Pushteti dhe futbolli
Ndërrimi epistemik ose paradigmatik në Evropën perëndimore gjatë mbarimit të shekullit XVIII, bëri që pushteti të ekonomizohej [humanizohej, sipas interpretimit naiv të iluministëve]. Nga ky ekonomizim, domethënë nga një përllogaritje e imtë e strategjive të pushtetit për prodhimin e rezultateve sa më maksimale, u bënë ndryshime drastike. Filozofi gjerman Martin Heidegger, ende pa dalë aplikacionet e internetit si “Google maps”, thoshte se toka ishte ‘një dysheme teknike’. Ky lloj mendimi mund të zgjatohet edhe më tej, sepse edhe qielli sot është i teknicizuar ose i grafizuar dhe mund të quhet një ‘tavan teknik’. Pra, ky lloj ekonomizimi i pushtetit me anë të një rindërtimi të themeltë të jetës njerëzore, dhe vetë njeriut, n’a solli në ditët e sotme, në një vakt ku teknologjia e bën namin, dhe ku skllavërimi i njerëzve bëhet përmes vargonjsh që nuk lënë gjurmë, e nuk ndjellin dhimbje, e madje as që shihen.
Në mes të shekullit XIX, në vaktin e një industrializimi të hovshëm të vendeve perëndimore, patëm lindjen e formave të ndryshme kulturore për mbushjen e kohës së lirë. Ekonomizimi i pushtetit ishte aq tërësor, sa u shtri edhe në hapësirat në dukje ‘të lira’ të njerëzve: pra, u ekonomizua edhe koha e lirë [etimologjia e sportit është ‘koha e lirë’]. U sistematizua. Në këtë shkrim, unë do të merrem në veçanti me futbollin, si një ndër këto forma kulture megjithëse tash e një kohë nuk e përcjell.
Në bërthamë të futbollit si sport është identiteti. Ky sport u krijua nga punëtorë fabrikash në qytete të ndryshme industriale të Anglisë – dhe gara, ishte garë mes qytetesh ose mëhallash. Sa më afër të ishte lokacioni i klubit rival, aq më i madh ishte rivaliteti. Pikërisht në Angli, futbolli e ruajti karakterin e tij lokal – i përvijuar nga njëfarë decentralizimi më i thekshëm i industrializimit – madje edhe gjatë viteve 70 e 80 të shekullit të shkuar, në një kohë kur në Itali e Spanjë, ndihej fryma e komercializimit të tij. Shumica prej klubeve që sot i shohim si të mëdha, janë të krijuara në fund të shekullit XIX ose në fillim të shekullit XX. Por, popullariteti i tyre u rrit vetëm në vitet 70 e 80, kur po kapërcehej identiteti lokal i kësaj loje në të mirë të një rritjeje të hovshme financiare. Në atë vakt, Anglia megjithëse e kishte lindur futbollin modern, ishte larg Spanjës dhe në veçanti Italisë. Në Itali e Spanjë, kishte më shumë lojtarë të mëdhenj, më shumë para, më shumë shikues jolokalë, dhe më shumë suksese ndërkombëtare. Karakteri lokal u prezervua gjatë në Angli, fare natyrshëm shkaku i rrjedhës së industrializimit, por duke i shkaktuar probleme të mëdha komercializimit. As ekipet e qyteteve të mëdha, nuk ia dilnin të mbesnin në krye të tabelës. Gara ishte shumë e përhapur, e gjithandejme, dhe e prishte mundësinë që të tërhiqeshin tifozë jolokalë, duke qenë se lidhja me një klub të çonte drejt shumë dëshpërimesh. Konsistenca është shumë e rëndësishme që një tifoz futbolli të mbetet lojal për një klub të caktuar. Rezultatet e atyre që sot i njohim si ekipe të mëdha në Anglinë e dekadave në fjalë, e dëshmojnë një gjë të tillë.
Por kjo ndryshoi. Ish-kryeministrja britanike Margaret Thatcher, duke marrë shkas nga tragjedia në stadiumin Heysel, duke akuzuar tifozët e Liverpool-it [që pas dy dekadash u vërtetua se nuk kishin pasur faj], vendosi ta luftonte huliganizmin – ku e merrte gjallërinë më të madhe identiteti lokal – dhe ta bënte futbollin më përfshirës, e kësisoj më të shpërndarë. Vitet 90 i disiplinuan tifozët, i normalizuan ata, dhe kësisoj futbolli elitar në Angli u bë një formë kulture gjithnjë e më e përhapur. Për fëmijë, gra, pleq, aziatikë, afrikanë, amerikanojugorë, dhe për secilin që e kishte një televizor a që kishte para për të paguar biletën. Për secilin që kapej në rrjetën e këtij sporti, dhe që lidhej për identitetin tashmë jolokal të klubeve të futbollit.
Por, fryma lokale është ende e pranishme. Isha dëshmitar i një skene, në një bar të Prishtinës, ku një tifoz nga Manchesteri që banonte në Prishtinë duke qenë se ekipi i tij po humbte nga Sevilla, u konfrontua me shokun tim kosovar që e mbështeste dhe gëzohej me suksesin e ekipit spanjoll. Ai i tha: “çka po gëzohesh, ti nuk je nga Sevilla”.
Vitet 80 e prodhuan Liverpoolin si një ekip të madh. Që nga ajo periudhë e këndej, ky klub nuk ra aq poshtë, sa kishte rënë në vitet 70, 60 e 50. Megjithëse nuk e fitoi titullin asnjëherë qe afër 30 vjet, e ka ruajtur ‘elitarizmin’ e tij, duke qenë vazhdimisht mes ekipeve të mëdha në tabelë. Vitet 90 e prodhuan Manchester Unitedin dhe Arsenalin. Pastaj, në vitet 2000, tashmë Anglia kishte depërtuar në tregjet ndërkombëtare dhe vetëm sa e thelloi prezencën e saj. Sot, gjen plot tifozë të klubeve angleze edhe në Kosovë. Edhe unë isha mes tyre.
Kjo është loja e futbollit me ne. Tashmë, futbolli është vjedhur nga qytetetet në të cilat shtrihen klubet, dhe është shpërndarë gjithandej – si një formë e re kolonializmi. I është vjedhur ose zbehur tepër shumë karakteri lokal. Prodhohen imazhe të rreme, identitete të zbrazta, dhe gjenerohen para enorme.
Të marrim debatin për futbollistin më të mirë në botë. Futbolli është një sport kolektiv, e megjithatë, bën një prodhim të imazheve të reduktuara, në shquarjen e individëve, në mënyrë që të përforcohet lidhshmëria e njerëzve me të. Para disa ditësh dha dorëheqje pas 22 vitesh në krye të detyrës, Arsene Wenger – trajner i Arsenalit. Pronari i klubit tha që identiteti i klubit lidhej me figurën e tij – dhe që, e kishte blerë klubin, i frymëzuar pikërisht nga Wengeri. Ja një reduktim i vrazhdë i identitetit të një klubi. Por t’i rikthehemi debatit për Ronaldon dhe Messin. Të dy lojtarët u fabrikuan nga nevoja për një debat të tillë. Për himnizim të individëve. Për figurën e njeriun. Të dy lojtarët u shërbyen nga klubet e tyre – në nevojë të skajshme për humanizimin e imazhit. “Më shumë se një klub” – është motoja e Barcelonës. Kjo tregon kompleksin dhe pamjaftueshmërinë e klubeve të futbollit për të qenë thjesht klube futbolli. Dhe të futbollit për të qenë thjesht dhe vetëm futboll, një sport, një mënyrë e caktuar për kalimin e kohës së lirë.
Kapërcimi i identitetit lokal e degdisi futbollin në fatin e një mjeti tjetër pushtimi e skllavërimi. E një forme tjetër varësie për shumë njerëz. Ai u bë një mekanizëm tjetër që prodhonte nevoja të panevojshme, që prodhonte imazhe absurde e të reduktuara – për të vjelë përifitme enorme ekonomike.
Në Kosovë shumë njerëz e përcjellin futbollin. Por, shumica dërrmuese e tyre e përcjellin vetëm futbollin ndërkombëtar, dhe jo atë lokal. Kjo është arsyeja pse futbolli ynë nuk përmirësohet dhe nuk mund të përmirësohet aq sa të kthejë kah vetja gjithë atë masë tifozësh që ndodhet brenda vendit. Futbolli i takon tjetërkujt. Ne jemi të destinuar në fatin e spektatorëve.