BE-ja e nënshtron Facebook-un me ligjin e ri të privatësisë
Pavarësisht teatrit politik në pyetjet që i bëri kongresi Mark Zuckerbergut javën e kaluar, modeli biznesor i Facebook nuk është përballë asnjë rreziku nga rregullatorët në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, në Evropë, GDPR-ja [Rregullat për mbrojtjen e të dhënave të përgjithshme] do t’iu japë njerëzve mbrojtje më të mirë dhe do t’i detyrojë kompanitë, përfshirë Facebook-un që të bëjnë ndryshime gjithpërfshirëse në mënyrën sesi mbledhin të dhëna dhe sesi marrin pajtimin nga përdoruesit – me gjoba të mëdha për çdo parregullsi.
“Po e ndryshon balancin e pushtetit nga kompanitë gjigante të marketingut digjital që të përqendrohen në nevojat e individëve dhe në shoqërinë demokratike,” tha Jeffrey Chester, themelues i Qendrës për Demokraci digjitale. “Kjo është një arritje e pabesueshme.”
Kjo është guida për rregullat e reja.
Çka është GDPR-ja?
Është një rregullim që kërkon prej kompanive të mbrojnë të dhënat personale dhe privatësinë e popullsisë në vendet e BE-së. Ajo zëvendëson mbrojtjen e mëparshme të të dhënave që daton nga viti 1995 dhe e kufizon mënyrën sesi bizneset mbledhin, shesin dhe eksportojnë të dhënat personale të njerëzve.
“Konsumatorët janë abuzuar,” tha David Carroll, profesor i asociuar në Parsons School of Design të New Yorkut. “Tregtarët kanë pasur sukses në bërjen e njerëzve që të ndihen më të pafuqishëm. GDPR-ja iu jep konsumatorëve shansën që të rinegociojnë një marrëveshje tepër të padrejtë.”
A i prekë kjo vetëm kompanitë Evropiane?
Jo. Kjo do të aplikohet në të gjitha kompanitë që procesojnë të dhënat personale të njerëzve brenda Bashkimit Evropian, ku vendi ynë i bukur, Kosova, nuk është.
Çka llogaritet si e dhënë personale?
Çdo informacion që lidhet me personin e që mund të përdoret për ta identifikuar atë, përfshirë emrat, fotografitë, e-mail adresat, IP adresën, detajet bankare, postimet në rrjete sociale, informacionet mjekësore, të dhënat biometrike dhe orientimin seksual.
Çfarë të drejtash të reja do të marrin njerëzit?
Nën GDPR-në, njerëzve do t’iu zgjatohen të drejtat për të parë të dhënat që një kompani i ka mbledhur për ta krejt falas përmes “një kërkese të subjektit për të dhënat”. Njerëzit poashtu do të kenë të drejtë që ‘të harrohen’, që nënkupton se kompanitë duhet të fshijnë të dhënat e dikujt nëse ata e kërkojnë një gjë të tillë. Kompanitë do të mbledhin të dhëna vetëm kur ka ndonjë qëllim specifik biznesor për atë gjë.
“Kjo rregull i bën kompanitë më menduese e rigoroze rreth të dhënave që mbledhin dhe poashtu për mënyrën sesi i përdorin ato,” tha Carroll.
Çka për njerëzit jashtë Evropës?
Megjithëse e aplikuar vetëm për njerëzit brenda BE-së, rregullat e reja ndoshta do të ushtrojnë presion ndaj kompanive që të ofrojnë mbrojtje të mëtejme për gjithë pjesën tjetër të përdoruesve. Facebook-u, për shembull, është zotuar se do të ofrojë kontrollin e privatësisë GDPR globalisht. Pra, nuk është nevoja që të hyjmë në BE vetëm shkaku i këtij rregulli.
Ky artikull është marrë në Guardian, dhe është përkthyer nga Periskopi.