“Dënimi” i Tahirit: Humbi ligji, fitoi morali
Nëse procesi i Saimir Tahirit shërbeu për të bindur shqiptarët për implikimin e thellë të qeverisë ku ai bënte pjesë me trafikantët e drogës, ai nuk pati aspak vlerë për të ngjallur shpresë se në këtë vend po vendoset drejtësia.
Ky konkluzion, në dukje paradoksal, buron nga mënyra se si u zhvillua gjykimi. Nga njëra anë ai i serviri publikut fakte dhe prova të panumërta për të kuptuar se sundimi i banditëve përjetoi periudhën e tij të artë në kohën e çiftit Rama-Tahiri. Këtë e dëshmoi përmes lidhjes së ish-ministrit të Brendshëm me klanin e kushërinjve të tij Habilaj.
Gjatë këtij procesi ne rikujtuam edhe njëherë se që në vitin 2015, një oficer policie, Dritan Zagani, e denoncoi këtë lidhje. Por, pavarësisht nga kjo ne kuptuam se jetojmë në një vend ku denoncuesi burgoset dhe keqbërësi respektohet. Sikur asgjë të mos kish ndodhur, “ministri më i suksesshëm i qeverisë” jo vetëm që nuk i mbajti nën mbikëqyrje të dyshuarit si trafikantë, por ai vazhdoi të udhëtonte jashtë me ta, t’u besonte njerëzit e afërm të familjes, t’i thërriste për t’i paguar rregullimin e skafit në Korfuz.
Në këtë kuptim, gjykimi i Tahirit ishte i vlefshëm, sepse ai na rishfaqi edhe njëherë sekuencë për sekuencë filmin tashmë të njohur të afërsisë së politikës me krimin. Ai na provoi se sa pranë e pranë ishin simbolet e kanabizimit të Shqipërisë, me njerëzit më të fuqishëm të pushtetit dhe se sa e madhe qe fuqia e propagandës që e etiketonte si makineri balte çdo media që guxonte të fliste për hashashin.
Por, pavarësisht nga kjo fitore e vonuar morale, ajo që ndodhi me prokurorinë dhe gjykatat shqiptare i dha një grusht të fuqishëm optimizmit se drejtësia shqiptare mund të rilindë.
Porsa u bënë publike përgjimet italiane, i pari Edi Rama sulmoi egërsisht prokurorët që kërkuan imunitetin e Tahirit, njësoj siç pati bërë paraardhësi i tij Berisha me Ina Ramën. Mediat shërbëtore të qeverisë iu futën atyre deri në shtrat dhe filluan një gjueti të organizuar shtrigash për t’i intimiduar. Deputetët socialistë refuzuan të votojnë për arrestimin e kolegut ish-ministër duke i dhënë atij kohë të fshehë gjurmët e krimit që mund të gjenin në flagrancë hetuesit.
Nuk kaloi shumë dhe me bekimin euro-amerikan, rilindasit votuan një kamikaze të tyre në krye të prokurorisë, e cila transferoi menjëherë ata që kishin filluar të hetonin dosjen Tahiri.
Askush nga institucioni i akuzës nuk guxoi të pyesë dëshmitarin e parë të kësaj ngjarjeje, Dritan Zaganin, një tjetër dëshmitar, financieri i Habilajve, Neziri, u la të ekstradohej jashtë ligjit drejt Italisë, ndërsa Prokuroria, as në ëndrrat e veta më të çartura, nuk e shpuri nëpërmend që këtë histori kushërinjsh banditë ta shihte si premisën për të hetuar kanabizimin e mbarë vendit.
Dhe kështu, kazusi për të cilën pati vënë bast Donald Lu, ai që mjaft deputetë të Bundestagut e shpallën si kusht për hapjen e negociatave të Shqipërisë, përfundoi në një aktakuzë paçavure, të mbrojtur prej ca prokurorëve dordolecë që ziheshin me njëri-tjetrin për faktet në sallën e gjyqit.
Ata i lanë në derë gjykatës një pretencë butaforike, ku pretendohej ekzistenca e një grupi të strukturuar kriminal, pa dhënë asnjë provë bindëse për këtë.
Dhe tre gjykatësit që u ngujuan me orë të zgjatura në dhomën e këshillimit, nuk gjetën dot zgjidhje më të mirë sesa ta shpallnin fajtor Saimir Tahirin, pa i dhënë atij asnjë ditë burg. Ata firmosën fundin e një procesi farsë që ishte projektuar të degjeneronte si i tillë.
Por, sado dëshpërues të jetë ky përfundim, sado që ai të dëshmojë për paprekshmërinë e “peshqve të mëdhenj”, sado të tregojë se Rilindja është e vendosur të shkatërrojë çdo përpjekje për drejtësi të pavarur, “Procesi Tahiri” nuk ka vetëm anën e tij të errët. Falë tij ne sot dimë se si na gënjyen për vite me radhë dhe se si po të mos kishin qenë përgjimet italiane, do të vazhdonim të jetonim me legjendën e ministrit që luftoi më shumë se kushdo drogën. Falë tij ne kemi sot përgjime, dëshmi, tabulate dhe dokumente të TIMS-it që na tregojnë se si ka qenë krimi i ulur këmbëkryq në majat më të larta të qeverisë. Falë tij ne e dimë të vërtetën, ndonëse drejtësia nuk na ofroi provat e ligjshme për ta vënë atë në vend.
Në këtë kuptim, ndonëse nuk ishte një fitore e ligjit, i gjithë procesi Tahiri qe një ngadhënjim i transparencës. Ai përbën revanshin e të gjithë atyre që u bënë barrikadë, kundër projektit ogurzi të kanabizimit të Shqipërisë.