Flet babai i shoferit të kamionit: Punonte për kafshatë buke, kam dhimbje më shumë se për djalin tem
Sokol Avdijaj, babai i shoferit që shkaktoi aksidentin e rëndë në Gjilan ka folur rreth kësaj ngjarjeje tragjike që ndodhi në pasditen e sotme atje.
Avdijaj thotë se e kanë përjetuar shumë rëndë si familje, përcjell Periskopi.
“Kam dhimbje ma shumë për ta se për djalin temin. Ma kom pas qef familja jem mu kanë në këtë ngjarje se sa ata, rast shumë i rëndë. Ka pasë taksirat, fatëkeqësi se ka bë me qëllim, u kanë tu punu për një kafshat bukë, s’kem pas naj qëllim të keq’’, ka thënë për RTV DUkagjini babai i të arrestuarit.
27 persona të lënduar nga aksidenti i rëndë në Gjilan është bilanci i atyre që po trajtohen aktualisht në Qendrën Spitalore të këtij qyteti. Tre prej tyre në gjendje më të rëndë po qëndrojnë në QKUK të Prishtinës.
Drejtori i Spitalit të Gjilanit, Nisret Hajrullahu ka thënë për Periskopin se 27 të lënduar po mjekohen në spitalin e tyre, ndërkohë që tre prej tyre janë dërguar në QKUK, pasi gjendja e tyre është më e rëndë.
’27 persona kanë kërkuar ndihmë në Spitalin e Gjilanit. Tetë pre tyre janë pranuar në gjendje stabile, por që kanë lëndime të natyrave të ndryshme. Por janë në kontroll.Tre prej tyre po trajtohen në QKUK’’, ka thënë Hajrullahu për Periskopin.
Hajrullahu ka mohuar raportimet se për në QKUK është nisur edhe personi i katërt.
‘Jo, vetëm tre po trajtohen atje’, ka thënë drejtori i Spitalit të Gjilanit.
Në anë tjetër, mjeku kujdestar në QKUK, Naser Syla ka thënë se të lënduarit janë në gjendje të rëndë, megjithatë gjendje e tyre është stabile.
“Po, aktualisht kemi dy pacientë me lëndime të rënda trupore por gjendja e tyre është stabile. Pacientët janë një mashkull dhe një femër, kurse mosha e tyre është mesatare”, ka thënë Syla.
Si pasojë e këtij aksidenti tragjik mbeti i vdekur një person . Ai ishte një pronar furre në Gjilan i cili u godit nga kamioni në shpejtësi të madhe./PERISKOPI/