Kush ishte Idriz Ajeti, 102 vjeçari që harroi të vdiste? Ish kryeakademiku dhe kryetari i Kuvendit
Kosova u zgjua sot me lajmin se një ndër akademikët më të njohur të saj, Idriz Ajeti, kishte vdekur. Ai ishte 102 vjeçar i lindur gjatë kohës së Luftës së Parë Botërore në fshatin Tupallë të ish Mbretërisë së Serbisë, shkruan Periskopi. Ky fshat ndodhet në afërsi të Medvegjës.
Ai ishte albanolog nga Kosova dhe një ndër hulumtuesit më të nderuar të studimeve të gjuhës shqipe të pas Luftës së Dytë Botërore. Për një periudhë të gjatë kohore, Ajeti ishte i përfshirë në jetën akademike të Universitetit të Prishtinës. Ai ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës [ASHAK], duke qenë edhe kryetar i saj për shtatë vite.
Ai përfundoi shkollën fillore në gjuhën serbe në afërsi të fshatit Banja e Sijarinës. Më pas ndoqi edhe Medresën e Shkupit më 1938. Ajeti regjistroi Romanistikën në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Zagrebit, por i përfundoi studimet vetëm pas Luftës së Dytë Botërore më 1949.
Prej ’49-s e deri në vitin ’53 dha mësim për gjuhë shqipe në shkollë të mesme në Prishtinë.
Ai mori pjesë në Kongresin e Ortografisë më 1972 në Tiranë, ku u vendos standardi ortografik i gjuhës shqipe.
Ajeti kishte qenë edhe kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të vitit 1998. /Periskopi