Si të përgatisim valixhen e pushimeve pa e mbingarkuar
Jemi në pranverë dhe secili nga ne ka filluar të mendojë për pushimet. Përveç përzgjedhjes së vendit se ku do të shkojmë, një tjetër moment i rëndësishëm është edhe përgatitja e valixhes së udhëtimit. Shpesh merakosemi se çfarë do të marrim me vete dhe a do të kemi hapësirë mjaftueshëm.
Sidomos për vajzat dhe gratë mbetet akoma një çështje e pazgjidhur kur vjen puna për të përgatitur valixhen, pasi zhyten në aksesorë, veshje të shumta dhe krijohet përshtypja që nuk do ketë kurrë hapësirë mjaftueshëm për t’i marrë të gjitha me vete. Po për të mësuar më shumë detaje se si mund të bëjmë gati valixhen e udhëtimit ishte e ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, Teuta Borova, e cila prej vitesh i ka kthyer udhëtimet në një “profesion”.
“Në përgatitjen e valixhes së udhëtimit duhet të kemi parasysh një truk thelbësor siç është higjiena. Ndaj edhe atletet, shapkat apo këpucët mund t’i vendosim në një qeskë prej lecke të cilën e vendosim më pas në valixhe. Rrobat e mbledhura në formë roleje në vend që t’i palosim në mënyrë “tradicionale” është një mënyrë e shkëlqyer jo vetëm për të kursyer hapësirë, por edhe për të parandaluar rrudhosjen e tyre. Duhet të marrim me vete gjërat më të domosdoshme, në mënyrë që edhe vetë të jemi sa më praktikë për të udhëtuar”,tha Teuta Borova.