Kadare njeri i regjimit?
Ka shpërthyer një polemikë e fortë lidhur me librin “Kadare në dokumentat e Pallatit të Endrrave” të Dashnor Kaloçit, botuar nga Mapo lidhur me imazhin që ai do të japë për shkrimtarin më të madh të kohës së komunizmit, Ismail Kadare. Shkak për këtë është bërë 1 nga 101 dokumentat ku përmendet edhe emri i Fatos Lubonjës. Sipas këtij dokumenti hetuesie, pasi e kanë burgosur, pretendohet se Lubonja i paskësh thënë hetuesve se i ati i tij, Todi Lubonja, gjithashtu i burgosur nga Enver Hoxha, e vlersonte Kadarenë “sepse vetëm ai thoshte të vërtetën”.
E parë nga vështrimi i asaj kohe kjo dukej si një thikë me helm që i futej shkrimtarit. Të deponoje në hetuesi se një armik i Enverit e donte shkrimtarin, do të thoshte ti bëje atij dëmin më të madh.
Pikërisht për këtë fakt ka rreaguar edhe Fatos Lubonja, i cili pasi tregon se pse u arrestua, letërsinë anti regjim dhe dokumentat që iu gjetën nga hetuesia thotë: “sipas Kaloçit në dokument shkruhet se unë u paskam thënë hetuesve se im atë çmonte vetëm Kadarenë, pasi vetëm ai thoshte të vërtetën, kurse të tjerët kishin frikë. E vërteta është që im atë në atë kohë çmonte Kadarenë, si më të talentuarin e shkrimtarëve dhe se e kishte mik, por kurrsesi nuk mund të thoshte se ky shkruante të vërtetën. As unë s’mund ta sajoja këtë. Kjo është një fyerje për inteligjencën, edhe të hetuesve madje, pasi çdokush me dy pare mend ishte i vetëdijshëm se askush nuk guxonte të thoshte të vërtetën në atë kohë. Se përndryshe, ç’kuptim kishte që unë shkruaja letërsi sirtarësh po qe se të vërtetën mund ta shkruaje si Kadareja? Prandaj, nëse dokumenti thotë vërtet kështu, atëherë fjala ime është zbardhur në mënyrë të deformuar. Dhe gjëra të tilla duhen pasur parasysh kur kërkojmë të kuptojmë të vërtetën e asaj kohe nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit. Jo më kot në Gjermani, krahas arkivit të STAZ-it, sot ka edhe një arkiv tjetër ku njerëzit që figurojnë në dosjet e STAZ-it janë ftuar të dëshmojnë të vërtetën e tyre. Prandaj dhe Adam Michniku ka thënë se “ne (disidentët polakë F.L.) nuk mund të gjykohemi nga dokumentet që kanë bërë persekutorët tanë për ne”.
Pra sipas Lubonjës dokumentat e librit janë të nxjerra jashtë kontekstit, Qëllimi i tyre është të ndërtojnë portretin e Ismail Kadaresë si një njeri që qe në kundërshti me regjimin e Hoxhës, gjë që nuk qe e vërtetë. Ata shkëpusin dokumente dhe fakte që vetëm përforcojnë këtë tezë. “E bukura në këtë histori është që Kaloçi dhe ata që promovojnë librin e tij, nuk nisen të kërkojë të vërtetën e këtyre dramave. As të evidentojë faktin (sado modest, por për t’u njohur) se në atë kohë paska pasur edhe të rinj që bënin letërsi sirtarësh kundër regjimit, që eksperimentonin forma të tjera nga socrealizmi; që nuk i ngrinin himne Partisë dhe shokut Enver, po shkruanin për varfërinë, mjerimin dhe udhëheqjen “idiote”; as se si regjimi i vriste në një mënyrë apo në një tjetër këta të rinj. Ata i (keq)përdorin drama si kjo për t’u shërbyer gënjeshtrave të një shkrimtari të socrealizmit si Kadareja, i cili, edhe pse në vend të dënimeve dhe ridënimeve me burgje ka njohur vetëm promovime e privilegje e çmime, duke arritur deri të bëhet deputet dhe zv.kryetar i Frontit Demokratik, pretendon se na qenka persekutuar nga Enver Hoxha dhe Sigurimi”.
Por këtyre pretendimeve të Lubonjës i është përgjigjur botuesi i Librit Henri Cili. “Shkurt, me këtë libër kemi dashur t’i japim fund një ideje të krijuar gjatë këtyre 25 viteve sikur Ismail Kadare ishte aty, përbri Enver Hoxhës dhe firmoste bashkë me të dëbimet, internimet dhe pushkatimet. Sigurisht kjo ishte një metaforë e tepruar, por kështu u krijua përshtypja e shumë mjediseve intelektuale. Ne kemi dashur ta tregojmë këtë vërtetë dhe besojmë se ky libër dokument, me 101 dokumente, e jep këtë përgjigje. Nuk e di ku i gjen Fatos Lubonja akuzat për një strategji stimulim manipulimi tonën, kur 101 dokumentet janë botuar të plota, përfshi edhe dëshminë e tij në hetuesi në dënimin e pare”, ka thënë ai.
Por duke lexuar argumentat e Cilit është vështirë të mos i japësh të drejtë Lubonjës. Ky i fundit nuk thotë se ata letra hetuesie nuk ekzistojnë. Ai pretendon gjë tjetër. Ai ngre pyetjen nëse është e majftueshme që vetëm përmes letrave të manipuluara që ka krijuar diktatura, të zbulohet e vërteta. Dhe sipas argumentëve të Lubonjës një pyetje mbetet pa përgjigje: Kur në dokumenta e trejtonte si armik, përse regjimi e ngrinte lart e më larta Kadarenë? Kësaj pikpyetjeje ky libër e ka vështirë ti japë përgjigje. (Lapsi.al)