Çka e pamundëson ndryshimin?

Ne jemi racistë. Ne kemi kampet tona të përqendrimit. Ne kemi krijuar adresat tona të fajësimit për dështimet. Ngjashëm siç bënin nazistët në Gjermaninë e viteve 20’ dhe 30’.
Dikush mund të thotë se nuk mund t’i fusësh të gjithë në një thes. Nuk mund të përdorësh përemrin vetor ‘ne’. Se kjo është një politikë shkrimi shumë arbitrare. E kështu me radhë. Unë e kam pasur të zorshme të gjej qoftë një njeri brenda komunitetit që i përkas, i cili nuk do ta shihte si të eternalizuar rrethanën epistemike, dmth kulturore e vlerore, ekonomike e arsimore, të komuniteteve të caktuara.
Dikush tjetër mund të thotë se vdekja e Kujtim Paqakut, një ish deputeti nga komuniteti rom, më demanton. Megjithëse, edhe në mënyrën se si u përkujtua Paqaku mund të nxjerrim shenja të qarta racizmi, superioriteti, unë këtu do të merrem me një lloj tjetër racizmi: atë internal, domethënë, ndaj vetes.
E kam përmendur edhe më herët racizmin internal. Kjo bindje më është krijuar nga bisedat private me njerëz të ndryshëm, domethënë nga ato që Michel Foucault-ja do t’i quante si ‘dije të shtypura/ndrydhura’ [ang. subjugated knowledges], nga postimet e ndryshme në Facebook [edhe këto hyjnë në të njëjtën kategori dijesh], nga zhvillimet kulturore dhe përplasja vlerore në vend.
Nuk i njoh aq mirë shkaqet e këtij racizmi internal. Mbase, ishim për kohë të gjatë të nënshtruar – dhe kishim të kaluar që thellë thellë n’a ndillte pështirosje. Shiheshim si inferiorë nga popujt e tjerë në Jugosllavi, sidomos nga serbët, dhe e internalizuam/përbrendësuam këndvështrimin e tyre për ne. Filluam ta shihnim veten me sytë e tyre.
E gjithë historiografia jonë është kopjim shkarjesh metodologjike të historiografisë serbe. Ne s’mund ta shohim veten jashtë autoktonësisë. S’mund të themi që Kosova nuk ishte tokë e jona – dhe që shumica prej nesh, jemi të ardhur nga Shqipëria. Sepse, autoktonësia është bërë element i rëndësishëm në mënyrën se si e shohim veten. Dhe kësisoj, prodhojmë njerëz që në mënyrë naive i lidhin organikisht me etninë tonë, shumë personalitete të mëdha botërore. Nuk mund të themi, ta zëmë, që Kosova ishte vend i populluar nga serbët – që historia njeh forcën e rastësinë, dhe jo drejtësinë. Padrejtësitë historike, duam a s’duam, nuk mund të përdoren politikisht. Por jo, vendosim të reagojmë naivisht ndaj një ligjërimi me fille fashiste, vendosim të marrim pjesë në një dialog ku jemi të humbur.
Racizmin internal e vërejmë qartë edhe në intervistën e kryeministrit tonë për një televizion serb. Pastaj, në mënyrën se si kemi vendosur ta shohim ‘klasën politike’. Në mënyrën se si kemi vendosur që ta shohim etninë tonë. Jo veç në fashizmin që e shprehim ndaj etnisë që i përkasim, por edhe në mënyrën se si krenohemi për të në ngjarje të ndryshme.
Është e dhimbshme të shohësh një shoqëri që është formësuar nga përrallat historike derisa në përditshmërinë e saj shkëputet nga ‘rrënjët’ ose nga e kaluara e saj në mënyrë aq të vrazhdë. Racizmin internal mund ta shohim të ilustruar në emrat e rinj dhe heqjen dorë nga emrat e vjetër, në tkeqjen e myslimanëve edhe pse komunitet ende shumicë, në dëbimin e ‘katundit’ nga ne, në kërkesën për një nivel përfaqësimor sa më urban në politikë e çdokund, në atribuimin naiv të një farë ‘perëndimoriteti’ primordial të etnisë që i përkasim, në simpatinë e madhe që kemi për ndërkombëtarët perëndimorë dhe në përngutjen e çuditshme për një dukje sa më moderne, ose perëndimore. Por edhe në ikjet ose tentim-ikjet masive nga Kosova – motivet e të cilave nuk besoj të jenë thjesht dhe vetëm ekonomike. Kjo ka të bëj me një farë përçmimi për rrethanën kulturore të shoqërisë sonë.
“Ajo çka duket, në histori, si eternale/e përjetshme është në fakt thjesht produkti i një pune eternalizuese të performuar nga institucione të ndërlidhura, të tilla si familja, kisha, shteti, sistemi i edukimit, dhe poashtu, nga sporti dhe gazetaria.” – shkruan Pierre Bourdieu, në librin e tij për “Dominimin Maskulin”. Mekanizma të tilla bëjnë një punë të tillë eternalizuese edhe në Kosovë, por të gjitha bashkë, përveç “dominimit të natyrshëm maskulin” kanë bërë në rastin tonë, edhe eternalizimin e dobësive.
Por, Kosova nuk është një vend aq i madh sa të pajtohet me racizmin e saj. As për nga shtrirja territoriale e as për nga numri i banorëve. Në anën tjetër, duke u arratisur në shekuj që nuk i njohim as sipërfaqësisht, ne rrezikojmë një çlidhje fundamentale nga e kaluara, nga veçantitë e saj, nga mundësitë për një konstituim të themeltë shpirtëror bazuar mbi to. Rrezikojmë pastaj një farë fallsiteti mbytës. Rrezikojmë që ato të cilat i perceptojmë si vlera perëndimore e emancipuese t’i gëlltisim pa i shijuar – duke qenë se, edhe ngucjen shqisore, shijen, e tjetërsojmë – proces të cilit shkrimtari i njohur rus Fjodor Dostojevski i ka kushtuar disa prej novelave më të mira. Rrezikojmë që ‘dijet e shtypura’ një ditë të bëhen kërcënuese, dhe të dalin në sipërfaqe me tërbim – duke qenë se, artikulueshmëria e ‘emancipimit’ tonë do të jetë e pamundur duke qenë ilogjike. Një gjë që ka ndodhur ta zëmë, në rrafshin global, me zgjedhjen e Donald Trumpit si president i ShBA-ve, që nga filozofja Judith Butler u interpretua si reaksion i ndjenjës së shtypjes nga të bardhët seksistë e racistë. Pastaj, edhe me popullaritetin në rritje të Jordan Petersonit, një psikolog amerikan me qëndrime të rafinuara seksiste që po e sfidon feminizmin. Natyrisht, Kosova e ka të zorshme të kontribuojë në këto debate – ose të rikthejë botën në gjendjen e mëparshme seksiste e raciste. Por, Kosova mund t’i bëj dëme të mëdha vetes – nëse nuk arrin të artikulojë vlerat që i beson, të zbërthejë bindjet, ta bëj më të hapur debatin, dhe të heqë dorë nga eternalizimi i gjendjes së saj nga e cila del e desubjektivuar, dmth pa përgjegjësi dhe pa faj për zgjedhjet që bën.
Askush nuk do ta pësojë nga racizmi ynë veç nesh. Nëpër kampe përqendrimi do t’i fusim të gjitha elementet që n’a kujtojnë të kaluarën. Faji për dështimet, për çdo të keqe në fakt, do t’i adresohet pikërisht atyre elementeve eleatike të ndodhura brenda etnisë sonë. Dhe pikërisht shkaku i kësaj ndjesie e këtij pikëshimi që vëren inferioritet në identitetin tonë, do të qarkullojnë ende budallallëqet se ne jemi racë arjane, e se shqiptarë me gjak janë shumë personalitete të njohura në botë. Budallallëku nuk është mungesë e dijes, por dije e caktuar, dije jopolitike. Dhe siç e shihni, ne kemi krijuar rrethana jopolitike – në të cilat është e zorshme të paramendohet çfarëdo ndryshimi përmbajtësor.
Eternalizimi i vlerave mësyn konservimin e rrethanës vlerore. Dhe bën të mundur thjesht ndryshime në dukje, kozmetike, në të cilat konstituohet një farë rehatie. Për ironi, debati i dy ditëve të fundit, i vendosur madje edhe në terrenin politik, është ai për kozmetikën. Mbase, këto janë debatet më përmbajtësore që mund t’i bëjmë.