1 maji – Pse po sulmohet festa e punëtorëve në Kosovë?

1 maji – Pse po sulmohet festa e punëtorëve në Kosovë?

Nesër është 1 maji – Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, e cila në Kosovë tradicionalisht është mbajtur si ditë feste e pushimi dhe jo si ditë proteste. As dita e nesërme nuk pritet ta cënojë traditën e kësaj dite pavarësisht planifikimit të tri protestave të ndryshme – njëra prej tyre nga vetë BSPK-ja.

Qe një dekadë kishim ndezjen e një reagimi negativ ndaj festës së përvitshme të punëtorëve dhe shoqërisë. U tha se duhej që punëtorët të protestonin. U tha se kështu ndodhte në shumicën e vendeve të zhvilluara. Por në fakt, kjo nuk është krejtësisht e vërtetë.

Ditë pushimi e feste 1 maji ose dita e majit është thuajse çdokund. Protestat që i shohim nëpër televizione organizohen nga sindikatat, dmth nga vetë punëtorët, që shprehin pakënaqësitë/kërkesat e tyre konkrete. Por, masa e protestave është pakrahasueshmërisht më e vogël se masa e festës dhe pushimit – e cila natyrisht që nuk mbulohet medialisht. Por, të ndalemi te protesta. Protesta e punëtorëve nuk është një event ose ndodhi krejt e dlirë dhe e pashkëputur nga interesi. Përkundrazi, ajo është në thelb një ndërmarrje që e fuqizon një pjesë të shoqërisë, i përçon mesazhet e saj, në dëm të pjesëve tjera. E mbivendos një narracion ndaj shumë të tjerëve. Marksi iu bënte thirrje punëtorëve të të gjithë botës që të bashkoheshin. Por një thirrje e tillë në kushtet e sotme është mosvet naive. Tregu i sotëm i punës e vërteton më thekshëm se kurdo shpërndarjen e pabarabartë të shtypjeve dhe privilegjeve në punë të ndryshme. Për më tepër, kemi një rritje të madhe të punëve të përkohshme dhe një zgjerim të jetës – që e bën identitetin e punëtorit të mos jetë i përcaktueshëm vetëm e as kryesisht nga puna.

Ajo që mund të thuhet është se nuk ekziston një vetëdije prej punëtori, duke qenë se kushtet e punës ndryshojnë me raste edhe rrënjësisht. Madje edhe në Kosovën tonë të vogël. Ta zëmë, kemi parë shpesh sesi punëtorët e filan sektorit futeshin në grevë duke mos i kryer shërbimet që i kërkonte shoqëria/shteti prej tyre derisa iu realizoheshin kërkesat. Mënyra sesi janë stivuar gjërat brenda sistemit ekonomiko-politik, e kam në mendje zbehjen e ndërvarësisë mes sektorëve, e bën më të domosdoshme se asnjëherë një organizim nga rrënjët, një organizim sektorial, një vetëdije që nuk anashkalon veçantitë e punës që ai/ajo kryen. Skema e përgjithshme e prodhimit është e tillë që nuk mundëson një vetëdije të tillë punëtore – madje, qoftë edhe avokimi i saj në kushtet e sotme e zbulon një vetëdije djallëzore klasore, ku mohohet/heshtet dallimi në shtypje/privilegje.

SBASHK-u kishte organizuar para do kohe një grevë të punëtorëve të arsimit për rritjen e pagave. Ishte pezulluar procesi mësimor. Dhe si rrjedhë, ishin rritur pagat. Por, cilësia kishte mbetur po ajo, në mos ishte tkequr edhe më shumë. Se sa joempatike është kjo sindikatë dhe në përgjithësi punëtorët e arsimit në Kosovë për pjesën tjetër të shoqërisë, tregon edhe paralajmërimi i fundit për pezullim të procesit mësimor nëse nuk kompenzoheshin mësimdhënësit e viteve 90. Qeveria u pajtua – dhe kjo gjë pritet t’i kushtojë buxhetit të varfër të Kosovës miliona euro. Edhe këta janë punëtorë. Dhe shohim sesi punëtorët e një sektori mund të dëmtojnë punëtorët e sektorëve tjerë. Eksperti i arsimit, Dukagjin Pupovci, më 2016 kishte thënë se ‘nuk ishte e vërtetë se punëtorët e arsimit gjatë viteve 90’ nuk ishin paguar. Madje, ai kishte treguar edhe pagat e tyre, e që nuk ishin shumë më të vogla se sot. Pra, në kushtet e viteve 90 kur shumica e punëtorëve shqiptarë të Kosovës ishin lënë pa punë, gjendja e tyre ekonomike kishte qenë më e mirë. Dhe për këto paga në sistemin paralel të atëhershëm ishin garantuar nga pjesa tjetër e shoqërisë – ndihmë e cila shkilet vrazhdë nga po këta punëtorë.

Tregu i punës në Kosovë është i përlyer me njëfarë tribaliteti e klientelizmi të tmerrshëm. 30% e njerëzve të gatshëm për punë janë të papunë. Shifrat te të rinjtë janë alarmante. Perspektiva madje edhe te ata që punojnë është e tmerrshme. Dhe këtu, duhet pasur kujdes shumë i madh në lidhje me atë që protestohet. Nuk mund të protestosh ‘për punëtorët në përgjithësi’ sepse kemi një varietet interesash. Nuk mund të protestosh as për interesin e tjetrin sepse kjo parakupton që ai/ajo në një pozitë më të shtypur, në fakt, thënë brutalisht, nuk di të flas për veten. Ky përbën një desubjektivim të tmerrshëm.

Organizimi sindikal është i ndikuar nga partitë politike në pushtet, por janë vetë punëtorët dhe anëtarët që e përbëjnë të cilat duhet ta pastrojnë nga këto ndikime. Tekefundit, sindikata të ndryshme edhe në vendet e zhvilluara lidhen me partitë politike dhe marrin premtime të ndryshme. Disa sindikata me një parti, disa të tjera me një tjetër. Edhe Vetëvendosje është takuar me Haxhi Arifin e BSPK-së, duke e kuptuar rëndësinë e organizimit sindikal.

Protesta duhet të rrjedhë si nevojë e brendshme e vetë punëtorëve. Si një luftë legjitime për kërkesat e tyre. Ndryshe, nuk mund të jetë veçse një falsitet i trishtë përmes të cilit disa njerëz duan të ngrisin veten në një pozicion më të mirë social. Haxhi Arifi, ish kreu i BSPK-së kishte të ardhura të majme, prej 45 mijë eurosh në vit, dhe s’mund të pritet një empati prej tij ndaj punëtorëve të ndërtimtarisë në Kosovë që punojnë pa kontrata pune, pa sigurime shëndetësore e me rroga mjaft të vogla.

Por, nëse ata vetë nuk e ndjejnë nevojën për të protestuar, ose nëse nuk ushtrojnë trysni në sindikata për të përfaqësuar veten më mirë, atëherë çdo ndërhyrje nga jashtë përbën desubjektivim. Një hop vetëdijësor nga ana e tyre nuk mund të ndodhë nëse dikush nga jashtë iu tregon se çfarë të mendojnë, e se kur të çohen e të protestojnë. Është e kollajshme të protestosh kundër gjithë sistemit, kundër zotëruesve të mjeteve të prodhimit ose kundër të privilegjuarve.  Ndaj tyre duhet luftë, jo protestë – nëse seriozisht ekziston ajo bindje. Por, nëse besohet në një formë qeverisëse përfaqësimore, nëse besohet në protestë, atëherë e drejta për organizimin dhe artikulimin e saj iu takon vetë punëtorëve.

Mungesa e protestave të deritashme ka të bëj edhe me njëfarë ndjenje fajësie e privilegjueshmërie te punëtorët. Merreni me mend, shkalla e papunësisë është 30%. Domethënë, një punëtor me pagë minimale mund të ndihet më i privilegjuar se një pjesë shumë e madhe njerëzish që përbëjnë të papunët. Fajësia ndërkohë është edhe te mosprofesionalizmi ose moskompetenca – e lidhur me punësimet përmes të afërmve, të cilat nuk besoj se ndodhen vetëm brenda administratës, por edhe në sektorin privat, te kompanitë ndërtimore.

Ekzistenca e skemave të tilla të punësimit, ku nuk këqyret profesionaliteti por kryesisht afërsia familjare, bën që mundësitë e protestave të zvoglohen dhe legjitimiteti i tyre të humbet. Nuk ekziston një relacion i thjeshtë: pushteti-punëtorët. Ekziston një relacion tjetër që ka të bëj me shpërndarjen e të mirave e shtypjeve, dhe që edhe në rastin e Kosovës e rrezikon shkeljen e një shtrese krejt të nënshtruar si të papunë. Një ekzistencë e papunë – shkruante Ortega y Gasset – është më e keqe se vetë vdekja. Dhe problemi kyç i Kosovës është pikërisht kjo shtresë njerëzish pa kurrfarë të ardhme, e degdisur në fatin e qenies së paangazhuar.

Padyshim, duhet të rritet funksionaliteti i mekanizmave të shtetit, të shtohen inspektoriatet e punës, dhe të ushtrohet presion për kushte më të mira. Por, kjo kërkesë duhet të ekonomizohet: çka nëse në Kosovë një ashpërsi e tillë institucionale do të bënte që shumë biznese të vogla të mbylleshin ose t’i shkurtonin vendet e punës? Çka nëse luftimi dhe mposhtja e plotë e ekonomisë informale do të çonte në një rritje të çmimeve të produkteve, dhe në një rritje të numrit të të papunëve? Këto mes ‘çka nëse’-ve të tjera.

Shpërndaje në: