Pasojat në shëndet që lë nafta po i kushtojnë Evropës 70 miliardë euro në vit
Sipas një raporti të ri, ndotja e ajrit si pasojë e qarkullimit të veturave është duke shkaktuar humbje prej të paktën 70 miliardë eurosh për çdo vit në sistemet shëndetësore të Bashkimit Evropian. Vlerësohet se tri të katërtat e kësaj humbjeje janë të shkaktuara nga tymi i naftës.
Ky hulumtim u krye nga Aleanca Evropiane për Shëndet Publik, ndërsa u zbulua se shumica e kësaj shume mbulohet nga taksapaguesit, përmes shërbimeve të financuara nga qeveritë. Sidoqoftë, në raport është parashikuar se kjo humbje mund të ulet deri në 80%, në rast se ndërmerren disa masa ambicioze.
Lirimi i gazrave nga djegia e naftës ka qenë temë shumë e diskutuar që nga viti 2015, kur prodhuesi gjerman i veturave, “Volkswagen”, ishte zënë duke mashtruar për sasinë e lirimit të gazrave. Pothuajse të gjitha veturat e këtij prodhuesi lëshonin më shumë gazra sesa ishte deklaruar zyrtarisht. Një kërkim shkencor kishte dëshmuar se rreth 38 mijë njerëz vdesin çdo vit nga sasia e madhe e gazrave të veturave.
Në Britani të Madhe, shumica e zonave urbane kanë nivele më të larta të ndotjes së ajrit sesa ato që lejohen me ligj. Dëmët u llogaritën duke e matur sasinë e lirimit të gazrave nga veturat në 28 vendet e Bashkimit Evropian dhe shpenzimet në sistemin shëndetësor, pa anashkaluar as vdekjet e parakohshme. Vetëm në Britani të Madhe, vlerësohet së dëmi vjetor nga ndotja e ajrit është rreth 20 miliardë funte, shkruan “The Guardian”,