Ç’është OCD dhe si ta kuptoni që vuani edhe ju

Ç’është OCD dhe si ta kuptoni që vuani edhe ju

Shkruar nga Megi Kociaj, e cila ka mbaruar studimet për Neuroshkencë në King’s College, Londër dhe është themeluese e blogut @BananaDitar. “Studimi i trurit ka ardhur si pasojë e kuriozitetit tim për njeriun, kur është mirë dhe kur nuk është mirë si mund ta zgjidhnim,” tregon ajo për Anabel.

Obsessive compulsive disorder – Çrregullimi obsesiv-kompulsiv 

Unë njoh disa njerëz me OCD dhe më lini t’ju them që janë fantastikë;nga njerëzit më të zgjuar, më të sinqertë dhe të drejtpërdrejtë që kam patur kënaqësinë të takoj. Ndonjëherë nga lufta e vazhdueshme që kanë për të qetësuar dhe ulur xhirot e trurit të tyre, duken të pasjellshëm apo vulgarë.

PËRKUFIZIMI, TREGUESIT DHE SIMPTOMAT

Në anglisht vetë emri shpjegon çrregullimin,por përshtatja mjekësore në shqip l ëpër të dëshiruar. Prandaj si fillim dua ta shpjegoj fjalë për fjalë ç’do të thotë.

Obsessive – të paturit e një mendimi/ndjenje të vazhdueshme dhe pa shkëputje

Compulsive – të paturit e një mendimi/ndjenje që duket e pafrenueshme, e papërmbajtshme

Disorder – Çrregullim

OCD është një çrregullim gjerësisht heterogjen që përbëhet nga një sërë simptomash, prandaj vazhdon të jetë e vështirë studimi dhe diagnoza objektive, pra ajo e mbështetur në skanera të trurit apo teste laboratori, dhe jo ajo gjysmë objektivja nga doktorët me listën e tyre.

Megjithatë kërkuesit kanë gjetur 5 dimensione kryesore:

1. Të ndjerit përgjegjës kur dikush lëndohet; mendimi se është faji juaj apo ju mund ta kishit parandaluar;

2. Të qenurit i/e fiksuar pas simetrisë, rregullit dhe ritualeve në lidhje me numrat;

3. Të qenurit i/e fiksuar pas pastërtisë, larjes dhe ritualeve të pastrimit;

4. Të ndjerit neveri për mendimet tuaja në lidhje me dhunën, seksin dhe fenë;

5. Të mbledhurit e shumë ‘rraqeve’, për t’i patur ose për t’i bërë koleksion.

Është tepër e vështirë për te jetuar me këto ‘fiksimet’ e mësipërme. Për t’u diagnostikuar me OCD nuk mjafton të keni një apo dy nga ato dhe ti përjetoni ndonjëherë. Në vetvete ky çrregullim të ndryshon jetesën plotësisht, të merr kohë ku fiksimet mund të zgjasin 11 orë rresht dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme.

SHKAKU  

1. Gjenetike 

Studimet tregojnë që faktorët gjenetikë janë përgjegjës për 27 deri në 47% të rasteve. Pra, nëse dikush në familje ka OCD, ka shanse që ta kalojë te gjeneratat e ardhshme.

2. Mjedisore 

Pjesa e mbetur, 53 deri ne 73% e rasteve besohet të shkaktohet nga mjedisi. Këto përfshijnë ndryshime të mëdha dhe stresuese në përditshmëri. Mendohet që OCD është progresive në çastin që shfaqet, pra rritet gradualisht me kohën. Prandaj është e rëndësishme të trajtohet sa më shpejt të jetë e mundur kur çrregullimi është më i vogël. Lajmi i mirë është që vetëm 2-3% e njerëzve me OCD e kanë OCD përjetë. Pjesa tjetër mendohet se zbutet me kohën deri në zhdukje.

TRAJTIMET

1. Ilaçet (terapia farmakologjike) 

Mendohet që seratonina, një neurotransmitor njohur dhe si 5-HT, ndikon në OCD. Por njëkohësisht seratonina është e përfshirë në një sërë çrregullimesh të tjera psikologjike dhe ndikon në disa struktura në tru. Megjithëse lidhja midis seratoninës dhe OCD vazhdon të jetë hipotetike, ilaçet në treg sulmojnë pikërisht këtë sistem. Fatkeqësisht ndihmojnë vetëm 1/3 e njerëzve me OCD, tregues tjetër ky që seratonina s’funksionon vetëm.

Ka patur sugjerime për neurotransmitorë të tjerë si për shembull glutamina dhe dopamina. Për momentin ilaçet që targetojnë këto neurotransmitorë dhe sistemet e tyre janë më pak të preferuara nga doktorët dhe pacientët.

2. Terapia psikologjike 

I vetmi trajtim psikologjik që ka patur mbështetje empirike (me prova, jo vetëm teori) është terapia tip CBT me dy kahe: ekspozimin dhe parandalimin e reagimit.

Ekspozimi: kur personi ekspozohet në mënyrë të vazhdueshme për një kohë të gjatë me një stimul që i shkakton ankth apo shtysën për të kryer ritualet fiksuese.

Parandalimi i reagimit: kur personi ndalon veten nga të kryerit e fiksimeve të tij.

Qëllimi i kësaj terapie është t’i bëjë me dije personat me OCD që fiksimet apo ankthi i tyre nuk vazhdon përgjithmonë dhe shmangia e vetëdijshme që përpiqen ti bëjnë fiksimeve të tyre cdo ditë, nuk është e nevojshme.

Të vëna përballë, duket se CBT është më efikase se ilacet kur jepen veç e veç. Nëse jepen bashkë, rritet efekti që kanë për të ulur simptomat.

#KeshillateMegit

Për ju me OCD:

Ndihma e vetes është sugjerimi im parësor për cdo përballje me çrregullime të ngjashme.

Specifikisht për ata me OCD do sugjeroja:

1. Bëjini foto apo video gjithçkaje që ju provokon fiksimet

Për shembull, bëjini foto derës së mbyllur apo sobës së fikur. Kur t’ju kujtohet dera gjatë ditës, shihni foton dhe flitini vetes se është thjesht një fiksim dhe gjithçka është në rregull.

2. Planifikoni një hapësirë kohore për t’u shqetësuar

Kjo mund t’ju duket e çuditshme, por çdo ditë ndani një kohë psh 8.00-8.30 am, ku do t’ja lejoni vetes të mendoni gjithçka që ju vjen pa e shtypur apo gjykuar veten. Kur koha të mbarojë, merrni frymë thellë disa herë dhe rikthejuni rutinës suaj.

3. Relaksohuni

E vështirë, por jo e pamundur. Meditoni, bëni yoga, teknika të thjeshta frymëmarrjeje apo thjeshtë bëni banjo të gjata. Është e rëndësishme të ndihmoni trurin tuaj të “stakohet” për pak aq sa të mundet.

4. Ushqehuni shëndetshëm

Gjatë ditës hani pak dhe shpesh që mos të kini lëvizje të sheqerit në gjak. Veçanërisht çokollatat, kafeina apo alkooli mund t’jua ngrejë menjëherë sheqerin, t’ju rrisë më shumë hiperaktivitetin dhe të sjellë kriza paniku.

5. Bëni aktivitet sportiv

Merruni me një sport apo bëni klasa në palestër që kërkojnë vëmendjen tuaj, p.sh. zumba apo kërcimi, i cili kërkon përqëndrim te hapat dhe muzika duke ju shkëputur nga mendimet tuaja të vazhdueshme.

Shkëputuni nga zakonet tuaja që ju lënë mbrapa. Sado tërheqëse të jetë nostalgjia, jepini vetes luksin që ta rriteni çdo ditë dhe të arrini potencialin tuaj të pafundshëm.

 

Shpërndaje në: