E gjeni dot ç’nuk shkon me këto veshje?

E gjeni dot ç’nuk shkon me këto veshje?

E dimë që moda nuk ka rregulla. Në momentin që dikush thotë kjo s’lejohet, dikush e bën dhe e kthen në trend. Le të themi që rregullat nuk janë më në modë.

Sidoqoftë, ekziston një listë me faux pas, me kombinime a veprime që konsiderohen pa shije.

Yjet në këtë artikull kanë bërë diçka që normalisht do të shihej shtrembër, por e kanë bërë kaq këndshëm, sa është mëkat t’i quash faux pas.

Kendall Jenner veshi blu dhe jeshile bashkë, që mesa duket, nuk preferohet.

Sophie Turner veshi shapka me çorape, si të gjithë.

Gigi Hadid veshi një pelerinë për gjigantë. Sipas rregullit, nëse pantallonat a fustani cekin tokën, duhet t’i drejtohemi rrobaqepësit më të afërt, por pse të bëjmë këtë, kur mund të ndihemi si superheronj rrugëve.

Kaia Gerber kombinoi diçka blu me diçka të zezë, gjë që më parë e ka bërë po me kaq hijeshi edhe Meghan Markle.

Karlie Kloss u vesh kokë e këmbë me të njëjtën ngjyrë, që dikur konsiderohej gabim i pafalshëm.

Cara Delevingne ekspozoi reçipetat, që porsi mbathjet, dikur supozohet të ishin të padukshme, të holla si ajri, të heshtura si nata.

Ndërsa Rihanna theksoi dhe njëherë se askujt tjetër nuk i shkojnë kaq shumë syzet e diellit natën.

Shpërndaje në: