Lindja cezariane dyfishon rrezikun e komplikacioneve te gratë mbi 35 vjeç
Lindja cezariane është lidhur me një rrezik më të madh për komplikacione të rënda për nënën, krahasuar me lindjen vaginale, sidomos te gratë 35 ose më shumë vjeçe, sipas një studimi të publikuar në “Canadian Medical Association Journal” (CMAJ).
“Mjekët duhet të marrin në konsideratë këtë shtim të rrezikut, kur përcaktojnë mënyrën më të mirë për lindje, në veçanti te nënat me moshë më të madhe”, shpjegon Diane Korb (Spitali “Robert Debre” në Paris), autore kryesore e studimit. Numri i lindjeve cezariane është shtuar në mënyrë të dukshme në këto 20 vitet e fundit dhe sot, më shumë se një grua në pesë, lind në këtë mënyrë, shpesh për arsye klinikisht të diskutueshme.
“Komplikacionet materne pas një operacioni cezarian mund të jenë rezultat i patologjisë që ka çuar drejt lindjes cezariane, më shumë sesa i procedurës kirurgjike, kështu që është e nevojshme të vlerësojmë se cila është lidhja mes lindjes cezariane dhe komplikacioneve materne”, konfirmon Korbi.
Për të arritur në një konkluzion, kërkuesit kanë përdorur një nën kohorte të studimit EPIMOMS, për të krahasuar 1.444 gra që kishin patur komplikacione të rënda pas lindjes, me 3.464 kontrolle që nuk kanë vuajtur nga probleme, në gjashtë rajone franceze. Në analizë, janë marrë parasysh faktorët që mund të ndikojnë te rezultatet dhe janë përjashtuar gratë me patologji paraekzistuese që kishin mundur të shkaktonin komplikacione. Pas kësaj, ekspertët janë përballur me një shtim të mundësive për komplikacione të rënda pas lindjes te gratë që i janë nënshtruar operacionit cezarian, kur ndërhyrja kirurgjikale është bërë para apo gjatë dhimbjeve të lindjes, sidomos për gratë me moshë 35 ose më shumë vjeç. Ndonëse komplikacionet materne të rënda nuk kanë qenë të shpeshta, studimi ka zbuluar se, për gratë nën 35 vjeç, mundësitë për të patur komplikacione të rënda, kanë qenë rreth 1,5 herë më të mëdha me cezarianin sesa ato të grave që kanë patur një lindje vaginale, ndërsa për gratë me moshë më të madhe se 35 vjeç, mundësitë kanë rezultuar thuajse të dyfishuara.
“Disa mjekë bëjnë operacione cezariane për shkak të moshës materne të madhe, ndoshta me idenë se gruaja nuk do të ketë më shtatzëni të tjera. Kjo praktikë duhet modifikuar për të evituar ekspozimin e kotë të grave me moshë më të madhe se 35 vjeç, ndaj rrezikut për morbiditet të rëndë akut”, përfundon Korbi./Doktor33