Kafeja duhet pirë para apo pas palestrës? Përgjigja e saktë mund t’ju habisë
Sido që ta preferoni, kafeja është e pasur me përfitime shëndetësore të mëdha. Ajo rrit nivelet e energjisë, redukton rrezikun për të rënë në depresion dhe ul shanset për t’u prekur nga diabeti i tipit 2. Meqë jemi tek nivelet e energjisë, shumë prej nesh nuk dalin nga shtëpia ose nuk e nisin punën pa një ose dy filxhanë kafe. Shprehja ‘të pimë njëherë kafenë, të hapim sytë’, shpesh është mantra me të cilën ne nisim ditën.
Nëse mendoni se një seancë në palestër, yoga ose vrapi, nuk do të ishte shumë efektive nëse më parë keni pirë një filxhan kafe të nxehtë, nuk jeni të vetmit. Këtu hyjnë në lojë probleme si dhimbja e stomakut, dridhja e trupit, ankthi dhe efekte të tjera anësore të kafesë. Kafeina është në fund të fundit një simulant që mund të jetë në favorin tuaj gjatë rutinës së stërvitjes, ose kundra saj.
Pra, duhet ta nisim stërvitjen tonë me një filxhan kafeje apo ta pimë atë në fund? Sipas Brittany Michels, nutricioniste, pirja e kafesë para se të nisni rutinën e stërvitjes, është pozitive dhe ofron mjaft përfitime në lidhje me të. Megjithatë, ka disa përjashtime për të cilat do të flasim më poshtë.
Përfitimet e pirjes së kafesë para stërvitjes
Sipas Michels, “konsumimi i kafeinës para stërvitjes mund të përmirësojë metabolizmin tuaj, të largojë përgjumjen, të përmirësojë metabolizmin dhe performancën tuaj atletike. Megjithatë kafeja, është vetëm një burim i kafeinës. Ju mund të zgjidhni atë që përshtatet për ju dhe të zbuloni sasinë e kafeinës që ju përshtatet.
Ka gjithashtu hulumtime që tregojnë se kafeina para stërvitjes mund të nxisë djegien e kalorive deri në disa orë pas stërvitjes. Në përgjithësi, momenti më i mirë për konsumin e kafeinës llogaritet rreth 20 minuta para stërvitjes.
Kush duhet të ketë kujdes?
Sipas Michels, kushdo që ka një ndjeshmëri ndaj kafeinës ose probleme me stomakun, duhet ta nisë me një dozë të vogël të kafesë dhe gradualisht ta rrisë atë. Shenjat që tregojnë se e keni tepruar me të janë: shqetësimet në stomak, të vjellat, rrahjet e shpeshta të zemrës, etj. Disa mendojnë se përfitimet mësipërme i marrin përmes 50-100 mg kafeine, të tjerët në nivelin 300-400 mg, kurse të tjerë nuk vërejnë përfitime.
Po kafeina pas stërvitjes?
Nëse e pini kafenë pas stërvitjes, sigurohuni të vlerësoni nivelet e gjumit dhe stresit në regjimin tuaj ditor. “Është gjithmonë e rëndësishme të theksohet se konsumi i kafeinës para gjumit mund të prishë ciklin tona natyral të gjumit. Nëse keni nevojë për energji ekstra para se të nisni stërvitjen tuaj në darkë, provoni të pini lëng panxhari”, rekomandon Michels.