Një person gati vdes pasi përdori shkopinj pambuku për pastrim të veshëve shumë shpesh
Një person në Angli kishte përdorur vazhdimisht shkopinj pambuku për të pastruar veshët. Ai pas një kohë u detyrua të konsultonte një doktor pasi iu shkaktua një infeksion në vesh dhe përjetoi disa simptoma neurologjike.
Ky person filloi të ketë telashe kur një copë pambuku iu bllokua në kanalin e veshit. Kjo mund të tingëllojë si një gjë jo aq serioze, që nuk mund të sjellë pasoja mirëpo për 31 vjeçarin u bë një problem i madh – shkruan Livescience.
Këtij personi iu formua një infeksion i cili së pari filloi nga kanali i veshit, duke u shpërndarë edhe në eshtrat e kafkës. Edhe pse infeksioni nuk preku pjesë të trurit, gjithsesi ai shkaktoi simptoma neurologjike, dhe u dërgua në emergjencë pasi përjetoi një krizë dhe humbje të vetëdijes.
Para se ai të përjetonte krizën përfundimtare, 31 vjeçari kishte përjetuar disa simptoma të hershme të cilat ishin sekrecione dhe dhimbje të veshit të majtë. Gjithashtu ai kishte patur dhimbje të pjesës së majtë të kokës dhe si rezultat kishte filluar të mos i kujtonte emrat e njerëzve.
Pas skanimit të bërë, doktorët vërejtën diçka të pazakontë në veshin e majtë dhe panë një infeksion të pjesës së majtë të trurit. Pacienti iu nënshtrua një ndërhyrje kirurgjike dhe me anë të kësaj procedure mjekët arritën t’ia heqin pambukun nga veshi.
Pacienti vazhdoi trajtimin 2 muaj pas ndërhyrjes me antibiotikë intravenoz dhe oral. Ky pacient këshillon që të shmanget përdorimi i shkopinjve të pambukut për të pastruar veshët sepse në të shumtën e rasteve shkaktojnë probleme.