Zbulohen efektet e konsumimit të duhanit në gjene

Zbulohen efektet e konsumimit të duhanit në gjene

 

Konsumimi i vetëm një pakete me cigare në ditë mund të shpijë në 150 mutacione ekstra në qelizat e mushkërive brenda vitit. Dhe, kjo sjell edhe më shumë dëme në pjesët tjera të trupit, duke shkaktuar një numër të madh të mutacioneve përgjatë organeve tjera, transmeton Telegrafi.

Studimi në fjalë është i pari i cili e tregon hollësisht dëmin i cili shkaktohet nga konsumimi i duhanit në ADN-në tonë. Kësisoj, studimi na ndihmon të mësojmë më shumë rreth llojeve të problemeve që kjo shprehi i shkakton, e ku secili nga këto mutacione mund të shpijë deri te kanceri.

Njëjtë sikurse ato 150 mutacionet e gjetura në mushkëri, shkencëtarët kanë zbuluar se shprehia e një pakete cigare në ditë për një vit prodhon një mesatare prej 97 mutacioneve në secilën qelizë të larinksit, 39 mutacione në farinks, 23 në gojë, 18 në fshikëz dhe gjashtë në mëlçi.

Pirja e duhanit, e cila i merr jetët e të paktën gjashtë miliona njerëzve në vit, është ndërlidhur me të paktën 17 lloje të ndryshme të kancerit.

Kjo sëmundje shkaktohet nga mutacionet – ndryshimet në programimin gjenetik të shkruar në ADN – e cila i shkakton qelizat kanceroze të bëhen të “pavdekshme” dhe të shumohen në mënyrë të pakontrollueshme.

Cigaret përmbajnë më shumë se 7,000 kimikale të ndryshme, prej të cilave 70 njihen si kanceroze.

Pra, me këtë studim, shkencëtarët kanë zbuluar se njerëzit të cilët e konsumojnë një paketë cigare në ditë zhvillojnë një mesatare prej 150 mutacioneve ekstra në mushkëri çdo vit, e cila shpjegon se përse duhanpirësit kanë një rrezik aq të madh të zhvillimit të kancerit në mushkëri.

 

Shpërndaje në: