BE-ja është aleancë politike dhe jo bashkim vlerash
Gjatë gjithë procesit të Brexit, Britania është përpjekur të përçajë 27 shtetet e tjera anëtare të BE-së. Por ka dështuar. Për habinë e autoriteteve në Londër (dhe ndoshta edhe vetë Brukselit), Bashkimi Evropian e ka nderuar emrin që mban – duke qëndruar i bashkuar.
Ky shfaqje e unitetit mbi Brexit, nuk është një aksident apo një rastësi. Përkundrazi, ajo thotë diçka të rëndësishme, përse projekti evropian është shumë më elastik, sesa e mendojnë kritikët e tij. 27 vendet e vogla dhe të mesme që përbëjnë BE-në, kanë një interes të fuqishëm të përbashkët për të mbrojtur tregun e përbashkët evropian.
Ky imperativ strategjik, vetëm sa do të bëhet më i theksuar në një botë të formësuar nga dy superfuqitë – SHBA-ja dhe Kina. Si Uashingtoni dhe Pekini, po përdorin gjithnjë e më shumë tregtinë dhe investimet si armë politike. Si vende individuale, BE27 e dinë se ato mund të joshen nga superfuqitë.
Por, si tregu më i madh ndërkufitar në botë, BE-ja e di se ka një peshë të krahasueshme me Kinën dhe Amerikën, dhe mund të ketë sërish ndikimin e vet. Nëse Amerika vendos tarifa shtesë mbi makinat për prodhuesit evropianë gjatë muajve që do të vijnë, BE-ja mund të kundërpërgjigjet me masa që imponojnë kosto gati të njëjta edhe për SHBA-në.
Bashkimi Evropian po ndërmerr gjithashtu një veprim të unifikuar, kundër transferimit teknologjik të imponuar nga Kina. Dhe ajo i është përgjigjur aneksimit të Krimesë nga Rusia, duke imponuar sanksione që përfshijnë të gjithë tregun e BE-së.
S’ka dyshim se ekzistojnë ndarje të thella brenda BE-së. Polonia është paditur nga Komisioni Evropian për largimin nga parimet demokratike. Italianët dhe francezët, po luftojnë kundër buxheteve dhe kufijve. Hungarezët dhe gjermanët, janë të shqetësuar për refugjatët. Greqia gati u dëbua nga eurozona.
Por ndarjet e brendshme që përçajnë BE27, janë më pak të fuqishme nga presionet e jashtme, që i bëjnë bashkë vendet e unionit. Kjo argument nganjëherë harrohet, madje edhe në Bruksel, sepse BE-së i pëlqen të quhet një bashkim “vlerash”. Megjithatë, ideja që udhëheqësit e BE-së janë të bashkuar nga vlerat e përbashkëta, është gjithnjë e më e vështirë për t’u mbrojtur.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe zv/kryeministri i Italisë, Mateo Salvini, kanë shumë më tepër të përbashkëta me Donald Trumpin në SHBA (ose edhe Vladimir Putinin në Rusi) sesa me Emanuel Makronin ose Angela Merkelin, udhëqësit francezë dhe gjermanë.
Qeveritë italiane, hungareze dhe polake, e dashurojnë retorikën anti-Bruksel, të favorizuar nga euroskeptikët në Britani. Por kjo nuk do të thotë se ata do të shkëputen nga linja e Brukselit në negociatat e Brexit. Ata e kuptojnë se interesat e tyre ekonomike dhe strategjike, shërbehen shumë më mirë duke u mbështetur tek BE27.
Në këtë kuptim, Bashkimi Evropian duket gjithnjë e më shumë si një aleancë e ndërtuar mbi interesat e përbashkëta, sesa një bashkim vlerash. Biseda mbi aleancat, ka tendencë të shkaktojë shqetësime në Bruksel, pasi evokon kohërat e luftërave në Evropë.
Por në shekullin XXI-të, vendet evropiane kanë një interes të qartë për t’u bashkuar me njëri-tjetrin, më shumë sesa kundër njëri-tjetrit, si në të kaluarën. Mendimi për BE-në si një aleancë, sqaron gjithashtu një tjetër çështje të ngatërruar – diskutimet e lirshme mbi një “ushtri evropiane”.
Formimi i një ushtrie të tillë nuk ka të ngjarë të ndodhë, pasi BE-ja nuk është një shtet unitar. Por një aleancë e ngushtë ushtarake, ndoshta me një klauzolë të mbrojtjes së ndërsjellë, duket diçka e realizueshme. Deri në ardhjen e administratës Trump, të folurit mbi një aleancë ushtarake të BE-së, do të dukej si e tepërt ose e rrezikshme – pasi ajo mund të nënvleftësonte NATO-n. Por vënia në pikëpyetje nga zoti Trump i anëtarësimit të SHBA-së në NATO, e bën të kujdesshme vetëm për evropianët të mendojnë më shumë për të garantuar vetë sigurinë e tyre.
BE ka ende një rrugë të gjatë për t’u bërë një superfuqi ushtarake, dhe ndoshta mund të mos bëhet kurrë një e tillë. Por ajo është tashmë një lojtare globale në tregtinë botërore, dhe rregullimin e biznesit. Dhe kjo është diçka e rëndësishme, pasi në epokën bërthamore, superfuqitë kanë më shumë gjasa të luftojnë kundër njëra-tjetrës me mjete ekonomike dhe jo ushtarake.
Komisioni Evropian, është vënë tashmë në ballë të sfidimit të fuqisë monopol të kompanive të mëdha Silicon Valley si Apple, Amazon, Facebook dhe Google. Dhe tani po shqyrton mënyra të reja për policimin e ndërmarrjeve kineze që veprojnë në Evropë. Megjithatë, Kina, në veçanti, është eksperte në prishjen e unitetit të një aleance, duke ofruar nxitje për hallkat më të dobëta të unionit.
Kjo strategji është shfaqur në Nismën e Brezit dhe Rrugës së Pekinit, e cila duket se do të ofrojë projekte veçanërisht joshëse për shtetet e vogla të BE-së në Evropën Lindore. Ato pastaj mund të binden të votojnë kundër politikës së BE-së, që është duke u bërë gjithnjë më e ashpër ndaj Kinës.
Por BE-ja do t’i mbijetojë ndarjes rastësore mbi politikën ndaj Kinës apo SHBA-së. Fakt është se paketa e përfitimeve që ofron BE, nuk mund të përsëritet kurrë nga SHBA apo Kina. Tregu i përbashkët evropian ofron afërsinë, madhësinë, sigurinë ligjore, lirinë e lëvizjes së njerëzve, dhe një votim mbi ligjet dhe rregulloret e reja.
Kjo është arsyeja se përse vendet si Polonia dhe Hungaria – që kanë qejf të ankohen për Brukselin – nuk kanë shumë gjasa të rrezikojnë të largohen nga Bashkimi Evropian. Ka disa njerëz në Varshavë, që parashikojnë se Polonia do të dalë nga BE-ja, në momentin kur do të ndërpriten pagesat bujare të BE-së ndaj vendit. Por realiteti është se edhe kontribuesit neto të buxhetit të BE-së, humbasin shumë nëse largohen. Mjafton të pyesni Britaninë.
“Financial Times” – Bota.al