Kruajtjet e lëkurës gjatë shtatzënisë- Çfarë thonë mjekët!?
Disa shtatzëni mund të shfaqin komplikime të tilla si rreziku për abort apo gjakderdhja, të cilat njihen nga nëna për rrezikun që ato paraqesin. Disa kushte të tjera mund të dëmtojnë nënën dhe fëmijën, por gjithsesi janë më pak të njohura për të.
Një prej tyre është edhe kolestaza obstetrike, e cila është një gjendje shumë serioze e shkaktuar nga mëlçia, si pasojë e së cilës nëna ndien kruajtje të mëdha, dhe në disa raste mund të preket edhe nga verdhëza, ndërsa fetusi mund të rrezikojë jetën.
Kruajtjet e lëkurës gjate shtatzënisë
Kruajtjet e lëkurës janë shumë normale gjatë shtatzënisë duke qenë se fluksi i gjakut në shtresat e lëkurës rritet ndjeshëm, por jo vetëm pasi një situatë të tillë e shkakton edhe tërheqja e lëkurës si pasojë e hapjes që ajo pëson.
Kjo kruajtje është e ndryshme nga ajo që shkakton kolestaza obstetrike, të cilat në këtë rast do të jenë shumë intensive dhe zakonisht fillojnë në javën 25-28 të shtatzënisë. Situata mund të përkeqësohet kryesisht gjatë natës, duke prekur më shumë krahët, këmbët, dhe pëllëmbët e duarve, pa harruar të përmendim se në disa raste mund të shfaqen kruajtje intensive edhe në fytyrë, në gjoks dhe në pjesën e pasme të trupit.
Shpesh gruaja mund të paraqitet me dëmtime dhe gërvishtje në lëkurë si pasojë e kruajtjeve të saj, të cilat mund të komplikohen duke u prekur nga infeksione bakteriale.
Si pasojë e kruajtjeve intensive edhe thonjtë e gruas mund të paraqiten të shndritshëm dhe të lëmuara.
Simptomat mund të jenë prezentë për disa ditë ose disa javë dhe në këtë rast duhet bërë një test që bën diagnostikimin e mosfunksionimit korrekt ose jo të mëlçisë. Situata shpesh zgjidhet pas lindjes.
Shkaqet
Shkaqet që e shkaktojnë këtë problem mendohet se janë hormonet e nënës të cilat ndikojnë edhe në aftësinë e mëlçisë për të transportuar disa substance të caktuara kimike si për shembull bilën.
Këto substanca kimike akumulohen në gjak duke shkaktuar stimulimin e nervave që ndodhen poshtë lëkurës, gjendje e cila shkakton kruajtje të mëdha tek gruaja.
Rreziku për fëmijën
Një nga rreziqet që ky problem shkakton tek fëmija është lindja parakohe, vuajtje fetale gjatë lindjes dhe një rrezik i vogël për të lindur një fëmijë pa jetë.
Nëse mendoni se keni një nga simptomat e kolestazës obstetrike, duhet të kontaktoni në mënyrë të menjëhershme me mjekun tuaj gjinekolog, i cili do t’ju udhëzojë të bëni një analizë gjaku me anën e së cilës do të shikojë nëse mëlçia po e kryen funksionin e saj në mënyrën e duhur.
Kjo do të bëhet nga matja e sasisë së kripërave të bilës në gjak. Gjithashtu mund të jetë e nevojshme edhe një ekografi, me anën e së cilës do të bëhet i mundur diagnostikimi i ndonjë problem tjetër në mëlçi, duke vëzhguar edhe gjendjen e fëmijës.