Mbrojtja e veteranëve të rremë përmes fyerjes së veteranëve të vërtetë

Mbrojtja e veteranëve të rremë përmes fyerjes së veteranëve të vërtetë

Kushdo që bën gabime të tmerrshme [dmth jo të vogla] drejtshkrimore, më nxit dyshimin se nuk është profesionist në punën që kryen. Mund të jetë njeri shumë i mirë, por s’e besoj që mund të jetë profesionist. Njësoj ndodhi me prokurorin Elez Blakaj! Nga letra e tij prej ShBA-ve, mua m’u përvodh paragjykimi se ai mund të ishte një agjent tjetër i këtij mut pushteti. Sepse, letra e tij asocionte më shumë me argatët analfabetë të këtij pushteti, se sa me një profesionist të fushës. E në fushën e tij, edhe ana drejtshkrimore luan rol tepër të rëndësishëm. Që ta banalizoj: nuk mund të prisja që të operonte në mënyrë korrekte me fakte, një njeri që e shkruante ‘faktË’ në vend të ‘fakt’. Por, del se ai nuk kishte faj.

Dhe ja, dje më 16 shtator dolën nga një portal i pushtetit listat e veteranëve të rremë. Mes gjërave të rreme që prodhon ky pushtet, u prodhua edhe një kategori njerëzish: veteranët e-rremë-të-rremë, domethënë veteranët e vërtetë të përfshirë në listën e të rremëve.

Sidoqoftë, kjo situatë nuk meriton të trajtohet me cinizëm. Kjo sepse u prekën keq ndjenjat e shumë njerëzve. Imagjinojeni një njeri që e rrezikoi jetën në luftë – derisa e sheh veten, bashkë me shokë të tjerë të luftës në atë listë. Një ish luftëtar derisa e sheh veten në listën e veteranëve të rremë bashkë me shokë që iu plagosën në luftë. Goxha e dhimbshme – nëse konsiderohet si lëshim teknik. Ama, goxha e fëlliqtë – nëse e mendojmë si taktikë të pushtetit për t’i mbrojtur veteranët përnjëmend të rremë. Një prej njerëzve që u fëlliqën nga kjo taktikë është edhe babai im. Për vepritmarinë e tij në luftë dinë qindra njerëz, të cilët e kanë parë me sytë e tyre. Edhe unë si fëmijë e mbaj mend, me uniformë, me armë në dorë – nën ankthin e vdekjes e të lirisë.

Unë me babain tim nuk pajtohem në shumë çështje. Shkaku i këtyre mospajtimeve ka ndodhur edhe që të mos flasim me muaj. Ama, e çmoj vullnetin e tij për sakrificë. E çmoj përfshirjen e tij në luftë – edhe pse, gjëja më e mençme që do ta bënte në atë vakt, do të ishte t’ia therrte dikah jashtë – për një fat më të mirë. Ai vetë ndihej keq që ishin bërë 46 mijë veteranë – kur doli ky lajm. Numër që thuhet se ka shkuar në 60 mijë sot. Ishte fëlliqë ajo çertifikatë. Shkaku i atyre 170 eurove, shkaku i përpjekjes për me zgjeru klientelizmin, edhe veteranëve të vërtetë anonimë, dmth këtyre që nuk dolën në televizor, do t’iu duhej të bartnin ngarkesën e dyshimit nëse ishin ose jo të vërtetë. Disa e pësuan edhe më keq se të tjerët – me publikimin e djeshëm.

Pse, a thu? Sepse luftëtarët e vendosur në krye, u bënë hajdutë të ftohtë. E kapën gjyqësinë dhe përdorën taktika të fëlliqta. Sepse, veterani i këtyre njerëzve duhej të ishte edhe votues i tyre. I nënshtruar në klientelë. Sot janë mbi 40 mijë veteranë të rremë, e jo veç 19 mijë. Mbi 40 mijë njerëz që i votojnë partitë në pushtet. T’i përmendim një nga një: PDK-në, AAK-në dhe Nisma-n. Mbi 40 mijë vetë që jetojnë në mashtrim. Ndoshta, në listën e publikuar të veteranëve të rremë të përzier me plot të tjerë të vërtetë, janë hequr nga lista nja 15 mijë vërtetë-të-rremë, ama kjo nënkupton që pushteti i ka shpëtuar edhe 25 mijë të tjerë. Kjo është një situatë “win-win” për ta. Edhe nëse nga ky hetim hiqen 15 mijë, atëherë shpëtojnë 25 mijë të tjerë. Dhe e dyta, nëse reagimi i veteranëve të vërtetë të përfshirë në listat e të rremëve, është i fortë sa ta dëmtojë procesin – shpëtojnë të gjithë.

Megjithëse dyshoj në profesionalizmin e prokurorit Blakaj, nuk besoj që gabimet në listë janë rrjedhojë thjesht e ndonjë lëshimi teknik. Pra, nuk mund të jetë faji veç te Blakaj. Ai vetë e tha që 2 mijë vetë ishin shtuar nga Prokuroria – e nuk dihej as me çfarë arsye. Në fakt, na lejohet të paragjykojmë: në mënyrë që të njollosej i gjithë procesi. Edhe publikimi i listës, të cilën gjë Blakaj e quan vendim të turpshëm të Prokurorisë, e përforcon këtë ide. Pra, për mua është e qartë ku duhet adresuar fajin. Sepse, dihet kush përfiton nga një gjë e tillë: partitë në pushtet.

Veteranët e luftës, të gjithë e jo veç ata që u poshtëruan duke u futur në listën e veteranëve të rremë, do të duhej ta mendonin seriozisht pozicionin e tyre politik. Nuk përkrahet më PDK-ja, as AAK-ja e as NISMA. Janë parti të fëlliqta. Ok, s’mund ta përkrahni as LDK-në, por të paktën mund t’i dëmtoni këto parti që i dëmtuan vlerat e luftës duke e mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje. Kaq e thjeshtë! Nuk reagohet veç kur të preket emri personal, por do të duhej të kishte e të ketë reagim kur cënohet lufta, e kur cënohet pavarësia [siç po ndodh aktualisht].

Ndërkohë që për t’i larguar veteranët e rremë, do të duhej ngulmuar në një proces të ri ku njerëzit e partive politike nuk marrin pjesë.

Unë jam i bindur që secili prej veteranëve të vërtetë njeh shumë veteranë të rremë. Epo, nuk duhej heshtur më herët e nuk duhet të heshtet as tash.

Kjo është fyerja më e rëndë që e kanë përjetuar luftëtarët. Vetë lufta. Kjo tregon se partitë politike që dolën nga lufta tanimë kanë mbërritur në pikën kur nuk kursejnë asgjë për pak më shumë pushtet. As vetë bashkëluftëtarët e tyre. E kjo është pika, kur diga që ndaloi pakënaqësinë të shprehej duhet të thyhet. Madje dhunshëm. E kjo është pika kur duhet që njerëzit t’i shohin më qartë: ideali i tyre i dikurshëm është përlyer me mut. Dhe ata vetë janë bërë të tillë.

Shpërndaje në: