Të ndërtosh, të banosh, të mendosh (I)

Të ndërtosh, të banosh,  të mendosh (I)

Ç’është banimi? 

Martin HEIDEGGER

Nga se ç’shihet, tek banimi/strehimi arrijmë vetëm permes ndërtimit. Strehimi ngërthen në vete përqëllimimin ndërtues. E sërish jo të gjitha ndërtesat janë konaqe. Urat, hangaret, stadiumet, centralët energjetik, janë ndërtesa por jo strehë në kuptimin e konakut. Edhe garazhet, magjistralet, pendat e marketet e mëdha, janë ndërtesa por jo konaqe. E megjithatë ndërtesat e lartpërmendura hyjnë në spektrin e vendstrehimeve tona.

Ky spektër shkon përtej këtyre ngrehinave dhe s’është i kufizuar vetëm me shtëpinë. Shoferi i kamionit shtëpizon (përkohësisht) magjistralen por ajo s’është vendbanimi i tij; Gruaja punëtore në fabrikën e shtofit ndihet si në shtëpi, por aty s’shtë konaku i saj; Kryeinxhinjeri adoptohet në centralin energjetik, por nuk banon aty. Ndërtesat e lartëcekura strehojnë njeriun. Por strehimi këtu vlen vetëm nëse e marrim të sinonimizuar me ngërthimin.

Njeriu brenda këtyre ndërtesave jeton, por nuk banon. Padyshim,  në situatën e sotme kur banimi është bërë gjë e vështirë, edhe ky lloj banimi e shpaguan veten teksa sjell rehati e gëzim.  Ndërtesat e menduara si banime mundësojnë venstrehimin; Ndërtesat e sotme vendstrehuese mund të jenë të një plani të mirë, të mirëmbajtura lehtë, shumë të volitshme, të ajrosura, me dritë dhe të përcëlluara nga dielli. Por a ka garanci se këto konaqe (të menduara) ofrojnë edhe realizimin e banimit ?

Sidoqoftë, edhe ato ndërtesa që s’janë konaqe për sa kohë që njeriut i shërbejnë për banim, mbeten të shenjuara si banuese. Kësodore banimi në çdo situatë do të jetë qëllimi që udhëheqë me ndërtimin. Banimi dhe ndërtimi qëndrojnë të lidhur së bashku në marrëdhënien e tyre qëllim-mjet.  Por të marrura kështu, ne priremi t’i  shohim si dy aktivitete të ndara, e që permes një skeme të tillë  me pas sabotojmë lidhjet burimore/thelbësore mes banimit dhe ndërtimit. Shkurt fjala ndërtimi s’nëkupton  vetëm mjet për te arritja e  banimit, por banimin vetë.  Por kush na e kumton këtë? Gjuha. Ftesa për te thelbi i një gjëje – për aq sa ne e respektojmë gjuhën – vije nga gjuha. Por që atyrisht se mbi sipërfaqen e tokës, gjejmë çdokund ardhje-vajtjen e pavargëzuar të fjalëve në shembujt e të folmes e shkruarit.

Njeriu  sillet sikurse të ishte patroni i gjuhës dhe t’i jepte formën asaj, ndërkohë që gjuha mbetet patrone e tij. Ndoshta ajo që më së shumti ka çuar tek çtruallzimi i thelbit të njeriut është pikërisht përmbysja që njeriu i ka bërë këtij relacioni/kësaj dominance. Është mirë që respektohemi e tregojmë kujdes teksa bashkëbisedojmë, por përsa kohë që  gjuha për ne ngelet vetëm një mjet komunikimi e shprehjeje kjo s’do të na ofrojë ndonjë ndihmesë. Nga të gjitha thirrjet që i identifikojmë se na bëhen ne, thirrja e gjuhës është me e rëndësishmja dhe më primarja.

Ateherë çdo të thotë “Bauen”? E përdorur në gjermanishten e vjetër në kuptimin e ndërtimit, kuptimi i kësaj fjale shenjon banimin. Kjo fjalë përçon kuptimet si: të rrishë, të ndalesh, të zësh istikam. Thelbi i kuptimit të “bauen”, sot është venitur. Por një gjurmë e pashpaluar e saj na ka ngelur: “Nachgebur”: fqinj, dhe “Nachgebauer”: banor i afërt/banuesi përskaj. Foljet si  “Buri”, “büren”, “beuren”, “beuron” që gjitha kanë kuptimin e banimit/vendbanimit.

Padyshim se kjo fjalë e vjetër nuk mjaftohet vetëm së na përkujtuari banimin, por  ofron edhe elemente se si duhet ta mendojmë banimin.

Kur flasim për banimin, zakonisht e mendojmë si njërën nga format e shumta të gjindshmërive të njeriut.  Teksa punojmë “këtu”, ulemi “atje”. Nuk është se vetëm ulemi (ky do të ishte vetë mosveprimi), por edhe punojmë, bëjmë tregti, udhëtojmë dhe presim miq, herë këtu e herë atje.  Kështu “bauen”, në kuintesencë ka kuptimin e banimit si ngulmim. E kur na flet nga ky nivel kuptimi, i mëshon edhe çështjes së shtrirjes së këtij banimi ngulmues, pra asaj se deri ku shtrihet thelbi i këtij banimi.

Pra “Bauen”, “buan”, “bhu”, “beo”, janë forma të tjetërsuara të fjalës tonë “bin”. “Ich bin” (Jam), “du bist” (je), dhe prapashtesës “bis” (bëhu). Ateherë ç’do të thotë “ich bin” ? “Bauen” na e rikujton: “rri/qëndroj”, “rri/qëndron”. Siç edhe ndodhemi në këtë rruzull unë, ti, njerëzit, edhe “baun-i” – rri/qëndron.

Të jesh njeri, do të thotë të vish mbi sipërfaqen e tokës si një i vdekshëm dhe kuptimi i kësaj lidhet me qëndrimin/banimin. Por “bauen” pos që ka kuptimin e ekzistencës së njeriut për aq sa ai banon, ka edhe e kuptimin e përkujdesjes soditëse dhe kultivitimit, d.m.th të punimit të tokës, rendimentit. Ky lloj ndërtimi (i banimit, vërejtja imja), nënkupton vetëm soditjen  si  (p.sh.) përcjellja e rritës së një sythi bime, e që një kësilloj ndërtimi i kuptimësuar si soditje dhe rritje nuk nënkupton prodhimtarinë e diçkaje.

Në kundërshtim me këtë,  ndërtimi i një anijeje a objekti adhurimi është formë tipike e prodhimit. Këtu ndërtimi nënkupton të ngresh, të nisësh/të krijosh diçka. Që të dy format e ndërtimit pra edhe ajo përmes soditjes së rritës (në latinisht “colere”, “cultura”), edhe ajo e nisje-krijimit (në latinisht “aidificire”) konsiderohen pjesë e ndërtimit thelbësor: banimit. Të ndërtuarit së banuari, i mbetet rrafshit të përvojave ditore të njeriut, si i përkitur në sipërfaqe të tokës. Siç edhe tingëllon shumë bukur në gjermanishte, këto përvoja janë “brenda-shprehitë” e tij.  Karshi inkurzionit të formave dhe aktiviteteve të ndryshme të ndërtimeve të llojit rritje/nisje-krjim, që zëvendësojnë/pezullojnë banimin, njeriu bën prapakthim.

Këto aktiviteteve përvetësojnë gjithë çka ofronte mjaftueshmëria e “bauen-it”. Kësodore kuptimi thelbësor i ndërtimit, pra banimi, tretet e harrohet.

Në shikim të parë kjo ndodhi s’duket se ngërthen diç më shumë se një ndrrim i mërzitshëm i kuptimit të fjalëve.  Por një konsatim i tillë fsheh një të vërtetë: mospërjetimin në përvojë të qenies nga ana e njeriut, për më tej mosmendimin e cilësisë së saj.

Tërheqja që gjuha i ka bërë fjalës “bauen” dhe kuptimit të saj burimor –  banimit, prek edhe rrënjet e kuptimeve të lartpërmendura, sepse edhe prononcimi  i fjalëve më burimore, lehtë davaritet në vorbullën e fjalëve të rëndomta,  përkatësisht në harresë. Njeriu akoma s’ka menduar mbi misterin e këtij procesi. Gjuha i’a ka suspenduar njeriut të folmen madhështore dhe mesatare.  E megjithkëtë apelimi i parë i gjuhës, thirrja e saj e parë s’ka mbetur memece, vetemsë ka heshtur. Pa mëdyshje: njeriu e ka lëshuar rastin e dëshmit të kësaj heshtjeje.

Kur i vëmë veshin ç’na thotë gjuha përmes fjalës “bauen”, dëgjojmë këtë

1. Të ndërtosh në të vërtetë do të thotë të banosh
2. Banimi është qeniesimi i të vdekshmëve mbi tokë
3. Ndërtimi si banim, shpaloset në (vetë)ndërtim, rritje, do të thotë në  rritë, dhe në ngulitjen e ngrehinave ndërtimore

Përktheu Fatlum Sadiku

Vijon

Shpërndaje në: