Të ngrënit natën vonë ju rrezikon nga këto sëmundje
Dihet tashmë lidhja mes ngrënies natën vonë dhe shtimit në peshë, por, një studim i ri sugjeron se ajo rrit gjithashtu rrezikun e zhvillimit të diabetit dhe sëmundjeve të zemrës.
Një grup shkencëtarësh amerikanë kanë zbuluar se ngrënia natën vonë rrit nivelet e sheqerit në gjak, duke u bërë kështu shkak për zhvillimin e diabetit. Vaktet natën vonë rrisin gjithashtu nivelet e kolesterolit dhe triglicerideve, të cilat mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të sëmundjeve të zemrës. Dhe, në vijimësi të studimeve të mëparshme, studimi më i fundit ka zbuluar se ngrënia në orët e vona të natës shkakton shtim në peshë tek njerëzit duke ulur aftësinë e trupit për të djegur dhjamin.
Këto rezultate kanë dalë pas një studimi të kryer nga Shkolla Mjekësore Perelman në Universitetin e Pensilvanisë, të cilat konfirmojnë se ngrënia natën vonë ka një sërë efektesh negative shëndetësore. Shkencëtarët kryen një eksperiment tek disa të rinj.
Në fund të eksperimentit ata dolën në përfundimin se ngrënia pas orës 11 të natës shkakton shtim në peshë pasi ngadalësohet procesi i përpunimit të yndyrës – procesi ku yndyrat zbërthehen dhe përdoren për energji. Në këtë rast trupi metabolizonte (përpunonte) më pak lipide ose yndyra. Ekspertët e zemrës rekomandojnë që të mos hani asnjëherë brenda dy orëve para se të flini.
Profesoresha Kelly Allison, autorja kryesore e studimit, thotë: “Edhe pse ndryshimi i mënyrës së jetesës nuk është kurrë i lehtë, këto rezultate sugjerojnë se ngrënia herët mund të jetë një përpjekje e vlefshme për të parandaluar këto sëmundje kronike”. “Kemi mjaftueshëm njohuri mbi ndikimin e tejngopjes në shëndet dhe shtimin në peshë, por tani mund të kuptojmë më mirë mbi mënyrën se si trupi i përpunon ushqimet në momente të ndryshme të ditës për një periudhë afatgjate”./BW