Kosova rrezikohet nga fashizmi: Rugova si antidotë
E dimë se kush është përgjegjësi kryesor për keq-qeverisjet e pas-pavarësisë dhe korrupsionin endemik në vend. Mjafton të dëgjojmë përgjimet në atë që u quajt Afera Pronto. Por, na vyen detyrimisht të shtrojmë një pyetje tjetër: kush është përgjegjës për gjuhën e urrejtjes, për sulmin me granatë në Kuvendin e Kosovës, për rrahjet dhe logjikën fashiste të injektuar në sferën tonë publike?
Ishte 10 shkurti i vitit 2007. Vrasjet e aktivistëve të LDK-së ishin ndalur. Kosova kishte pritur me ankth negociatat në Vjenë me një skenë të bashkuar politike. Marti Ahtisaari kishte paraqitur Pakon e tij tetë ditë më herët – dhe kjo e nxiti Lëvizjen Vetëvendosje të organizonte një protestë në të cilën fjalime të zjarrta do të mbanin Albin Kurti dhe Adem Demaçi. Ky i fundit, edhe gjatë kohës sa tensionet PDK-LDK ishin të larta, nuk ngurronte të demonizonte figurën e Ibrahim Rugovës duke i fryer më shumë zjarrit. Në atë ditë, as Kurti e as Demaçi nuk besonin që Kosova do të bëhej e pavarur. Protesta u bë e dhunshme. Policia kriminale rumune kishte qëlluar me plumba gome duke i vrarë dy të rinj, dhe duke i plagosur 80 të tjerë – disa prej të cilëve shumë keq.
Albin Kurti na e injektoi idenë se Kosova mund të faktorizohej. Mund të vetëvendoste. Mund të bindnim ndërkombëtarët kundër negociatave. Vendi u mbush me grafite ku shkruhej “Jo negociata, Vetëvendosje!” Por, negociata të reja pasuan. Një-anshmëria e pavarësisë dhe mos-njohja nga Beogradi ishte problem i madh që duhej zgjidhur.
Dhe kështu, Kurti vazhdoi edhe për pesë-gjashtë vite tjera të ushqente dëshirën për Bashkim Kombëtar dhe për vetëvendosje. Më pas, qeverisja abuzive bëri që pozicioni i tij politik të ndërronte radikalisht. Nga qëndrimi radikalisht anti-negociues, ai u bë denoncues i korrupsionit qeveritar dhe kjo e çoi drejt përpjekjes për forcimin e projektit të internacionalizmit liberal të Kosovës. Nga një kundërshtues negociatash ai u bë kritik i mungesës së negociatave (në T7 deklaroi në mënyrë eksplicite që ishte kundër marrëveshjes pa negociata). Çka u bë me qëndrimet e 10 shkurtit 2007? Në lesh.
Por, skena politike u helmua. Kishim një varg protestash të dhunshme me karakter nacionalist të cilat e tkeqën sferën publike. Patëm dhunë në Kuvendin e Kosovës ku me ndihmën e Policisë së Kosovës u hodh gaz lotsjellës për t’u pamundësuar zhvillimi i seancave. U dhunua edhe kryeministri Isa Mustafa ndaj të cilit u hodhën vezë. Më pas, dikush e gjuajti me granatë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Patëm rrahje në studio televizive. Ndërkohë që rrjetet sociale u bënë hapësirë ku shfrenueshëm derdhej gjuhë e urrejtjes dhe përçmimit.
Në Evropë, partitë e ekstremit të djathtë (far-right) me retorikën e tyre urrejtëse kanë ushqyer armikun e tyre, islamin e dhunshëm radikal. Ekzistenca dhe forcimi i tyre aktual i detyrohet dhunës së islamit. Dhe dhuna e disa radikalëve islamikë i detyrohet retorikës ksenofobe të ekstremistëve të djathtë. Po njëjtë, ndodhi edhe në Kosovë. Qeverisjet e stër-korruptuara përforcuan mllefin qytetar dhe i dhanë rritë metodave fashiste të Vetëvendosjes që pakuptueshëm e mendon veten si të majtë progresive. PDK-ja e lindi Vetëvendosjen. Dhe Vetëvendosje ricikloi në anën tjetër, bash çdo gjë për të cilën shprehej se besonte PDK-ja dikur.
Të gjitha partitë tona politike, me përjashtimin momental LDK-në, janë kapur nga liderët e tyre. Ato nuk iu takojnë qytetarëve të vendit por liderëve që i udhëheqin. Të gjithë do të jenë pjesë e politikës vendore në funksione të ndryshme edhe në dekadat që vijnë – të rrezikuar veç nga Nëna Natyrë.
Helmimi i skenës politike, urrejtja e përçmimi, kanë bërë që këta liderë t’i vjedhin partitë nga qytetarët. Armiqësia e jashtme ka bërë që këta liderë t’i ndrydhin vullnetet kundërshtuese nga brenda. Dhe kësisoj, në vend që partitë t’iu shërbenin qytetarëve duke i mbajtur përgjegjës liderët për shkarjet e tyre, ato vetëm iu japin ledhë dhe justifikojnë veprimet e papërgjegjshme.
Si antidotë kundër këtij helmimi mizor të sferës publike vyen një përkujtim i presidentit Ibrahim Rugova. Rugova njihej për fjalët e matura e të përgjegjshme, për një farë rebelizmi metafizik që njihte kushtet ekzistenciale dhe përfillte përmasën tonë shtetërore. Në periudhën më të egër të historisë sonë politike, pas lufte, ai i rezistoi tundimit për të thelluar armiqësinë me PDK-në.
Kosova është përnjëmend e korruptuar dhe me një skemë prodhimi tepër joefikase, por këto nuk duhet të shërbejnë si arsye për t’i mbajtur të kapura partitë politike, për të injektuar fashizëm e mosdurim, për të shpërndarë pa kursim urrejtje. Kosova ka nevojë për politikanë që japin përgjegjësi. Dhe, askush nuk do të ofrojë përgjegjësi politike deri sa të ndërtojmë parti serioze politike dhe deri sa të kuptojmë mirëfilli themelet e shtetit tonë.
Kosovarocentrizmi është një tjetër vlerë e frymës rugoviane, që u përmend me të drejtë nga Avdullah Hoti i LDK-së. Kosova nuk duhet dhe nuk mund të mendohet si një projekt politik kalimtar sepse kjo në vetvete gjeneron kushtin bazik për korrupsion.
Të mos ushqesh një koncept eternal për shtetin tënd nënkupton t’i çelësh mundësitë për ikje e shpërdorim të tij.
Fundja, asnjëri kandidat për kryeministër nuk ofron alternativë për dialogun me Serbinë: cilin kompromis të dhimbshëm do ta pranonin? Asnjëri nuk premton ulje drastike të papunësisë. Asnjëri nuk zotohet që përmes ndonjë sakrifice kundrejt vetvetes, trupës anëtare partiake, të luftojë nepotizmin. Dhe kjo e bën krejt të papranueshme logjikën neo-fetare që evokon urrejtje e dhunë.
Kosova ka sakrifikuar tepër shumë për liritë dhe të drejtat tona. Për demokracinë tonë. Dhe e cila, po na vidhet para syve tanë.