Portreti i Shën Terezës për rekordin e dhjetë Guinness realizohet në Prishtinë [foto]
“E di që do të jetë kryevepër”, ka thënë me bindje të mërkurën, artisti i nëntë rekordeve të Guinnessit. Me pantallona të kuqe, një bluzë që tregon se është njeri i rekordeve botërore, Strati nuk zbret fare nga shkallët që i shërbejnë për të punuar. Tashmë i ka bërë hapat e parë në veprën me të cilën synon të hyjë për të dhjetën herë në librin e rekordeve botërore “Guinness”. Këtë do ta bëjë me portretin e Shën Terezës në Muzeun e Kosovës. Ideja e tij për portretin dhe ftesa e drejtorit të Muzeut, Skender Boshtrakaj, kanë bërë që në institucionin më të lartë muzeor në Kosovë të nisë puna për një ngjarje të rëndësisë globale. Pasi e ka vizatuar portretin, tashmë ka nisur t’i japë formë me kopsa teli. Do të përdorën rreth 1.5 milion sosh. Simbolikat e veprës janë të shumëfishta. E Strati ka zbërthyer disa prej tyre në ditën e parë të punës.
“Nga 1 deri më 30 nëntor është afati i përfundimit. Deri me datën 28 planifikoj ta përfundoj e pastaj bëhen procedurat e matjes dhe përcillet informacioni. Ne gjatë gjithë kohës do të përcjellim informatat për në Londër”, ka thënë artisti i cili mban listë të gjatë rekordesh.
Sa i përket projektit të ri ka thënë se mbështetja deri më tani i është ofruar nga Muzeu i Kosovës.
“Materiali ku kapen kopsat është dru me një strukturë të përforcuar. Duhet të përdoret vetëm një material. Kjo quhet ‘Struktura më e madhe në botë e realizuar me kopsa teli’”, ka thënë ai.
“Ky është guri im në shtëpinë time. Ajo ka punuar gjithë jetën e unë do të punoj 30 ditë. Të gjithë nga ne duhet të japin sadopak. E kjo është ajo që unë po bëj për Kosovën. Një rekord botëror për Kosovën”, ka thënë Strati.
Boshtrakaj ka thënë se me Stratin ndan dy gjëra të përbashkëta, profesionin e artistit dhe flokët e gjatë. E treta tashmë është marrëveshja që Muzeu i Kosovës të jetë pjesë e hartës botërore si vend ku është thyer rekordi i Guinnessit./Koha