Seksi pas lindjes, pse duhet të flisni me mjekun
Pyetja që kanë në mendje të gjithë prindërit e rinj pas lindjes së fëmijës është se kur do të jenë sërish gati apo si do të jetë marrëdhënia seksuale?
Një studim i kohëve të fundit i publikuar në revistën Kulturë, Shëndetësi dhe Seksualitet dokumentonte të mirat dhe të këqijat e përvojave seksuale të paslindjes së grave dhe shpreson të edukojë nënat e reja. Më e rëndësishmja, u bën thirrje mjekëve që të jenë sa më transparentë kur diskutojnë për seksin me prindërit e rinj dhe prindërit t’u drejtohen mjekut të tyre për ndonjë udhëzim gjatë rrugës.
Shumica e ekspertëve thonë se duhet të presin të paktën katër deri gjashtë javë që të kenë marrëdhënie seksuale pas lindjes së fëmijës, por shpesh çifteve u duhet shumë më gjatë. Ka shumë arsye – fizikisht, emocionalisht dhe mendërisht – pse gratë kanë nevojë për kohë për tu shëruar para seksit, por shpesh nuk janë në dijeni të gjithë kësaj.
Pas lindjes vaginale, mjekët thonë se duhet të presin derisa qafa e mitrës, episiotomia apo çdo ndërhyrje tjetër të jetë shëruar plotësisht dhe të mos ketë më gjakderdhje. Mjeku juaj është në gjendje që tua thotë këtë në takimin e programuar gjashtë javë pas lindjes, por sipas studimit 40% e grave e anashkalojnë këtë kontroll.
Ndërkohë që disa gra i përqafojnë plotësisht trupat e tyre pas foshnjës, disa të tjera duan pak kohë të përshtaten me ndryshimet dhe kjo luan rol në gjendjen e tyre psikologjike e për rrjedhojë në mungesën e dëshirës për marrëdhënie seksuale.
E vetmja mënyra për t’u ndjerë e sigurt para se të kryeni marrëdhënie për herë të parë pasi jeni bërë prind, është të flisni hapur me mjekun tuaj.