Për një sistem zgjedhor funksional
Stërkeqja e vazhdueshme
Sistemi zgjedhor i Kosovës në esencë mbetet i pandryshuar qysh nga koha e UNMIK-ut, pra kur është vendosur për këtë me Kornizën Kushtetuese të Kosovës, përjashtimisht bëjnë disa modalitetet të vogla që kanë ndodhur më pastaj rreth këtij sistemi. Është ngritur zëri shumë herë nga njohës të problematikave elektorale se ky sistem prodhon defekte serioze. Po ashtu, disa herë sistemi zgjedhor ka qenë edhe temë e trajtuar nga subjektet politike, mirëpo ka mbetur aty si rezultat i mos gjetjes së një konsensusi mes tyre. Subjekteve të mëdha politike deri më tani ju ka shkuar për shtati mos ndërhyrja në sistemin zgjedhor. Një shembull tipik janë partitë të cilat kanë koncentrik të votës në disa qytetet të caktuara.
Nëse do të ndodhte një ndarje eventuale në disa zona zgjedhore, këto subjekte politike do të humbisnin peshën që kanë votat nga komunat e caktuara, duke pas parasysh ndikimin e tyre në votën e përgjithshme. Subjektet politike të cilat kanë koncentrik të votës në disa komuna të caktuara, si bie fjala në Deçan, Istog, Skenderaj, Malishevë, Podujevë etj., dalja në zgjedhje ka qenë shumë më e lartë në krahasim me mesataren në nivel vendi, ndërsa në mënyrë të vazhduar rezultatet që vijnë nga këto komuna kanë shprehur epërsi bindëse të partive të caktuara politike si AAK-SË, LDK-së, PDK-së dhe Nismës. Votat, përgjithësisht në këto komuna kanë qenë target i dyshimeve dhe kritikave. Në zgjedhjet e fundit lokale në balotazh, ishte Prishtina dhe Istogu ato komuna që u dyshuan për keqpërdorime të votës dhe manipulime, mirëpo KQZ kishte marr një vendim vetëm për rastin e Istogut, ndërsa për rastin e Prishtinës kishte konsideruar votat si valide. Ishte LDK-ja ajo që për vite me radhë ka insistuar që Kosova të ndahet në disa zona zgjedhore, me çfarë sistemi aktual zgjedhor proporcional në nivel vendi, do të ndryshohej në sistem proporcional sipas zonave zgjedhore. Por, janë dy parti që fuqishëm kanë kundërshtuar këtë kërkesë, e këto janë PDK-ja dhe LVV-ja.
A na duhet një sistem proporcional?
Konsiderohet se një sistem proporcional është i domosdoshëm. Nëse një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani, ajo duhet të ndodh nga legjislatura e re e cila do të dal nga zgjedhjet e 6 tetorit. Përparësitë e një sistemi proporcional sipas zonave nuk qëndrojnë vetëm në faktin se do të balanconin ”votat” e dyshimta që vijnë nga komuna të caktuara, por gjithashtu, do të siguronin një përfaqësim të drejtë në Kuvendin e Kosovës, duke marrë parasysh një ekuilibër ndër-rajonal, kurse edhe për deputetët do të kishte më shumë përgjegjësi, për faktin se ata do të ishin bartës të votës të një rajoni të caktuar. Tani ne shohim që kandidatët për deputet, vrapojnë gjithandej Kosovës, për të vjelur ndonjë votë dhe kjo gjë e bënë që deputeti i ardhshëm të mos e ketë bazën e tij elektorale në një rajon të caktuar të vendit, por ai përfaqëson shumë kënd dhe askënd njëkohësisht. Pra, kjo e bënë që deputetët të jenë të zhveshur nga përgjegjësia direkte kundrejt votuesve, përkatësisht qytetarëve. Andaj, kjo përgjegjësi nuk mund të jetë krejtësisht si në sistemet mazhoritare, por gjithsesi do të ishte dukshëm me më shumë përparësi se sistemi i tanishëm zgjedhor. Tradicionalisht në ulëset e Kuvendit të Kosovës nuk ka pasur asnjëherë deputet që vijnë nga komuna të caktuara, gjë që edhe në praktikë ka reflektuar me mosinteresim për fatin e banorëve atje. Një gjë e tillë nuk ndodh vetëm me komunat e vogla, por ndodhë edhe me komuna që konsiderohen të mëdha.
Pragu zgjedhor
Sistemi aktual zgjedhor duket se ka edhe defekte të tjera, defekte këto që i zënë frymën demokracive të brendshme brenda vetë subjekteve politike. Ndërsa një problem i veçantë qëndron edhe në pragun elektoral, i cili aktualisht është 5%, por që si i tillë është në shpërputhje me trendet elektorale në Evropë. Qysh në vitin 2007, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës kishte rekomanduar përmes një rezolute që vendet të mos adaptojnë ligje zgjedhore ku pragu elektoral është mbi 3%. Edhe vetë përvoja politike e Kosovës, ka dëshmuar se pragu aktual 5% është i lartë dhe ngulfat iniciativa të reja. Deri tani së paku dy subjekte politike kanë shuar veprimtarinë e tyre pikërisht nga pamundësia për të qenë prezentë në jetën parlamentare të Kosovës, si partia ORA, po ashtu edhe partia FER. Vetë elektorati i këtyre dy subjekteve më vonë është ndarë, pavarësisht se si për këtë kishin vendosur strukturat e partive. ORA i ishte bashkëngjitur LDK-së, kurse FER i ishte bashkuar Vetëvendosjes. Një fat të ngjashëm, kishte pësuar edhe AKR-ja, por kjo parti vazhdoi aktivitetin e saj, për çka u motivua shtesë pas fitoreve që kishte korrur në Mitrovicë dhe Gjakovë, por, që më pastaj kishte mbetur pjesë e Kuvendit të Kosovës si pjesë e koalicioneve. Si e tillë kishte arritur edhe në zgjedhjet e fundit. Ndërsa, tani PSD, PD, LB dhe Alternativa janë bërë pjesë e koalicioneve parazgjedhore ashtu sikurse edhe AKR, sepse pragu prej 5% mbetet shumë i lartë për të gjitha këto subjekte politike dhe si i tillë lehtësisht do të bënte të pamundur jetën parlamentare të këtyre subjekteve.