Gjatë veres duhet të keni kujdes të veçantë ndaj bebes suaj
Stina e verës shtron pyetjet më të shpeshta dhe ngre dilemat për prindërit e rinj mirëpo jo vetëm, për kujdesin ndaj foshnjave dhe fëmijëve.
Nga dr. Niketa Kolici, mjekja specialiste neonate vijnë disa këshilla të vlefshme dhe që shuajnë kuriozitetit dhe të panjohurat sidomos për sjelljen e prindërve të rinj.
Sipas mjekes, ekspozimi në diell, si faktor i rëndësishëm në rritjen e shëndetshme të bebit tuaj, kërkon një vëmendje të veçantë.
Kur të filloni ta aplikoni kremin mbrojtës ndaj diellit?
Ka gjithmonë një diskutim të gjerë se kur duhet të përdorni krem mbrojtës kundër diellit. Kremi këshillohet të përdoret duke filluar nga muaji i 6-të i jetës.
Duhet të aplikohet gjysmë ore para se bebi të ekspozohet në diell. Ndiqni rregullin e artë: “ Sa më i vogël fëmija dhe e gjatë koha e ekspozimit, aq më i lartë duhet të jetë faktori SPF mbrojtës”.
Sipas mjekes, këshillohet evitimi i produkteve mbrojtëse në kombinim me ato kundër insekteve.
Kur duhet ta ekspozojmë bebin në diell?
Rrezet e diellit janë shumë të dobishme pasi nxisin prodhimin e vitaminës D, por ekspozimi duhet të bëhet në mënyrë graduale.
Prindërit duhet të shmangin oraret e pikut të vapës 10.00 deri në 16.00 të pasdites; pasi intensiteti i diellit dhe rrezatimi është i dëmshëm. Kështu evitohet dehidrimi, skuqjet apo djegiet e lëkurës dhe ulni rrezikun e shfaqjes së formave të kancerit të lëkurës.
Si ta veshim bebin gjatë vapës?
Praktika të tjera që i vijnë në ndihmë fëmijës tuaj janë veshja me rroba të lehta (lino ose pambuk)dhe e rëndësishme të jenë ngjyra të çelëta, të cilat nuk i thithin rrezet e diellit.
Freskojeni shpesh!
Freskojini shpesh kokën ose të gjithë trupin me ujë në një temperaturë normale. Hidratimi është rregulli i artë që duhet ndjekur me përpikëri për të zëvendësuar lëngjet e humbura nëpërmjet djersitjes.
Kur ta ushqeni me gji?
Në rast të temperaturave të larta, për nënat që ushqejnë bebet me gji këshillohet një rritje e intensitetit të gjidhënies sa herë që fëmija e kërkon apo për rastet e ushqyerjes me qumësht formule të kontrollohet dhe ruhet në kushte të përshtatshme.
Cilat janë lëngjet e duhura për bebet?
Në moshat mbi një vjeç, të dobishme mund të jenë edhe pijet të cilat përmbajnë kripëra minerale.
Ajroseni ambientin ku jeni!
Ajrosja e ambientit në mënyrë konstante dhe përdorimi i kondicionerit në temperatura normale 23-24 gradë ndihmon në mirëqenien tuaj dhe të bebit tuaj.
Këto këshilla me siguri do ta bëjnë ta shijoni më shumë stinën e verës.