zgjedhur i Kosovës dhe ne duhet të ndjehemi të gëzuar që shqiptarët në Kosovë votuan në shumicë dikë që besojnë, se e lufton korrupsionin, plagën më të rënd të qeverisjes së Kosovës. Ky është suksesi real i Albin Kurtit. Veset e tij, do t’i korrigjoj ose do t’i shtoj pushteti dhe për to mund të paguaj një çmim tjetër.
Vjosa Osmani është fituesja tjetër e madhe e Kosovës, në emër të opozitës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Por Vjosa nuk është fituese në emër të LDK, por fituese në emër të ndryshimit të LDK. Fitorja e saj, zgjimi që ajo u bëri votave të fjetura të LDK, janë një leksion I mire për çdo opozitë të vjetër historike, që ringritja vjen nga hapja rrugë e brezit të ri.
Vjosa i rriti votat e LDK, pasi lidershipi I LDK, i delegoi asaj garën, duke u tërhequr si të pafuqishëm në strofkullën e tyre.
Fitorja e Vjosës erdhi nga ndryshimi i opozitës së LDK dhe jo nga përpjekjet për t’u kapur pas vulës së LDK, siç bën opozita jonë në Shqipëri, që vazhdon të ketë idhull Sali Berishën e të sakrikohet për karrigen e Lulzim Bashës e Monikës.
Fitorja e Vjosës, është leksion se si një opozitë, sado e vjetër të jetë, ngrihet kur ndryshon, dhe jo kur kapet me thonj pas kolltukut të kryetarit.
Vjosa po ashtu ka një edukim të mirë universitar, shkolluar në SHBA, dhe ka reflektuar shpesh qëndrime që tregojnë për një mendje të hapur dhe grua ambicioze. Entuziazmi që ajo ngjalli brenda LDK tregon se ndryshimi funksionoi, se Kosova pranoi të udhëhiqet nga një grua dhe se imazhi i qeverisjes, mund të bëhet I dashur dhe nga fytyra e një gruaje.
Bashkëjetesa e saj e mundshme me Albin Kurtin, nuk është se ka shumë siguri. Janë dy parti diametralisht të kundërta, një pro perëndimore, tjetra skeptike dhe e mbyllur ndaj perëndimit, njëra demokratike , e tjetra autoritare, njëra e djathtë e qendrës, e tjetra e majtë radikale, njëra e hapur ndaj lirive fetare por sekulariste, e tjetra e dyshimtë në raport me ferexhenë, njëra nxitëse e proceseve demokratike në Ballkan, e themeluar qysh në vitin 1989, që nxiti dhe lëvizjen demokratike kundër komunizmit në Shqipëri, e tjetra adhuruese edhe pse jo publike e Enver Hoxhës.
Por të dy janë të dënuar të formojnë një qeveri ndryshimi, pasi ashtu i votoi populli i Kosovës. Shqiptarët në Kosovë votuan një opozitë që ndryshoi dhe një opozitë që kish gjatë që këmbëngulte për të qeverisur. Tani të dyja opozitat duhet të provojnë të bashkëqeverisin, pasi askush nuk ka aq vota sa të qeverisë vetëm.
Nëse funksionon është një shenjë e pjekurisë së shtetit të Kosovës.
Nëse nuk funksionon zgjedhjet e reja, janë ilaçi më i mirë.