Gazeta politike amerikane shkruan për të dhunuarat seksuale të Kosovës: Lexoni rrëfimet e tyre
Artikull i marrë nga Politico dhe i përkthyer e përshtatur nga Periskopi
Mijëra gra ishin dhunuar në Kosovë derisa forcat serbe dhe ato shqiptare po luftonin për të marrë kontrollin e këtij territori dy dekada më parë. Lideri serb Sllobodan Millosheviq e përdori dhunimin si një alet të luftës – mësymja e tyre ishte të shkatërronin nderin dhe identitetin e shqiptarëve, sipas disa hulumtuesve dhe aktivistëve. Është një strategji që dhunuesit ia panë hairin. Edhe pse Kosova më vonë e shpalli pavarësinë nga Serbia, lufta vazhdon për të mbijetuarat/mbijetuarit të cilët vuajnë në heshtje.
Turpi dhe stigma në shoqërinë konservatore kosovare ndalin të mbijetuarat/mbijetuarit e dhunës seksuale që të flasin hapur për atë që iu ka bërë vaki. Këta të fundit mbështeten veç te mjekët dhe te aktivistët e pak OJQ-ve në Kosovë që punojnë në këtë drejtim për të rrëfyer përjetimet e tyre, në përpjekjen që të shërohen e të ecin përpara me jetën e tyre. Disa, pasi janë marrë vesh me burrat e tyre, mbajnë heshtjen; të tjerat ndihen se nuk mund të ndajnë rrëfimin as me më të dashurit.
E diela e këtij 24 marsi shënjon 20 vjetorin e fillimit të bombardimeve 78 ditëshe të NATO-s për të hequr forcat e Millosheviqit nga Kosova. Shumica prej krimeve të luftës – përfshirë dhunimet – ndodhën mes marsit dhe qershorit të 1999-s, ndërsa forcat serbe hakmerreshin kundër popullsisë etnike shqiptare në Kosovë. Edhe burrat u dhunuan seksualisht, po ashtu.
Deri më sot, asnjë dhunues nuk është dënuar për dhunimin e kryer gjatë luftës.
Kjo 36 vjeçare është e mbijetuar e dhunimit seksual dhe shihet në pyllin afër shtëpisë së saj ku u rrit në Drenicë, në mes të Kosovës. E mbijetuara në fjalë i kishte vetëm 16 vjet kur u dhunua nga tetë policë serbë në bodrumin e shtëpisë së një të afërmi në prill të 1999-s. Pas përfundimit të luftës, kur i kishte 17, ajo u martua me një burrë shumë më të vjetër, të cilin ia gjetën prindërit, me shpresë se ajo martesë do t’ia lehtësonte dhimbjet. Nuk ndodhi ashtu.
Ajo po e priste me ankth lajmin për statusin e aplikimit të saj për një pension të ri qeveritar të ofruar për të mbijetuarat/mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës. Pensioni i ri qeveritar është 230 Euro në muaj për gjithë pjesën e mbetur të jetës së tyre [që është mbi rrogën mesatare të grave në vend], dhe është pranuar mirë nga të mbijetuarat që jetojnë në varfëri të thellë dhe izolim.
Që t’i plotësojnë kushtet, ato duhet të ofrojnë detaje të sulmit që iu është bërë në një proces të gjatë aplikimi që iu kërkon prova të dhunës, përfshirë vërtetimet mjekësore, shënimet e terapisë, dhe dëshmitarë. Është një proces torturues e agonizues për të mbijetuarat e mbijetuarit nëse duan të pranohen legalisht si viktima civile të luftës. Dhe edhe atëherë, jo të gjitha aplikacionet aprovohen nga komisioni verifikues i qeverisë. Deri në muajin janar, 119 nga 911 aplikacione u refuzuan dhe 190 u pranuan. Vetëm ato që u dhunuan mes 27 shkurtit 1998 dhe 20 janarit 1999 janë të pranueshme që të aplikojnë për pension.
Në muajin shkurt, kjo e mbijetuar mori lajmin se aplikacioni i ishte aprovuar, gati një vit pasi kishte aplikuar.
“Është gati si një ëndërr për mua. Nëse është [ëndërr], nuk dua të zgjohem. Kurrë nuk jam ndjerë më mirë. Edhe pse kurrë nuk do të harroj se nëpër çka kam kaluar, ky është një lajm i mirë. Do të më ndihmojë mua, e posaçërisht fëmijët.”
Sanije Salihu mban fotografinë e vajzës së saj, Vjollcës, që ishte dhunuar e torturuar gjatë luftës. Vjollca u zhduk një natë më 1998 në qytetin e saj në Gjakovë, në perëndim të Kosovës dhe nënës së saj iu deshën disa javë që ta merrte vesh se vajzën ia kishin dërguar në një spital në Beograd. Sanija e ktheu vajzën e saj të paralizuar në Kosovë dhe u kujdes për të derisa ajo vdiq nga lëndimet, përfshirë dëmtimin e kordës spinale, më 2006. Më poshtë, Sanija mban një fotografi të vajzës së saj para luftës.
Dy gra që ishin dhunuar në të njëjtën kohë gjatë luftës mbajnë duart. Ato nuk kërkuan këshillim nga ndonjë OJQ dhe nuk i kanë treguar askujt për dhunimin, përveç burrave të tyre. Ndjesia e turpit dhe stigmës ka ndaluar shumë të mbijetuara që të flasin hapur për atë që iu ka bërë vaki, nga frika se reputacioni i tyre do të shkatërrohej. Në disa raste, gratë dhe vajzat janë dëbuar nga shtëpitë e tyre kur familjet e kuptonin se ato ishin dhunuar.
Luli [jo emri i tij i vërtetë] është një burrë që u dhunua seksualisht dhe që mori trajtim e këshillim nga Qendra për Rehabilitimin e Viktimave në Prishtinë, ku edhe u fotografua. Kjo OJQ është një nga katër të tilla në Kosovë që ndihmon të mbijetuarit e dhunës seksuale. Ai u dhunua nga policët serbë kur ishte veç 21 vjeçar. Pas dhunimit, ai u kthye në shtëpi i përgjakur e i rrahur, e i tha babait se çfarë i kishte ndodhur. Përgjigjja e babait të tij kishte qenë kjo: “Nuk mund t’i themi askujt sepse nderi i familjes do të humbej dhe neve do të na duhej ta linim këtë vend.”
Luli më pas u martua dhe pas disa vitesh vendosi t’i tregonte edhe gruas. Ajo e la menjëherë, të nesërmen. Më pas ai u martua sërish dhe ende nuk i ka treguar gruas së dytë. Luli po ashtu ka aplikuar për pensionin qeveritar, megjithëse këtë e bëri fshehtas.
Vasfije Krasniqi Goodman është e mbijetuara e parë e dhunës seksuale nga lufta e Kosovës që ndau rrëfimin e saj në televizion, pa e fshehur identitetin. Tetorin e kaluar, ajo i tha audiencës në Prishtinë se çfarë i kishte ndodhur 20 vjet më parë kur ishte rrëmbyer e dhunuar nga një zyrtar policor serb, sa ishte veç 16 vjeçare.
Rrëfimi i saj u lëshua në televizionin publik të Kosovës. Goodman tash jeton në Texas me familjen e saj dhe u kthye në atdhe veç sa për të treguar përjetimin e saj. Ajo vazhdon të rrëfejë në mbarë botën si pjesë e “Bëhu Zëri Im” [ang.Be My Voice], një fushatë e nisur qershorin e kaluar në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Kundër Grave nga Qendra për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës. Qëllimi i fushatës ishte ngritja e vetëdijes për luftën kundër paragjykimit dhe në reduktimin e stigmës kundër të mbijetuarve të dhunës seksuale nga lufta. Goodman shpesh ndan të njëjtën platformë me të mbijetuara tjera të dhunës seksuale nga e mbarë bota.