Përgjigjen psikologët: A duhet t’ua tregoni fëmijëve të vërtetën për Babadimrin

Përgjigjen psikologët: A duhet t’ua tregoni fëmijëve të vërtetën për Babadimrin

Përderisa shumica e njerëzve pajtohen se është gjë e keqe t’i gënjeni fëmijët, shumica e prindërve bëjnë përjashtime te çështja e Babadimrit – filantropi me mjekër të bardhë i cili është prezent në festat e fundvitit.

Normalisht, jo gjithkush është adhurues i kësaj tradite – disa e kundërshtojnë mitin e Babadimrit për shkak të bindjeve fetare, disa tjerë i frikësohen ditës kur fëmijët e kuptojnë të vërtetën, etj.

Por, çfarë efekti në të vërtetë ka çështja e Babadimrit te fëmijët dhe zhvillimi i tyre? A është më mirë t’ua tregojmë të vërtetën apo t’i gëzojmë me gënjeshtra?

Le të shohim çfarë thotë shkenca!

Argumentet që thonë se duhet t’ua tregoni të vërtetën sa më parë

Një nga brengat më të zakonshme është se nëse prindërit e gënjejnë fëmijën, ky i fundit mund ta humb besimin te prindërit.

Ndonëse çështja e humbjes së besimit është diçka që mund të ndodh, ekspertët thonë se prapëseprapë mbetet diçka që mund të menaxhohet. Për shembull, kur fëmija fillon ta vë në pyetje ekzistencën e Babadimrit, ju mund të bëni një bisedë të sinqertë dhe t’i tregoni se përse e keni mbështetur në këtë besim – duke e theksuar kënaqësinë që e ka përjetuar dhe dhuratat e marra.

Një tjetër problem potencial është se inkurajimi i fëmijëve në besimin e Babadimrit mund t’ua vështirësojë fëmijëve dallimin mes fantazisë dhe realitetin – gjë e cila me shumë mundësi mund ta ngadalësojë zhvillimin e tyre kognitiv.

Por, hulumtimet sugjerojnë se aftësia për ta ndarë faktin nga trillimi fillon në fëmijërinë e hershme dhe rritet me moshën. Në fakt disa studime sugjerojnë se fëmijët me jetë të pasur me fantazi mund të jenë shumë më të aftë në identifikimin e dallimeve mes fantazisë dhe realitetin.

Argumentet që thonë se duhet ta lini fëmijën të besojë në Babadimër

Janë dy argumente kryesore se përse duhet ta lini fëmijën të besojë në Babadimër.

Njëri argument është kënaqësia që e marrin nga ideja e një plaku zemërgjerë me mjekër të madhe dhe një çantë të mbushur me dhurata.

Argumenti tjetër është se fëmijët bëhen më të sjellshëm sepse mendojnë që duke vepruar ashtu ata do të sigurojnë shpërblime të mira.

Sidoqoftë, çdo përfitim afatshkurtër që e marrin fëmijët nga miti i Babadimrit zhduket kur ata ndalojnë së besuari në të.

Shpërndaje në: