A e dini pse nuk po humbni kilogramë

A e dini pse nuk po humbni kilogramë

Nëse mendoni se e keni dhënë maksimumin tuaj, jeni ushqyer si duhet dhe keni ushtruar, por treguesi në peshoren tuaj nuk tregon numër më të vogël, duhet ta dini se nuk jeni të vetmit. A keni menduar ndonjëherë se pse nuk po i humbni kilogramët?

Me këtë problem ballafaqohen shumë njerëz në mbarë botën, dhe më së shumti femrat që e kanë kaluar moshën 35-vjeçare dhe të cilat kalojnë nëpër disa ndryshime hormonale, dhe të cilat mund t’ua vështirësojnë në masë të madhe mundësinë e tyre për ta arritur formën e dëshiruar.

Sipas ekspertëve, pengesa më e madhe në uljen e peshës trupore përkundër të gjitha përpjekjeve qëndron në simfoninë shumë delikate të hormoneve, dhe fajtorët kryesorë janë hormonet e tiroideve dhe gjëndrës mbiveshkore, estrogjenit, progjesteroneit, leptinës dhe grelinës. Kur niveli i hormoneve në trupin tuaj e arrin ekuilibrin e duhur edhe kilogramët do të bien më lehtë.

Nëse tashmë një kohë të gjatë po përpiqeni pa sukses t’i largoni kilogramët e padëshiruar duhet t’i kontrolloni dhe t’i kushtoni vëmendje problemeve të mëposhtme.

Mosbalancimi i hormoneve të tiroideve

Nëse niveli i hormoneve të sekretuara nga gjëndra tiroide papritmas bie, automatikisht bie edhe shpejtësia e punës së metabolizmit. Si rezultat do ta keni një nivel të reduktuar të energjisë, simptoma të depresionit, tretje të dobët, kapsllëk dhe trashje.

Mosbalancimi i hormoneve të gjëndrës mbiveshkore

Kur kalojmë nëpër një periudhë shumë të vështirë të jetës, gjëndra mbiveshkore reagon duke i liruar hormonet e tepërta të stresit dhe vjen deri tek akumulimi i shpejtë i yndyrës në trup, dhe natyrisht trashjes. Në periudhë afatgjatë kjo mund të thotë se trupi është duke luftuar për çdo kalori në organizëm, duke u përgatitur për “krizën”. Kortizoli – hormoni i stresit më së shumti lëshohet në rajonin e barkut dhe për këtë arsye në qoftë se njerëzit janë nën stres zakonisht fitojnë peshë në pjesën e barkut.

Mosbalancimi i hormoneve femërore

Mosbalancimi në mes të hormonit femëror estrogjenit dhe progjesteronit zakonisht si rezultat sjell akumulimin e depozitave yndyrore në pjesën e stomakut. Tek femrat rreth moshës 35-vjeçare hormonet fillojnë të oscilojnë në mënyrë që organet reproduktive të jenë në funksion sa më gjatë. Pikërisht kjo është arsyeja se pse trupi mban depozita të yndyrës për shkak se në to prodhohet estrogjeni. Sipas ekspertëve, tek madje 50 për qind e femrave, niveli i estrogjenit është më i lartë se niveli i progjesteronit, gjë që mund të jetë shkaku kryesor i trashjes.

Mungesa e gjumit

Gjumi i pamjaftueshëm shkakton çekuilibër të hormoneve grelinë dhe leptinë. Grelina është një hormon që është përgjegjës për dhënien e sinjaleve të urisë dhe na thotë kur duhet të hamë. Kur flemë pak, prodhimi i grelinës rritet gjë që shkakton rritjen e oreksit dhe dëshirën për ushqim të shpejtë dhe ëmbëlsira. Leptina, nga ana tjetër është një hormon që na sinjalizon kur duhet ndaluar së ngrëni, dhe kur nuk flemë prodhimi i saj bie. Mungesa e leptinës mund të çojë në ngrënie të tepërt sepse truri nuk na dërgon me kohë sinjale që stomaku ynë është i mbushur.

Alergjia apo ndjeshmëria në ushqime
Tretja e dobët e kombinuar me toksinat, inflamacionet dhe ndjeshmërinë ndaj ushqimit mund të jetë shkaku që nuk mund të humbni peshë. Kjo është në fakt një formë e stresit kronik, i cili e rrit nivelin e kortizolit dhe çon në rritjen e depozitave yndyrore.

Depozitat yndyrore së bashku me toksinat mund ta shkaktojnë edhe dëmtimin e indeve

Shumica e substancave toksike në organizmin tonë veprojnë si hormone, dhe në këtë mënyrë ndikojnë në masë të madhe në çekuilibrin hormonal. Kjo mund të thotë se ju ushqeheni ekskluzivisht me ushqime të shëndetshme, por të cilat thjesht për organizmin tuaj nuk janë të shëndetshme. Ndonjëherë njerëzit janë alergjik apo të ndjeshëm ndaj ushqimeve që janë pjesë e dietës së shëndetshme.

Nëse mendoni se keni probleme me çekuilibrin hormonal apo ndjeshmërinë ndaj ushqimeve të caktuara, bisedoni me mjekun i cili do t’ju këshillojë se cilat teste apo analiza duhet t’i bëni për ta zbuluar se cili është në fakt problemi.

 

Shpërndaje në: