Ky është personazhi më i ndjekur në Twitter
45-vjeçari, Erik Jarosinski, ish-profesor i letërsisë dhe kulturës gjermane në Universitetin e Pensivalnisë, një ditë vendosi ta braktisë karrierën akademike për t’iu përkushtuar Twitterit, pa qenë kurrë blogerist apo idhtar interneti.
Ai shkruan jashtë çdo skeme, aforizma filozofike, bën humor të zi e hedh batuta therëse për filozofinë, artin, gjuhën e letërsinë duke u shndërruar në një fenomen.
“Po, në thelb kjo është historia ime. Kjo më ndodhi megjithëse nuk e kisha planifikuar që në fillim. Po kaloja një periudhë shumë të vështirë, po shkruaja një libër dhe jepja mësim çka ishte e stërmundimshme për mua. Tuiterin e zbulova rastësish falë një shoku. Ai ma tregoi dhe më pëlqeu fakti që Tuiteri kishte një hapësirë aq të vogël për t’u shprehur. Duhet të shkruash shkurt. Kështu filloi kjo histori që shënoi fundin e karrierës sime akademike, në të mirë a në të keq”, thotë Erik.
Jarosinski ishte autoironik edhe për veten kur u vetëcilësua intelektual i dështuar. Filozofia që e shoqëron prej disa vitesh është e thjeshtë: nëse dështoni, thotë ai, mos u mërzisni. Hiqni dorë dhe merruni me diçka tjetër. S’duhet të ndjekim rrugët që s’janë tonat dhe ai këtë bëri duke zbuluar se arratisja nga jeta akademike ishte tejet çliruese.
“Në situata të tilla braktisni gjithçka dhe bëni çmendurira, nëse gjendeni ne nje moment deshtimi dhe s’keni asgjë për të humbur. Unë për vete s’jam një njeri shumë trim, por ishte çasti kur i thashë vetes: në rregull. Karriera ime akademike mori fund. Ç’e keqe tjetër më e madhe mund të më ndodhë? Duket e lehtë. Për mua është e lehtë sepse kam luksin e të mos pasurit të një familjeje për të ushqyer, s’kam përgjegjësira siç ka pjesa dërrmuese e njerëzve. Por për të tjerët do të ishte më e vështirë, ndaj nuk është diçka që do t’ua rekomandojatë gjithëve ta bënin”, thotë profesori.
“Rrjetet sociale janë shishe pa mesazhe, të mbushura me miq, por jo të vërtetë”, është një nga postimet e famshëm të Jarosinskit. Ai e ka gjetur çelësin e suksesit, ka kuptuar atë që duan ndjekësit e tij, në vetëm 140 karaktere duke e shndërruar filozofinë e Niçes, Marksit apo Adornos në një mënyrë postmoderne komunikimi, sepse sipas tij edhe mendimtarët më të mëdhenj s’duhen marrë kurrë shumë seriozisht.
“Përpiqem të bëj më të mirën e mundshme duke dhënë diçka për vendet që vizitoj, perceptimin që kam për to. Tuiteri për mua është një mënyrë e shpejtë e të menduarit dhe fatmirësisht e të pasurit të mendimeve të reja sepse je gjithmonë në kërkim të fjalëve apo imazheve për t’I vendosur në një kontekst të ri”, shprehet Jaronski.
Erik ndërtoi një alterego online, të trilluar por të suksesshëm, një mendje brilante që s’kish më nevojë të fshihej pas figurës së profesorit që sfilitej për të sajuar shkrime akademike.