Vepra e Petrit Çekut në garë për çmimin prestigjioz të muzikës klasike
Petrit Çeku, kitaristi kosovar i cili me sensibilitetin dhe ekspresivitetin e tij ka tërhequr vëmendjen e audiencave në mbarë botën, është bërë pjesë e garës për një prej çmimeve më prestigjioze të muzikës klasike. Shkruan sot Koha Ditore.
Incizimi i tij “Bach: The Cello Suites” është nominuar për çmim nga “International Classical Music Awards (ICMA)”, në kategorinë “Baroque Music, Instrumental” (Muzikë instrumentale e barokut). Lajmin për këtë nominim e ka bërë publik studioja muzikore “Eudora Records” ku është bërë incizimi i bashkëpunimit të Çekut me veprat e Bachut të aranzhuara nga violonçelisti Valter Deshpali.
Juria e çmimeve “International Classical Music Awards” ka nominuar 321 audio dhe videoproduksione për çmimet e 2017-s.
Siç është shkruar në ueb faqen zyrtare të garës, juria është duke votuar për të përzgjedhur fituesit, që do të shpallen më 20 janar të vitit të ardhshëm. Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet në ditën e parë të prillit në Leipzig.
/gazetaKNN