Arsyet pse punëtorët e talentuar lënë punën

Arsyet pse punëtorët e talentuar lënë punën

Shpesh dëgjojmë menaxherë e drejtues të ankohen për numrin e punëtorëve të kualifikuar e frytdhënës që largohen nga puna. Dhe drejtuesit priren t’ua hedhin fajin arsyeve të tilla si: paga, zënkat etj. Por ajo që nuk analizojnë janë shkaqet e vërteta, shkaqe të cilat do t’i analizojmë ne:

Njerëzit më punëtorë detyrohen të punojnë më shumë se të tjerët

Asgjë nuk e bën një punëtor të dedikuar dhe produktiv të heqë dorë nga puna sesa një ngarkesë e tepruar. Në fakt, mbingarkesa është një “kurth” për drejtuesit, të cilët priren të shfrytëzojnë punëtorët e tyre më të mirë për të arritur fitime sa më të larta, por harrojnë që tërë kjo ngarkesë do të rezultojë me pasoja negative. Ekspertët hedhin poshtë teorinë se puna me orar të zgjatur apo ngarkesa në punë shton fitimet. Ata thonë se rritja e orarit të punës nga 50 në 55 orë ul ndjeshëm produktivitetin në punë.

Nëse vendosni të shtoni punën e punonjësve të talentuar dhe atyre që kanë produktivitet, atëherë sigurohuni që t’i shpërbleni për këtë shtesë me një rritje page apo rritje statusi. Nëse nuk e bëni këtë atëherë është e sigurt që punonjësi juaj do të kërkojë një vend tjetër pune, që do ta bëjë të ndihet më mirë.

  1. Punonjësve nuk u njihet kontributi dhe nuk shpërblehen për punën e mirë

Është e lehtë të nënvlerësosh një punëtor që, edhe pse punon, nuk ka ankesa. Por një drejtues i mirë duhet të dijë që të gjithë i pëlqejnë vlerësimet dhe prestigjet. Ata duhet të komunikojnë me punonjësit e tyre, sidomos me ata që e distancojnë veten nga të tjerët me anë të punës së tyre, rreth asaj ç’ka i bën të ndihen mirë dhe pse jo, t’i shpërblejnë për një punë të kryer mirë.

  1. Drejtuesve nuk u interesojnë punonjësit

Gjysma e personave që lënë punën, e bëjnë për shkak të marrëdhënies së tyre me drejtuesin.  Shumë kompani aplikojnë politika specifike për të qenë më afër punonjësit. Këto kompani drejtohen nga shefa, të cilët festojnë suksesin e punëtorëve, rrinë afër tyre në kohë të vështira dhe i përkrahin gjithmonë vartësit e tyre. Drejtues, të cilët dështojnë në përkujdesin e punëtorëve  do të dështojnë herët apo vonë edhe në aktivitetin e tyre. Të punosh për më shumë se 8 orë për dikë që, fundja, i intereson vetëm produktiviteti yt, nuk është aq e lehtë.

  1. Drejtuesit punësojnë dhe reklamojnë njerëzit e gabuar

Punëtorët e devotshëm dhe produktivë duan të punojnë vetëm me persona të përkushtuar ndaj punës, por kur drejtuesit punësojnë persona më pak punëtorë e të dedikuar, atëherë edhe përkushtimi i të parëve bie. Gjendja rëndohet akoma më shumë kur këta punonjës reklamohen dhe promovohen si punonjës të suksesshëm. Kjo është një fyerje ndaj atyre që punojnë me orë të zgjatura apo që mbajnë mbi supe një ngarkesë më të madhe se të tjerët. Nuk është çudi nëse këta punonjës do të dorëhiqen.

  1. Drejtuesit dështojnë të zhvillojnë aftësitë e punonjësve

Drejtues të zgjuar i sfidojnë punonjësit e tyre të përmbushin detyra dhe të bëjnë gjëra, të cilat në vështrimin e parë duken të pamundura. Në vend që të vendosin rregulla strikte e barriera për vartësit, këta drejtues i shtyjnë dhe u japin mundësi punonjësve të dalin nga “zona e rehatisë” e të përvetësojnë aftësi të reja. Kur punonjës inteligjentë dhe të talentuar e shohin veten duke bërë gjëra të thjeshta dhe të mërzitshme, atëherë ata fillojnë të kërkojnë për një punë të re.

 

 

Shpërndaje në: