Për paqe dhe rehati – sa më herët në shtrat

Për paqe dhe rehati – sa më herët në shtrat

Njerëzit që shkojnë në shtrat vonë dhe flenë më pak kanë më shumë të ngjarë të vuajnë nga ndjenjat e brengosjes dhe emocioneve të tjera negative sesa ata që shkojnë në shtrat më herët dhe flenë më gjatë në një vazhdimësi, kanë konstatuar shkencëtarët nga Universiteti amerikan i Binghamtonit.

Njerëzit vuajnë nga të menduarit e vazhdueshëm negativ kur në koka u ‘sillen’ mendimet shqetësuese dhe pesimiste dhe kur e kanë ndjenjën se nuk mund t’i vënë nën kontroll ndjenjat e tilla.

Personat e tillë gjithashtu shqetësohen shumë për të ardhmen, merren me të kaluarën dhe vuajnë nga mendimet obsesive negative që i shtypin të tjerat.

Mendimet janë shpesh të zakonshme tek njerëzit që vuajnë nga çrregullimi i ankthit ose depresioni i rëndë, sindroma e stresit posttraumatik apo çrregullimi i gjumit.

Hulumtimet e mëparshme i kanë lidhur problemet e gjumit me mendimet e tilla të përsëritura negative.

Shkencëtarët Jacob Nota dhe Meredith Coles vendosën t’i hulumtojnë këto modele dhe konstatuan se ekziston një lidhje në mes të këtyre mendimeve të përsëritura negative dhe kohës kur shkojnë për të fjetur.

Studimi përfshiu 100 të anketuar. Sipas rezultateve të hulumtimit të publikuara në revistën “Cognitive Therapy and Research” shkencëtarët konstatuan se njerëzit që kanë fjetur më pak kohë, ose që shkojnë në shtrat më vonë, vuanin më shpesh nga mendimet e përsëritura negative se të tjerët.

“Sigurimi i gjumit në kohën e duhur mund të jetë një mënyrë e lirë dhe e thjeshtë për ata që vuajnë nga mendimet negative,” tha Nota.

Hulumtimi gjithashtu sugjeron se gjumi me ndërprerje mund të jetë i lidhur me zhvillimin e mendimeve negative. Kështu Nota dhe Coles besojnë se njerëzit që janë të prirë për këtë është e dobishme t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre në sigurimin e gjumit të mjaftueshëm dhe të pandërprerë.

“Nëse studimet e mëtejshme e konfirmojnë lidhjen midis kohës së shkuarjes në shtrat dhe mendimeve negative të përsëritura, kjo një ditë mund të çojë në trajtime të reja të personave me çrregullime të tilla,” thotë Coles.

“Studimet që e hulumtuan lidhjen midis gjumit më të shkurtër dhe fitopatologjisë kanë treguar tashmë se përqendrimi në sigurimin e gjumit në klinikë çon në zbutjen e simptomave psikopatologjike”.

Shpërndaje në: