Shpend Ahmeti e nis punën si kryetar i PSD-së duke e thumbuar Albin Kurtin
Shpend Ahmeti ka zgjedhur një rrugë tjetër politike, ndaras nga Albin Kurti. Që nga dje ai është kryetar i Partisë Social Demokrate, ku kaloi bashkë me shumicën e të dorëhequrve nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në fjalimin e tij të parë si kryetar partie, ndër tjerash Ahmeti thumboi edhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, shkruan Periskopi.
Ahmeti thumboi Kurtin për një qëndrim të tij që e kishte dhënë gjatë shpalosjes së platformës së tij, kur kishte kandiduar për kryetar të Vetëvendosjes.
“Nga aktivizmi nuk guxon të pasurohesh materialisht pavarësisht mundësive e shanseve. Përderisa je në politikë, nuk duhet të jesh më i pasur sesa kur nuk ishe në politikë. Pra, është e domosdoshme që pasuria e politikanëve të Lëvizjes të mos rritet me kalimin e kohës. Madje është e preferueshme që të bëhesh më i varfër duke qenë në politikë. Por, kurrsesi më i pasur”, kishte thënë Kurti
Me këto qëndrime s’është pajtuar Ahmeti, dhe është kujdesur që ta bëj të qartë.
“Delegatë të nderuar të partisë socialdemokrate, ne sot nuk kërkojmë nga ju që të ndryshoni, të visheni në një formë e të dukeni ndryshe. Anëtarët e PSD-së, nuk duhet të duken më të varfër e më të kualifikuar se që jani për të përfaqësuar dike”, tha Ahmeti.
Papajtueshmëritë në Vetëvendosje u bënë publike në fund të vitit të kaluar. Që prej atëherë pati disa të dorëhequr, të cilët ristrukturuan PSD-në që ekzistonte. /Periskopi/