Sëmundja që rrezikon shikimin

Sëmundja që rrezikon shikimin

 

Glaukoma, e njohur ndryshe si tensioni i syrit, është një sëmundje e nervit optik e cila shoqërohet me ulje dhe dëmtim të qelizave nervore, duke çuar deri në verbëri.

Oriada Agalliu, mjeke okuliste në Poliklinikën e Specialiteteve Nr.1, Tiranë, tregon për gazetën “Shëndet +” llojet e glaukomës, çfarë e shkakton atë dhe çfarë pasojash mund të ketë.

Duke folur më tej ajo tregon rëndësinë e kontrolleve të herëpashershme, ku thekson se të paktën 1 herë në vit secili nga ne duhet të bëjë një kontroll tek mjeku okulist.

Çfarë është glaukoma?

Glaukoma është një neuropati, pra një sëmundje e nervit optik që shoqërohet me aptozë/ vdekjen ose uljen e qelizave nervore. Nervi optik ka 1.2 milionë fije nervore dhe me kalimin e viteve ky numër bie gradualisht, ndërkohë që tek personat me glaukomë numri zvogëlohet akoma më tepër. Është një sëmundje që çon në verbëri. Pra pacienti përfundon i verbër dhe quhet ndryshe vjedhësi i fshehur i shikimit të syrit, sepse kur personi arrin të kuptojë që ka një problem me glaukomën është realisht vonë. Zakonisht  është quajtur tensioni i syrit sepse shoqërohet me tensionin e lartë të syrit.

Llojet e glaukomës?

Glaukoma ka shumë nënndarje, por më kryesoret janë: glaukomë primare më kënd të hapur (POAG) dhe glaukomë më kënd të mbyllur (ACG). Glaukoma me kënd të hapur ka disa nënndarje: pseudoeksfoliative, pigmentare, normotonike etj. Glaukoma më kënd të mbyllur është glaukoma që shoqërohet me bllok pupilar ose me krizë glaukomatoze, që ka dhimbje shumë të forta, të vjella dhe  shpesh pacientët ngatërrohen, shkojnë në urgjencë dhe nuk referohen tek mjeku okulist.

Këto janë glaukomat primare, por mund të jetë dhe glaukomë sekondare që vjen si pasojë e inflamacionit të shtresës së mesme të syrit, pra uveiteve, mund të jetë dhe glaukomë juvenile që fillon në një moshë shumë të hershme, mund të jetë dhe glaukomë kongenitale, pra pacienti lind me glaukomë.

 

Megjithatë, jo rrallë ne hasim në praktikën tonë të përditshme atë që quhet glaukoma normotensive, e cila është një neuropati e nervit optik, por kur t’i i mat pacientit tensionin e syrit, tensioni del normal.

Glaukoma normotensive ka të gjitha karakteristikat e glaukomës tradicionale, përveç presionit intraokula të lartë, pra tensioni i syrit është normal. Përgjithësisht shoqërohet me probleme të qarkullimit të gjakut dhe probleme në perfuzionin e organeve.

Cilat janë simptomat e glaukomës?

Fillon të dëmtohet pjesa periferike e shikimit, megjithëse kur e teston pacientin ai pjesën centrale të shikimit mund ta ketë 100% dhe shumica nuk kanë asnjë simptomë. Kur ata fillojnë ta kuptojnë është shumë vonë.

Ndërkohë që në rastin e glaukomës me kënd të mbyllur, pacienti mund të ndiejë turbullim të shikimit, halos ose rrathë sikur sheh diellin, të vjella, dhimbje koke, marrje mendsh etj. Pra ka të gjitha simptomat e migrenës, ndërsa glaukoma kronike me kënd të hapur zakonisht është glaukoma pa dhimbje, dhe glaukoma normotensive është me tension normal nuk ka dhimbje. Kjo është gjëja më e keqe, sepse duke qenë se dhimbja është një sinjal mbrojtës, bëhet fjalë për mungesën e sinjalistikës. Pra ti nuk sinjalizohesh që ke një problem dhe nuk e kupton dot.

Ku haset më tepër?

Tek personat me sindromin metobolik dhe tek personat me sindromin flemer. Zakonisht glaukoma mund të jetë juvenile, kapet në moshë të hershme, mund të jetë kongenitale e lindur, por mund të jetë edhe që kapet  mbas të 40-ave. Ka një faktor shumë të rëndësishëm gjenetik, pra penetranca ndryshon nga një brez në tjetrin, pra ka raste të pacientëve të kartelizuar që janë prindërit me glaukomë, fëmijët me glaukomë e kështu me radhë. Pra, kush ka familjarë duhet të bëjë një depistim për të vërejtur nëse dhe ai vuan nga glaukoma. Standardi i artë në këto raste është skaneri i nervit optik. Sepse, siç e thamë edhe më sipër, fusha vizive del pozitive vetëm kur është dëmtuar 40% e fijeve nervore.

Si bëhet diagnostikimi i glaukomës?

Donometria është mjeti kryesor në diagnostikimin e glaukomës, por nuk është një mjet ndihmës në këtë rast ­­­­sepse, nëse një pacient ka probleme të shikimit, t’i i mat tensionin e syrit dhe del që tensioni i syrit është normal, nuk mund ta përcjellësh dhe t’i thuash ti nuk ke gjë, duhet patjetër të ekzaminohet fundusi i syrit, të bëhet oftalmoskopia ose të ulet pacienti në biomikroskop. Aty e shikon dëmtimin e nervit optik dhe fusha vizive është shumë e rëndësishme për të diagnostikuar glaukomën normotonike, megjithatë fusha vizive del pozitive kur janë dëmtuar rreth 40% e fijeve nervore të nervit optik. Standardi i artë për ekzaminimin e glaukomës është skaneri i nervit optik ose tomografia koherente optike (OCT).

Një gjë tjetër që mund të bëjë mjeku që ka kapur një glaukomë me tension normal është që të bëjë një ekzaminim me holter. Ta referojë tek mjeku internist, tek mjeku kardiolog për të  bërë një holter ose një monitorim 24 orësh  për disa ditë me radhë të tensionit arterial.

Trajtimi?

Në momentin që pacienti diagnostikohet për herë të parë, duhet ndjekur në vazhdimësi me matjen e tensionit intraokular dhe fushës vizive për të parë nëse ka ndryshme. Nëse njollat e zeza ose skotoma shtohen në fushën vizive, atëherë tregohet që pavarësisht se tensioni mund të jetë normal,  mjekimi nuk është duke vepruar siç duhet.

Kur është e nevojshme kirurgjia?

Gjëja më e mirë është që ta mbash me mjekim të stabilizuar. Në momentin që nuk është e stabilizuar me mjekim, bëhet ndërhyrja me kirurgji dhe nëse del me sukses ndërpritet mjekimi, por ndërkohë je tërë kohën nën kontroll për të parë mos mbyllet pjesa e drenimit, që ne i themi blebi.

Mirë është që secili nga ne të paktën 1 herë në vit të bëjë një kontroll të shikimit të tij./ Shendeti.com.al

 

Shpërndaje në: