Pse sot të vjen marre nëse të është vra dikush n’luftë
Shikoni: kur rri me shoqëri kafeve dhe rroket tema e luftës, secili tregojmë përjetimet tona. Kur vjen puna t’ju tregoj për babain, fillimisht ju them se ka qenë ushtar i UÇK’së, ama ‘pasha Zotin s’ka qenë si ‘këta’. Domethënë, më duhet t’ju bëj be (sepse s’di nëse më besojnë) që s’ka qenë njëri prej ‘këtyre’ sot. Këtë e bëj që të mos turpërohem, fillimisht.
Në përvjetorin e parë të masakrës së Abrisë dhe rënies së disa dëshmorëve, përfshirë babain tim, kishte ardhur atëkohë, kreu i PDK’së, Hashim Thaçi. Na kërkohej si familje dëshmori që ta merrnim fjalën. Motrës time ia kishin përgatitur fjalimin organizatorët e ‘eventit spekulativ’. Motra ime, e merr atë letër por kur del në binë, e lexon fjalimin e saj, e jo atë të porositurin.
Ishin veç nja’ dy vite përfundim prej luftës me sa e mbaj mend.
Më shumë se 17 vjet prej asaj ngjarje, tash e kam kuptuar pse kanë kërkuar të lexohet diçka tjetër në përkujtim.
Shikoni: kur rri me shoqëri kafeve dhe rroket tema e luftës, secili tregojmë përjetimet tona. Kur vjen puna t’ju tregoj për babain, fillimisht ju them se ka qenë ushtar i UÇK’së, ama ‘pasha Zotin s’ka qenë si këta’. Domethënë, më duhet t’ju bëj be (sepse s’di nëse më besojnë) që s’ka qenë njëri prej këtyre sot. Këtë e bëj që të mos turpërohem, fillimisht.
Javën e kaluar, vizitova varrin e babait bashkë me vajzën time 3 vjeç. Ajo luante rreth varrezave dhe unë mendoja se si do ta shpiki një rrëfim ndryshe për gjyshin e saj. Kur vajza ime të rritet (në këtë Kosovë çfare është), do t’ja shpiki një rrëfim më përrallor pse i është vrarë gjyshi. Sepse, ne ja kemi humbur kuptimin luftës, kuptimin lirisë. Në fund të fundit, nuk dua t’i them vajzës: shiko…gjyshi është vrarë por nuk mundëm ta ndërtonim një Kosovë më të mirë. Ti s’do të kesh ku të shkollohesh (ose do të shkollohesh keq). Ti s’do të kesh ku të shërohesh (nëse sëmuresh keq).
Kur kërkon që të zësh një karrigë në Universitetin e Prishtinës, pa ditur, por veç pse të është vrarë dikush në luftë…kjo të turpëron.
Kur kërkon ta kesh tezen në listën e veteranëve sepse i ka pa disa granata duke rënë afër saj në luftë…kjo të turpëron.
Kur lexon se janë shitur statuset e veteranëve dhe është bërë prostitucion nga veteranët…kjo të turpëron.
Monopolizimi i luftës se unë kam foto me Adem Jasharin, unë kam video që dëshmojnë pjesëmarrjen time ‘heorike’ në luftë, unë kam shokë që më janë vrarë…kjo të turpëron.
Këtu, të jepet përshtypja sikur disa njerëzve dhe disa familjeve ua kemi borxh edhe disa taksa ekstra për ekzistencën e tyre. Taksa për ekzistencën e Shkëlqesisë së Tij, z. Hashim Thaçi, për shembull.
Mos u mërzitni. Ju duhet të jeni krenar për prindin tuaj.
Këto janë fjalët që marrim çdo përvjetor nga politikanët si familje dëshmori.
Ama, po mërzitem. Në fakt, unë kam filluar të turpërohem.