Liria e fallusit

Liria e fallusit

Poshtërimi

Në vitet ’90 shoqëria kosovare ishte e rrahur, e lënë pa punë dhe e diskriminuar. Kërkonte liri. Një formë lirie që mund ta quajmë ‘liria nga’. Në rrethanën e atëhershme kërkohej liri nga Serbia, ose nga një pushtet institucional shtypës. Një shtytës qëndror i kësaj kërkese mendoj se ishte ‘burrëria e lënduar’ përmes rrahjes e dhunës, përmes një poshtërimi fallogocentrik. Natyrisht që kishte edhe elemente klasore në luftë, duke qenë se pjesa organizuese e saj rridhte kryesisht nga zonat më të shtypura ekonomikisht, ose më të pa-lidhura me institucionet e asokohshme. Veç kësaj, e kishim një ndjesi të kultivuar nga rendi moral e vleror që shpërndahej joinstitucionalisht në çdo skutë të shoqërisë – e i cili, element kyç e kishte farkëtimin e burrërisë me anë të forcës e guximit. Rrethana e ‘rrahjes dhe poshtërimit’ ishte e papranueshme për burrërinë e odave, kanunit dhe atij tipi të moralit patriarkal që e ushtronte gjakmarrjen.

Burrat jo vetëm u rrahën e u fyen, por ishin lënë në ‘fatin e grave’, në shtëpi, të dëbuar nga puna. Thënë figurshëm, fallusi i tyre ishte këputur. Vetë shtypësi u përfytyrua me koncepte primitive antropocentrike; vulgariteti i tij u kuptua si vulgaritet burrëror. Shtypësi në pavetëdijen shoqërore u regjistrua si burrë. Mirëpo, kjo nuk ishte krejt e pamend.

Dhuna e serbëve nuk derdhej në mënyrë kaotike, përkundrazi, ajo mësynte lëndimin e ‘burrërisë’ së shoqërive tjera. Dhunimet e grave në luftë nuk mund të shihen thjesht si shfryerje e frustrimit seksual. Nacionalistët e njohin njëri-tjetrin, dhe i njohin dhimbjet e tyre. Serbët e dinin se burrat shqiptarë e trupëzojnë moralin e tyre te gratë – dhe duke i dhunuar ato, synonin një poshtërim të skajshëm ndaj moralit të burrave. Se njëmend morali patriarkal pëson dëme nga dhunimet që i bëhen grave, tregon edhe heshtja shurdhuese e shoqërisë kosovare ndaj viktimave të dhunës seksuale për një dekadë e gjysmë. Kur kjo temë u hap, ndolli më shumë marre se dhembshuri.

Shtytësi ose nxitësi kryesor që çoi në luftë mendoj se ishte kjo ‘burrëri e poshtëruar’. Dhe pas çlirimit, ‘liria për’ u bë një liri për rivendosjen e asaj burrërie, për dëshminë se kishim fallus. E kishim fituar lirinë nga një fallus i huaj, duke menduar se e kishim edhe lirinë për fallusin tonë. Por, çlirimi nuk u fitua pa ndihmën e Nato-s, dhe as nuk mund të mirëmbahej pa atë ndihmë – e prandaj, nacionalizmi që thotë “kush është burrë nuk frigohet” u detyrua të gjente shtrirje vetëm në terr, dhe hapësira private.

Liria e mohuar e të poshtëruarit

Mbi 30% e shoqërisë është e papunë. Këtu përfshihen mbi 80% e grave. Dhe, një ekzistencë e papunë, thoshte një mendimtar spanjoll [Ortega y Gasset] është më e keqe se vetë vdekja. Kësisoj në një fat më të keq se vdekja ndodhet shumica e grave në Kosovë. Por të paktën, fallusi shtetëror që ua qin jetën, është fallus kuq-e-zi.

Ngarendja pas pozicioneve sa më të mira sociale ishte hapësira ku mund të ushtrohej burrëria, me anë të forcës, guximit dhe natyrisht nderit të lidhur me këto të dyja. Burrëria e poshtëruar para lufte duhej medoemos t’i jepte ledhë e të krehte ego-n e lënduar. Ishte provuar rëndesa e atij poshtërimi, dhe nuk mund të lejohej që kjo të përsëritej edhe në sistemin e ri politik. Prandaj nevoja për dhunë pluskohej në ajrin tonë në incidente të ndryshme. Ndodhi dhuna ndaj komunitetit serb, ndodhën vrasjet e aktivistëve politikë të LDK-së – por këto ishin pasoja të natyrshme të asaj që kishte ndodhur. Projekti i internacionalizmit liberal, vlerat tejrregulluese e disiplinuese të ardhura nga perëndimi, bënë që poshtërimi burrëror të performonte veten në mënyrë shumë të kujdesshme, gati tinëzare, dhe sidomos në ekonominë joformale të kontrolluar prej klaneve dhe në politikën parainstitucionale të bërë nga rastësorët.

Nevoja e shtruar për kritere e cilësi u sfidua nga krijimi i një hapësire kaotike, pra i një hapësire për rastësinë që të tregohej përzgjedhëse e njerëzve që hipnin në pushtet. Burrëria e poshtëruar e kishte të pamundur të ushtronte veten brenda rendit dhe ligjit, sepse rridhte nga një rend tjetër moral, dhe prandaj u mundua t’i kapte gjykatat dhe institucionet tjera relavante, mediet dhe ç’është më e keqja, e zaptoi edhe hapësirën publike. E zaptoi edhe kritikën ndaj vetes. Vetëvendosje nuk bëri asgjë tjetër brenda teatrit politik, veçse e retushoi diskursin politik të PDK-së. Dhe i dha një dukje urbane atij – një nevojë e ndjellur në një shoqëri thellësisht provinciale.

Shoqëria kosovare nuk ishte skandalizuar nga Afera “Pronto” e madje nga asnjë skandal tjetër – sepse ishte pjesë e atij pushteti. E kishte të brendashkruar mënyrën sesi qeveriste PDK-ja. E kishte të brendashkruar se ashtu vepronte një fallus i lënduar. Ajo kishte paragjykime të sakta – sepse praktikisht, ishte vetë pjesë e së njëjtës mendësi. Ishte e pranueshme që liderët e institucioneve t’iu ndihmonin njerëzve të afërt – dhe që relacionet e pushtetit të shkilnin mbi kriteret dhe cilësorët duke ndërtuar një rrjetë klienteliste. Sepse vetë shoqëria ishte e pakualifikuar.

Por, shoqëria kosovare në vulgaritetin e saj nuk ishte e lirë. Në çdo etapë të Jugosllavisë, e madje edhe më herët, ajo kishte mundur ta aktualizonte traditën e saj – ndoshta si formë rezistente ndaj shtypjes së dukshme. Por, ajo nuk i rezistoi dhe u pushtua pavërejtshëm ndaj vlerave liberale – duke bërë që kjo traditë të thyhej plotësisht. Dhe është meritë e këtyre vlerave që sot patriarkaliteti është i dëbuar nga sfera publike, që ndihet një nevojë e thekshme për kritere e cilësi.

Rendi i kulturës liberale ndoshta nuk kuptohet dhe nuk aplikohet ende sa duhet, por megjithatë ai ka mundësuar që patriarkaliteti të humbë terren e të zmbrapset në sferën private. Ndihet nevoja për njerëz të kualifikuar, për kompetencë.

Shpërdorimi i lirisë

Nëse jo mundësi të barabarta, kemi të paktën mundësinë për mundësi të barabarta. Kjo nuk nënkupton mundësinë për të qenë të dobët, që e ofron patriarkaliteti, por e kundërta, mundësinë për të kualifikuar veten, mundësinë për t’u ngritur bazuar në punën, forcën dhe dhuntitë e secilit. Lirinë ne e hasim në shpërdorimet që ia kemi bërë asaj. E përmendëm debatin ende të përqendruar rreth fallusëve të liderëve tanë. Shpërfilljen e plotë të debateve përmbajtësore mbi ekonominë. Shpërfilljen e plotë të një analize mbi karakterin dhe karakteristikat e korrupsionit tonë. Edhe protesta dhe aktivizmi politik u shpërdorën për të kënaqur fallusët, poashtu. Për të ngritur të tjerë burra, si puna e Kurtit ta zëmë, ose edhe Haradinajt më parë, dhe për t’i kënaqur epshet e atyre që ndodheshin më poshtë.

Kemi dalë prej lirisë nga një shtypës fallogocentrik në një liri për të shprehur fallusët tanë. Ne ende flasim për liderë dhe jo për politika e ide. Do të duhej ta përdornim lirinë që t’ua fusnim në gojë fallusët e tyre, burrave të poshtëruar.

Ne bëjmë zgjedhje përditë. Edhe kur nuk zgjedhim të mos bëjmë asgjë, kjo është një zgjedhje e bërë – nëse vendosim ta shohim veten si subjekt. Pra, jemi të dënuar që të jemi të lirë. Rruga që po zgjedhim është ikja – duam të ikim në diskurse idiote, ose edhe të ikim fizikisht nga vendi. Një ikje e rëndësishme është edhe ajo në të cilën ne nuk pranojmë të shohim veten si kosovarë – si produkt të zgjedhjeve që kemi bërë.

Shpërndaje në: